Europa Nostra: I ofruam ndihmë autoriteteve shqiptare për Teatrin, por si përgjigje morëm ekskavatorët


Në një intervistë me gazetaren Ilva Tare, Sneshka Mihailoviç, sekretarja e përgjithshme e Europa Nostra tha se federata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e kishte lajmëruar kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun Erion Veliaj që më 17 janar se Teatri Kombëtar me shumë gjasa do të futej në listën e 7 vendeve më të rrezikuara në Europë.

“E njëjta letër ju dërgua kryebashkiakut të Tiranës, kryeministrit dhe presidentit të Republikës së Shqipërisë, duke i informuar ata se teatri ishte vendosur në listën tonë prej 14 vendesh dhe me gjasa do të vendosej në listën me 7 vende dhe ne po ofrojmë ekspertizën tonë, po ofrojmë të vijmë e të flasim me ta, me të gjitha palët e përfshira, shoqërinë civile dhe ekspertët për të gjetur së bashku zgjidhjen për ta shpëtuar këtë godinë dhe për të gjetur një zgjidhje alternative për projekte të tjera zhvillimi që po diskutohen për Tiranën. Por në vend të kësaj, nuk morëm asnjë përgjigje për letrën e 17 janarit. Do t’jua dërgoj një kopje të letrës, dhe së fundmi, përgjigja që ne morëm ishin ekskavatorët e dërguar në mes të natës të dielën e kaluar, për të rrafshuar jo vetëm godinën, por edhe brendësinë e teatrit me kostumet dhe arkivat, duke e kthyer në rrënoja të gjithë historinë. Nuk mendojmë se kjo ishte përgjigja që meritonim dhe prisnim nga autoritetet. Dhe veçanërisht jo ne, por qytetarët e Shqipërisë meritonin një përgjigje ndryshe nga autoritetet,” deklaroi znj. Mihailoviç.

Gjatë një interviste në Euronews Albania kryeministri shqiptar Edi Rama u pyet nga gazetarja Bruna Çifligu pse nuk iu kthye një përgjigje nga qeveria shqiptare federatës së organizatave të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

“Nuk kam parë asnjë arsye që të kthej ndonjë përgjigje dhe mbi të gjitha që ajo oferta se me 1 milion euro do të restaurohej ajo ngrehinë e parestaurueshme, ishte qesharake. Nuk kam pas nevojë që t’i kthej përgjigje”, tha z. Rama.

Baby Boo