Eliza Hoxha me ekspozitë personale në Galerinë e arteve në Tetovë


Numri 1622, simbolikë e atyre jëtëve që ende nuk janë gjetur, edhepse kaluan dekada, dhimbja e atyre familjeve mbetet e njejtë. Eliza Hoxha me një ekspozitë personale, titulluar ”1622” para artëdashësve tetovarë solli përmes fotografisë atë pamje të dhimbshme, fotografi të bëra nga gjetjet e nxjerrura në varrezat masive. Kjo temë e ka preokupuar artisten dhe ka punuar një kohë të gjatë me një përkushtim të madh në forma të ndryshme.

Një ekspozitë me tematikë pak më ndryshe. Drama rreth të zhdukurve ose të pagjeturve gjatë luftës në Kosovë ishte tema e ekspozitës së fotografive dhe prezantimit artistik të arkitektes së njohur nga Kosova, Eliza Hoxha. Kjo ekspozitë, e titulluar “1622”, sipas numrit të të pagjeturve deri sot nga tragjedia kosovare, nëpërmes gjësendeve të zbuluara nga varrezat masive, figurave, portreteve dhe muraleve, si metaforë na solli para nesh edhe një herë atë dimension tragjik dhe humanitar të eksodit kosovar.

Ekspozitë me një simbolikë
“Këta perosna ende janë numra, nuk dihen se kush janë përveç familjarëve të tyre, për të zhdukurit zakonisht flitet në aspektin e numrit, për të treguar se në çka kalojnë familjarët deri në identifikimin e tyre, apo deri në krijimin e një numri deri në emër, është një emocion që ata i kthehen saherë që dëgjojnë për ndonjë varrezë masive, ata çdo herë kalojnë nëpër të njejtin proces emocional”-theksoi mes tjerash Eliza Hoxha. Sipas saj këto foto janë bërë në vitin 2000, po në këtë ekspozitë për herë të parë prezentohen në Tetovë, janë foto të realizuara nga dy varreza masive, janë gjëra të gjetura nga ato varreza.

“Është një emocion peng, emocion i pritjes për këta familjarë, që këto numra të shndërrohen në emra e të kenë një vend në hapësirat e varrezave, të kenë një adresë, të kenë një pikë se ku prehen të qetë”-përmbylli fjalimin e saj Eliza Hoxha.
Ilir Kurtishi, drejtor i Galerisë së Arteve në Tetovë theksoi se është një nder i veçantë për këtë institucion por edhe për Tetovën ardhja e kësaj ekspozite por edhe vetë artisten, që më afër të sjell këtë dhimbje e emocion të familjeve të personave të pa gjetur, pasi kjo dhimje është realizuar përmes një vepre artistike.

Thanë për ekspozitën
“Autorja, me një begraund të pasur të veprimit në shumë sfera, duke filluar nga pjesëmarrja në Bienalen e Venedikut e deri te botimi publicistik, madje edhe si anëtare e Parlamentit Kulturor Evropian, para artëdashësve tetovarë solli një emocion mbresëlënës me ç’rast përkujtoi se edhe vetë ka qenë refugjate këtu, prandaj vazhdon të trajtojë këtë problematikë me shumëdimensionalitetin e ve, një ekspozitë pak më ndryshe, që mban të ndezur kujtimet dhe brengat e familjeve të të zhdukurve. Pritja e tyre vazhdon”- u shpreh Behixhudin Shehapi gjatë vizitës së kësaj ekspozite artistike.

Poetja tetovare, Sadije Aliti, në vizitën e kësaj ekspozite, i’a dhuroi një komplet të botimeve të librave saj. Me këtë rast ajo theksoi, se:”Me admirim kam përcjellur rrugëtimin e suksesit të Eliza Hoxhës, shumë këngë të saj janë pjesë e koleksionit muzikor të preferuar, por edhe suksesi i saj në arenën e artit është i një rëndësie të veçantë. Puna e saj thekson një dashuri të madhe ndaj popullit, andaj edhe kontributi i dhënë është i madh, artistët janë ambasadorët më të mirë të kombit, andaj edhe profesionalizmi i saj është një ambasador i veçantë”.
Disa fjalë për Eliza Hoxhën

Eliza Hoxhës, publiku i’a ka dhuruar titullin e këngëtares, është shumë e pëlqyer nga artëdashësit për këngët dhe albumet e realizuara në karrierën e saj. Ndonëse një pjesë e publikut e njeh vetëm si këngëtare, ajo me profesion është arkitekte, dhe tash e disa vite ushtron profesionin e saj si ligjëruese në Fakultetin e Arkitekturës në Prishtinë. Artiste shumë dimensionale, arkitetke në proceset e planifikimit dhe zhvillimeve urbane, autore e librave, anëtare e parlamentit kulturor evropian. Ekspozita personale dhe kolektive në hapësirat shqiptare dhe jashtë saj, në Evropë e më gjërë.

Eliza Hoxha e lindur dhe e rritur në Mitrovicë, kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Prishtinë, është arkitekte me profesion, e diplomuar në vitin 2002 në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Univerzitetin e Prishtinës. Studimet e avansuara pasdiplomike i kreu në vitin 2006 në Univerzitetin Katolik të Luvenit, në Belgjikë, e fokusuar në fushën e planifikimit urban, studimet e doktorraturës në TU në Graz të Austrisë. Që nga viti 2003, është e angazhuar në Katedrën e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor pranë Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Univerzitetin e Prishtinës.

Përgjatë viteve 2007-2009 ishte e angazhuar si ligjëruese në fushën e urbanizmit në Fakultetin e Arkitekturës, pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës në Maqedoni. Midis tjerash, Hoxha është aktive në proceset e planifikimit dhe zhvillimeve urbane në projekte të ndryshme praktike nëpër komunat e Kosovës. Shumë shkrime e botime mbi kulturën urbane të botuara nëpër gazetat ditore si: Express, Koha Ditore, Lajm, dhe Zëri, nën kornizën “DITARI URBAN”, të botuara në librin “ Qyteti dhe dashuria”, i cili vjen si përmbledhje e kolumneve të lartëpërmendura.

Dhe pikërisht për këtë, për veprimtarinë e saj të suksesshme në profesionin si arkitekte në prill të vitit 2010 u nderua me çmimin për “Arkitekturë edukative dhe promovim të arkitekturës në Kosovë“ nga “Shoqëria e Arkitektëve të Kosovës“. Ndërkaq përkushtimi i saj për vendin është vënë në dukje edhe pas realizimit të disa projekteve që ajo i ka bërë për Prishtinën dhe për Kosovën. Tani është deputete në Parlamentin e Kosovës.

Simbolikë edhe me tituj të ekspozitave personale
Njerëzit e botës së artit dhe kulturës e njohin edhe nga sfondi i projekteve të saja muzikore, por edhe atyre të artit alternativ dhe fotografisë. Vlen të theksohet projekti i saj multimedial për personat e pagjetur në Kosovë me titull “ Për ata që s’janë” – ekspozitë personale në Galerinë e Arteve të Kosovës në prill të vitit 2007, dhe më pas në Gjirokastër- Shqipëri, gjegjësisht në vitin 2008. Gjithashtu, projekti multimedial me titull “bridging the two” i cili rrëfen Mitrovicën e pasluftës si pjesë e Biennales së Venecias në qershor 2009. Projekti multimedial i është kushtuar viktimave të mbijetuara të dhunës seksuale nga lufta e vitit 1999 në Kosovë – ekspozitë personale e mbajtur në Muzeun Kombëtar të Kosovës me 14 maj 2014, e titulluar “Heshtja e Kangës”.

Me një simbolikë edhe me tituj të ekspozitave personale, ku veçojmë disa: “Bëhu fytyra ime” kushtuar të mbijetuarve në Kosovë si dhe trajtimi i stigmës që rrethon dhunën seksuale gjatë luftës, ekspozita personale “Midis ëndrrës dhe realitetit”, ekspozita e titulluar “Heshtja e Kangës”, ekspozita “Give peace a chance-Jepi mundësi paqes”, ekspozita ‘Poetika e Hapësirës’, ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, Ekspozita me titull “ Për ata që s’janë”, e të tjera.

Simbolikë të titujve të këngëve të Eliza Hoxhës
Si një emër shumë i njohur në skenën e muzikës Shqiptare, Eliza Hoxha sa herë që ngjitet në skenë dhuron emocion të veçantë si me zërin ashtu edhe me imazhin e saj. Në 2003, Eliza Hoxha merr pjesë në VFM 2003 me këngët “Ti Po Shkon”, “Ende”, Nota Fest 2000 me këngën “Drejt Ardhmërisë”, në bashkëpunim me Memli Krasniqi,viti 2000 publikon albumin “No. 1”, në 2003 albumin “100% Eliza”. Në dhjetor 2004, merr pjesë në Zhurma Show 2004 me këngën “Bëhu më trim”, në 2006 merr pjesë në Festivali i 45-të në RTSH me këngën “Hajde Sonte”, në 2007 publikon videoklipin “Për ata që s’janë”, në 2008 merr pjesë në VFM 2008 me këngët “Hajde Sonte” dhe “Për ata që s’janë”. Në 2008 merr pjesë në Kënga Magjike 2008 me këngën “Shko”, në 2009 merr pjesë në Top Fest 6 me këngën “Dëshpërimi”.

Në 2010 merr pjesë në Netët e Klipit Shqiptar 9 me këngën “Dëshpërimi”, në 2009 publikon videoklipin “Homazhe për Prishtinën”. Në nëntor 2009, Eliza Hoxha & Rosela Gjylbegu marrin pjesë në Kënga Magjike 2009 me këngën “Rruga e Zemrës”. Në 2009 publikon videoklipin “Sonte”, në 2009 Pirro Çako, Eliza Hoxha & Rosela Gjylbegu marrin pjesë në Festivali i 48-të në RTSH me këngën “Një tjetër jetë”, në 2010 publikon videoklipin “E dua këtë vend”, në 2011 publikon videoklipin “Të dua veç Ty”, në 2011 merr pjesë në Top Fest 8 me këngën “Përballë Vetvetes”, në 2011 publikon videoklipin “Nuk mundesh”, në 2011 publikon videoklipin “Un jam si Ti”, në bashkëpunim me Etnon, në 2012 publikon videoklipin “Himni Im”, në 2012 publikon videoklipin “E Ardhmja Jemi Ne”. Në 2012 merr pjesë në Kënga Magjike 2012 me këngën “Mbetem”.

Në 2013 publikon videoklipin “Vendi Im”, në 2014 publikon videoklipin “Heshtja e Kangës”. Në 2014, Kosovas Philanthropists publikon videoklipin “Hand To Hand”, në 2016 publikon videoklipin “Ecjen Ti Vazhdo” në 2016 merr pjesë në Kënga Magjike 2016 me këngën “Vendi Im”, në 2018, merr pjesë në Festivali i 57-të në Rtsh me këngën “Peng”. Një dashuri e mbetur peng e shkruar në nota e vargje nga vetë Eliza Hoxha.

Baby Boo