EMV, pa ofertë për shitjen e energjisë elektrike


Elektranat e Maqedonisë së Veriut nuk ka përgjigje konkrete pse në tenderin e EVN Home nuk ka dërguar ofertë për shitjen e energjisë elektrike tek furnizuesi universal që i furnizon amvisëritë. Informacionet që i siguroi Alsat thonë se EMV nuk kanë paraqitur ofertë për shkak të llogaritjeve të papërfunduara në lidhje me çmimin me të cilin do t’ia shesin energjinë elektrike furnizuesit universal, por edhe për mungesën e energjisë elektrike nga prodhimi vendas.

Sipas Qeverisë, EMV do ta japë rrymën.
“Qeveria garanton se SH.A EMV në pajtim me Ligjin për Energjetikë edhe vitin e ardhshëm do t’i sigurojë sasitë e nevojshme të energjisë elektrike për t’i përmbushur nevojat e amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël”, njoftojnë nga Qeveria.

Nga EVN Home apo Furnizuesi universal për Alsat thonë se instancat e larta të kompanisë do të vendosin se kur do të shpallet tender i ri për furnizimin me energji elektrike që do të përdoret nga qytetarët në vitin 2022.
“Për momentin nuk është përcaktuar ndonjë datë specifike se kur do të jetë tenderi i ri për furnizim me energji elektrike. Në procedurën e tenderit më datë 15.11.2021, nuk kemi pranuar asnjë ofertë për dorëzim të energjisë elektrike për nevojat e Furnizuesit universal për vitin 2022”, thonë nga EVN Home.

Sipas Ligjit për Energjinë, EMV obligohet të paraqitet në tender dhe t’i ofrojë energji elektrike furnizuesit universal. Sipas ligjit, kjo kompani shtetërore duhet të sigurojë të paktën 60 për qind të nevojave të familjeve dhe konsumatorëve të vegjël. Këtë vit, 100% e nevojave të EVN Home janë nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut. Në disa raste në këtë krizë, autoritetet kanë paralajmëruar se kjo do të ndodhë edhe vitin e ardhshëm, që çmimi i energjisë elektrike për qytetarët të mos rritet shumë. Nga Ministria e Ekonomisë nuk morëm përgjigje nëse EMV ka shkelur Ligjin për Energjinë me këtë veprim. Sa i përket prodhimit të energjisë elektrike në TEC Manastir përsëri ka ngecje tjetër. Pasi dje EMV njoftoi se rrymë prodhon edhe blloku i dytë i termocentralit të Manastirit, që mbrëmë, 12 orë, është bërë revizion në bllokun e parë të TEC Manastir, që do të thotë se vetëm një bllok ka funksionuar.

Baby Boo