Erdogan: Do kemi operacione të tjera ushtarake, do të jemi fuqi botërore


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, premtoi të dielën operacione të reja ushtarake kundër militantëve kurdë përgjatë kufirit në Siri dhe Irak, kur paraqiti manifestin e tij zgjedhor.

Duke folur përpara mijëra mbështetësve në Stamboll, Erdogan i përshkroi zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të muajit të ardhshëm si një “moment historik” për një Turqi të fortë.
Sipas tij, Turqia do të ngjitej në skenë si një fuqi globale. Presidenti Erdogan i thirri zgjedhjet më shumë se një vit më herët nga mandati i zakonshëm, duke i planifikuar për më 24 qershor. Analistët vlerësojnë se këtë e bëri pjesërisht për të përfituar nga ndjenjat nacionaliste në rritje këtë periudhë në Turqi, pas një fushate të suksesshme që shkatërroi milicinë siriane kurde në Afrin, një enklavë kufitare siriane.

“Në mandatin e ri, Turqia do të shtojë operacione të reja si Mburoja e Eufratit dhe Dega e Ullirit”, tha Erdogan në lidhje me ofensivën ndërkufitare në Siri 2016 dhe në Afrin 2018. “Operacionet do të vazhdojnë derisa të mos mbetet një terrorist”, theksoi ai. Sa për ekonominë, duke synuar lehtësimin e frikës, Erdogan premtoi ulje të normave të interesit dhe inflacionit dhe zvogëlimin e deficitit.

“Ekonomia turke do të jetë më rezistente ndaj goditjeve të jashtme dhe goditjeve financiare. Turqia do të jetë edhe më tërheqëse për investitorët”, tha Erdogan. Ai shtoi se Turqia nuk e kishte braktisur kurrë qëllimin e saj të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Baby Boo