Eskalon situata në Zveçan, serbët përplasen me ushtarët e KFOR-it, raportohet për të lënduar

Situata ka eskaluar në Zveçan, para pak minutash.

Siç raportohet nga vendi i ngjarjes, ka pasur përplasje mes ushtarëve të KFOR-it dhe protestuesve. Janë parë edhe disa ushtarë të lënduar të KFOR-it gjatë përplasjeve.

Radio Evropa e Lirë raportoi më herët së KFOR-i ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan. Paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

“Ju po shkaktoni trazira. Po e rrezikoni veten dhe komunitetin tuaj. Largohuni nga zona dhe shkoni në shtëpi – në të kundërtën, KFOR-i do të detyrohet të ndërhyjë”, ishte audio-paralajmërimi i KFOR-it.