Erdogan: “Turqia e gatshme të presë liderët rusë dhe ukrainas”


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan përsëriti të mërkurën se është i gatshëm të presë liderët e Rusisë dhe Ukrainës për t’i “hapur rrugën rivendosjes së paqes” pasi tensionet midis dy vendeve nuk tregojnë shenja të zbutjes.

“Turqia dëshiron që tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës të zgjidhen përpara se të kthehen në një krizë të re”, tha Erdoğan gjatë një interviste televizive.
“Shpresoj se Rusia nuk do të shkojë drejt një sulmi të armatosur dhe pushtimit të Ukrainës”, tha ai.

Një veprim i tillë, tha ai, nuk mund të jetë “racional” për Rusinë dhe rajonin, duke theksuar dëshirën e Turqisë për paqe dhe stabilitet rajonal.
Erdoğan njoftoi gjithashtu se kishte ftuar presidentin rus Vladimir Putin në Turqi, por data nuk është caktuar ende. Ai ndërkohë përsëriti qëndrimin e “qartë” të Turqisë ndaj integritetit territorial të Ukrainës.

Rusia kohët e fundit grumbulloi dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit lindor të Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikonte një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të tij ish-sovjetik.
Moska ka mohuar se po përgatitet për ndonjë pushtim duke pretenduar se trupat e saj janë stacionuar atje për stërvitje. Rusia gjithashtu ka dalë me një listë të kërkesave të sigurisë, përfshirë mos-anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

– Furnizimi me gaz iranian
Në lidhje me ndërprerjen e importeve të gazit nga Irani, Erdoğan tha se Turqia nuk ishte në borxhe ndaj Iranit, duke theksuar se akuza të tilla janë “gënjeshtra”.
Udhëheqësi turk tha se ka biseduar me homologun e tij iranian Ebrahim Raisi për këtë çështje. Rrjedha e plotë e gazit do të rifillojë pas 10-15 ditësh, tha Erdogan.

Irani konfirmoi kohët e fundit se nuk do të dërgonte gaz natyror në Turqi midis 21 dhe 31 janarit për shkak të një defekti teknik në tubacion.
Lidhur me Gazsjellësin e Mesdheut Lindor (EastMed), tubacioni i gazit i planifikuar të transportonte gazin izraelit nga Mesdheu Lindor në Greqi, presidenti turk theksoi edhe një herë se “çdo projekt që shpërfill Turqinë në Mesdheun Lindor nuk mund të jetë i suksesshëm”.

Duke thënë se projekti “EastMed” është “teknikisht dhe komercialisht i pamundur”, Erdoğan përshëndeti vendimin e SHBA-së me të cilën tërhoqi mbështetjen e saj nga projekti.
Ndërsa ambasadori i ri amerikan Jeff Flake i dorëzoi dje letrat kredenciale presidentit turk, Erdoğan tha se beson se do të ketë zhvillime të reja në marrëdhëniet midis Turqisë dhe SHBA-së pas takimit të tij tetorin e kaluar me presidentin amerikan Joe Biden në Romë.

“Bisedimet ndërmjet zyrtarëve amerikanë dhe zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare rreth F-35 po zhvillohen në një drejtim pozitiv”, shtoi ai.
Greqia, Izraeli dhe administrata qipriote greke nënshkruan një marrëveshje në vitin 2020 për ndërtimin e një tubacioni të gazit natyror 1.900 kilometra të gjatë në Mesdheun Lindor që do të lidhte Izraelin, administratën qipriote greke, Kretën, Greqinë dhe në fund Italinë.

Shumë ekspertë thanë se kostoja e parashikuar e transferimit të gazit natyror do të ishte tri herë më e lirë nëse tubacioni kalon përmes Turqisë.
Megjithëse Ankaraja dhe Tel Avivi kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar për një transferim të tillë gazi nëpërmjet Turqisë, bisedimet nuk kanë filluar kurrë.

Në këtë drejtim, Erdoğan shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të ndërmarrë “të gjitha hapat e nevojshme” në këtë drejtim.
Ai njoftoi vizitën e mundshme të presidentit izraelit Isaac Herzog në Turqi në fillim të shkurtit, duke shtuar se kjo mund të hapë rrugën për një “epokë të re” në marrëdhëniet midis dy vendeve.

– Marrëdhëniet me vendet e Gjirit
Duke thënë se Turqia ka arritur “një moment të mirë në marrëdhëniet me vendet e Gjirit”, Erdoğan potencoi se “qëndrimi parimor dhe qëllim mirë ndaj rajonit të Gjirit” i vendit të tij po kuptohet më mirë.
Ai përmendi më tej “lidhjet e forta kulturore, ekonomike” me rajonin, duke shtuar se Ankaraja i jep përparësi dialogut dhe konsensusit.

“Ne do të bëjmë më të mirën nga ky potencial serioz bashkëpunimi”, shtoi ai.
Duke folur për vizitën e tij të ardhshme në Emiratet e Bashkuara Arabe në shkurt, Erdoğan tha se “14 shkurti është një datë e rëndësishme për ne. Shpresojmë që vizita jonë në EBA në këtë datë të jetë fillimi i një epoke të re”.

Presidenti turk njoftoi ekstradimin e një të dyshuari të lidhur me vrasjen e një studiuesi turk në vitin 2002 që studionte organizatën terroriste FETO.
Nuri Gokhan Bozkir, për të cilin u lëshua urdhër-arrest i kuq për vrasjen e Necip Hablemitoglu, u kap në Ukrainë, ndërsa Turqia kërkoi ekstradimin e tij, tha Erdoğan.

“Përveç lidhjeve të tij me FETO-n, ai (Bozkir) është i njohur për furnizimin me armë dhe municione për DEASH-in”, shtoi Erdoğan ndërsa vuri në dukje se aktualisht po merret në pyetje në Turqi.
Hablemitoglu, i njohur për kërkimet dhe librat e tij mbi FETO-n, u vra para shtëpisë së tij në kryeqytetin turk Ankara, por vrasja nuk u zbardh kurrë.

FETO dhe lideri i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gülen, orkestruan grushtin e shtetit të dështuar të 15 korrikut 2016, në të cilin 251 persona u martirizuan dhe 2.734 u plagosën.
Ankaraja gjithashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Baby Boo