Emrat e dhunuesve vetëm në letër


Për më shumë se dy vjet, Shyrete Tahiri Sulimani nuk ka asnjë informacion për rastin e saj si viktimë e dhunës seksuale në luftë.

Ajo thotë se është përdhunuar nga forcat serbe në Kosovë, në vitin 1999.

Njëzet vjet më vonë, në tetor të 2019-ës, ka ngritur kallëzim penal për rastin në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Edhe pse kanë kaluar mbi 27 muaj që nga ajo kohë, Tahiri Sulimani thotë se nuk ka asnjë lajm se si janë duke shkuar gjërat në Prokurori.

“Nuk ka ndodhur asgjë; nuk ka lëvizur asnjë milimetër”.

Shyrete Tahiri Sulimani është gruaja e dytë në Kosovë, pas Vasfije Krasniqit, që ka folur publikisht për përjetimet e dhunës seksuale në luftë.

Ajo thotë se ka ofruar dëshmi dhe fakte para prokurorëve, porse gjërat nuk janë duke shkuar përpara – nuk ka asnjë lajm dhe nuk është kontaktuar nga askush.

“Drejtësia për mua është lirim i shpirtit tim nga një ëndërr e tmerrshme. Më keq se të presësh nuk ka, më besoni”.

“Ne jemi duke pritur që sa e sa kohë… një orë është shumë, një ditë është shumë, e lëre më që sa vite. Nuk ka drejtësi. Është e tmerrshme”, thotë Tahiri Sulimani për Radion Evropa e Lirë.

Baby Boo