Era Istrefi rrezikon sërish performancën në ‘Rusi 2018’, arsyen e dimë të gjithë


Will Smith i kthehet rolit të reperit, që në vitet ’80-’90, e shndërroi në një fenomen amerikan. Dhe Nicky Jam me ritmet latine dhe tekstet e nxehta, është e pamundur të mos e keni kërcyer. Ritmi kaliente i “Live it Up”, iu la në dorë producentit Diplo, njeriu që ka çmendur diskotekat me muzikën e tij. E në fakt, me “Live it Up”, Diplo nuk ka dashur thjeshtë të krijojë një himn futbolli, por një hit që do t’i bëjë të kërcejnë të gjithë, nga njeri cep i botës tek tjetri, shkruan Class.

“Nuk kam realizuar ndonjëherë një këngë kaq internacionale që bën bashkë kaq shumë yje në një ritëm të fuqishëm”, shprehet Diplo.

Por, si ia doli Era të bëhet pjesë e himnit më të rëndësishëm të këtij Botërori?

Prej vitesh, drejtimin artistik të Botërorit, FIFA ia ka besuar gjigandit diskografik Sony Music. Nicky Jam është një prej artistëve, muzika e të cilit krijohet, publikohet dhe shpërndahet nën logon e Sony Music.

Nga ana tjetër, prej dy vitesh Era menaxhohet nga një prej filialeve që janë pjesë e Sony-t, Ultra Music. Duket të ketë qenë pikërisht ky avantazhi i saj, krahas shumë emrave të tjerë për të qenë pjesë e hitit zyrtar të FIFA-s. Nëse për Will Smith është rezervuar pjesa e repit, Nicky s’mund të mos ndërthurte ritmet e rumba-s me vargjet në spanjisht.

Ndërsa teksti i Era Istrefitt duket se është tipik për shqiptarët: “I ngremë flamujt dhe krenarinë e vendosim mbi shpinë”. Tingëllon si një tribut për dy flamujt tanë, që në këtë Botëror nuk do t’i shikojmë të ngrihen në shkallët e stadiumeve. Këtë vit, Kosova konkurroi për herë të parë në fazat eliminatore të Kampionatit Botëror. Por, ashtu si Shqipëria, nuk ia doli të mbërrinte në Rusi.

Por duhet akoma edhe një hap që të gjithë ta shohim Erën në Rudi. Telashet e saj të dikurshme me ambasadat, për shkak të kufizimeve që ka pasaporta e Kosovës janë të njohura. Edhe pse në janar të vitit të kaluar, Era u pajis me një pasaportë shqiptare, Rusia, ia mbylli dyert. Vitin e kaluar, Era Istrefi ishte ndër artistet ndërkombëtare të ftuara në një prej organizimeve më të mëdha të muzikës në kontinent, festivali Europa Plus. Por fatkeqësisht, nuk mundi të ngjitej në skenën e Moskës krah artistëve të tjera si Dua Lipa, Bebe Rexha, apo Arilena Ara.

Dhe, siç duket, edhe këtë herë performanca e këngëtares shqiptare mund të rrezikohet pikërisht për shkak të vizës. Këtë merak e bëri publik edhe mamaja e Erës, Suzana Tahirsylaj. “Tani duhet të merremi me vizën e Rusisë. Erës i duhet të kthehet në Shqipëri dhe në Kosovë për t’u marë me to”,- tha Suzana Tahirsylaj.

Në përpjekje për të kontaktuar e për të mësuar rreth situatës së paqartë, “Jo vetëm modë” ka marrë një përgjigje të prerë: Era nuk ka kohë për gazetarët shqiptarë. Përveç reagimit për sajtin zyrtar të FIFA-s, Era nuk ka dhënë asnjë prononcim lidhur me pjesëmarrjen në himnin zyrtar të Botërorit.

Baby Boo