Elkier Bushkolaj: Krenar për Shën Terezën, por vetëm në facebook !


Elkier Bushkolaj

Kryefjalë e postimeve në rrjetin social facebook sot, në kuadër të 2- vjetorit të shenjtërimit të Shën Terezës, ishin fotot dhe shprehjet e saj, por fatkeqësisht krenaria jonë për këtë figurë të ndritur nuk shkoi përtej statuseve në rrjetet sociale dhe u zvenit ashtu si euforia për kombëtaren kur ka humbur ndeshjen e radhës pas një fitoreje.

Shtatorja e Shën Terezës do duhej të ishte me përmasa gjigante pranë Aeroportit të Rinasit, në të gjitha portet detare të vendit, por edhe pikat doganore, në mënyrë që çdo i huaj që vjen në vendin tonë ta mësojë se shenjtorja është nga këto troje të lashta.

Bust i shenjtores do duhej të ishte edhe në sheshin qendror të Tiranës pranë “vëllait” të saj Gjergj Kastriotit, si edhe në qendrat kryesore të qyteteve shqiptare.

Sot qeveria vendosi pushim zyrtar në kuadër të 2-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, por nuk u mbajt asnjë ceremoni shtetërore për të përkujtuar veprën e saj dhe trashëgiminë e saj.

Maqedonia dhe Bullgaria prej vitesh përmes makinacioneve dhe mashtrimeve po mundohen të përvetësojnë origjinën e shenjtores, ndërsa shteti ynë hesht, e nuk denjon as të ndërtojë për të një muze në Tiranë, në Shkodër, në Prizren ose në Mirditë, në tokën e Katedraleve.

Akademia e Shkencave është kthyer në një azil pleqsh, që veç pensionit të majmë marrin dhe ndonjë honorar nga shërbimet sekrete të vendeve fqinje, ose ndonjë bursë për fëmijët e tyre në Universitetet e këtyre vendeve.
Mendoni, sikur Shën Tereza të ishte të ishte serbe, sot më siguri fqinjët do kishin krijuar një qytet me emrin e saj, busti i Shen Terezës do ishte ngritur madhështor në mes të Beogradit dhe qeveria serbe do kishte financuar një film në Holliwood për historinë e saj.

Mendoni sikur Shën Tereza të ishte greke, bustin me siguri do ja kishin bërë pranë Akropolit.
Ndërkohë ne si gjithmonë, vijojmë të kemi turp për ato gjëra për të cilat duhet të krenohemi, e mburremi, për ato vlera për të cilat duhet të na vijë marre.

Kartëmonedhat shqiptare mbajnë firma guvernatorësh, që historia do t’i njohë si hajdutë me çizme, por nuk ka asnjë kartëmonedhë më figurën e Shën Terezës.

Në librat shkollor thuhet se Shën Tereza është nga Shkupi, por nuk thuhet se Shkupi është qytet në Iliridë, tokë shqiptare që kur njeriu u shfaq në këtë planet.

Kështu si po punojmë, do të vijë dita kur shqiptarët do të njohin Ertugrulin si Hero Kombëtar të Shqipërisë dhe Shën Terezën si indiane me origjinë nga Maqedonia.