Fajtorë për “krime morale”, rrihen publikisht me kamxhik 12 persona në Afganistan, mes tyre 3 gra


Dymbëdhjetë njerëz, përfshirë këtu edhe tri gra, janë rrahur me kamxhik para mijëra njerëzve të pranishëm në një stadium futbolli në Afganistan.

Ata ishin shpallur fajtorë për kryerjen e “krimeve morale”, si tradhti bashkëshortore, plaçkitje dhe homoseksualitet, tha një zyrtar taleban për transmetuesin publik britanik, BBC.

Kjo besohet të jetë hera e dytë gjatë muajit nëntor që grupi islamik ka organizuar rrahje të tilla me kamxhik.

Veprimet e tilla mund të jenë një sinjal që po kthehen praktikat e ashpra e regjimit të mëparshëm taleban në vitet e 1990-ta.

Omar Mansoor Muhajid, një zëdhënës i talebanëve për rajonin Logar në lindje të Afganistanit, ku ndodhën rrahjet me kamxhik, tha se të tria gratë ishin liruar pas këtij ndëshkimi. Ndërsa, disa nga burrat e ndëshkuar më pas u burgosën, tha ai, por nuk tregoi se për sa prej tyre bëhet fjalë.

Këta burra dhe gra u ndëshkuan me nga 21 deri në 39 rrahje me kamxhik secili. Ndëshkimi maksimal i tillë mund të jetë me 39 goditje me kamxhik, tha një tjetër zyrtar taleban.

Javën e kaluar, 19 njerëz u ndëshkuan në mënyrë të ngjashme në rajonin Takhar në pjesën veriore të Afganistanit, thuhet në këto raporte.

Ndëshkimet në rajonin Logar vijnë një javë pasi lideri suprem i talebanëve, Hibatullah Akhundzaza, urdhëroi disa gjykatës t’i zbatonin dënimet për krime të caktuara në përputhje me leximin e rreptë që i bëhet ligjit të Sheriatit nga ky grup.

Baby Boo