Ende nuk dihet për dozat e vaksinave! Disa politikanë janë deklaruar se do ta pranojnë vaksinën


Përderisa disa vende në rajon kanë filluar me procesin e vaksinimit kundër Covid-19 dhe kanë bërë të ditur numrin e dozave të vaksinave që do të posedojnë, tek ne ende nuk dihet saktë se sa doza do të arrijnë në shkurt dhe sa qytetarë do të mund të vaksinohen. Ndërkaq Biontek ka informuar se po punojnë me partnerin e saj Fajzer në rritjen e prodhimit të vaksinës kundër Kovid-19, duke rekomanduar se do të ketë mungesë furnizimi derisa nuk fillon shpërndarja e vaksinave nga kompani të tjera.
“Për momentin situata nuk duket mirë- paraqitet boshllëk pasi që mungojnë vaksina të tjera dhe ne patjetër të plotësojmë boshllëkun me vaksinën tonë”, tha Ugur Sahin – Biontek.

Ende pa ardhur vaksina, disa politikanë të vendit veç më janë deklaruar se duan të jenë ndër të parët që do të vaksinohen për të shërbyer si shembull edhe për qytetarët e tjerë. Një gjë të tillë e deklaroi edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi në emisionin Click Plus.
“S’do mend që si kryetar parlamenti dhe si i pari i barabartëve i 120 deputetëve, nuk kam dilema në gjithë atë mendje botërore që është angazhuar për të ardhur deri te vaksina e duhur. Për faktin se çdo pandemi që ka ndodhur në historinë e njerizimit ka mbaruar me aktin e vaksinimit të popullatës. Unë për vete nuk kam dilema”, deklaroi Talat Xhaferi – Kryetar i Kuvendit.

Ndërkohë dje Shqipëria njoftoi se ka siguruar 500 mijë vaksina anticovid, prej të cilave 10.750 doza të vaksinës do të vijnë në javën e tretë të janarit.
“Kemi dakorduar marrjen e vaksinës nga kompania Fajzer. Kemi dakorduar me akt normativ për autorizimin e kontratës sipas marrëveshjes së konfirmuar zyrtarisht nga kompania Fajzer. Sasia e dakorduar do të paguhet menjëherë. 10.750 doza të vaksinës do të vijnë në javën e tretë të janarit. 30,250 doza të vaksinës do të vijnë në shkurt dhe në vazhdim”, u shpreh Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë.

Rama ka shtuar se nuk do të harrojë Kosovën, duke njoftuar se një pjesë e vaksinave të siguruara do t’i jepet Kosovës për vaksinimin e mjekëve. Ndërkohë që ditë më parë Komisioni Evropian, ka informuar se ka ndarë 70 milionë euro për vaksinat në Ballkanin Perendimor në mënyrë që të sigurohet qasje e drejtë dhe universale e vaksinave në gjithë rajonin e Evropës. Vlen të theksohet se numri i qytetarëve që do të pranojnë vaksinë duhet llogaritur sa gjysma e numrit të përgjithshëm të kapacitetit të vaksinave ngase për një qytetar nevojiten dy vaksina që jepen njëra pas tjetrës sipas afatit të paraparë.

Baby Boo