Elhamdulillah apo Hallellujah për futbollin


Sikur në një fletore hartimi, ai, na i korrigjon të gjitha gabimet në rrjete sociale, portale e madje edhe fjalën e folur. Me cilën fjalë apo gjest e kemi dëmtuar, kombin?

Ai dhe katër patriotë të tjerë cilët luajnë për një kombëtare të huaj, për aq sa është e huaj Zvicra për shqiptarët janë “sebepi”, dhe ky shkrim merr krah për të shpjeguar mllefin e një autori të patakt apo atë të kundërshtarëve të tij ideologjik, për të cilët gjithçka që nuk flet arabisht nuk është as shqip. Pra, elhamdulillah apo hallelujah, në cilën gjuhë duhet lëvduar Zoti, që na e fali futbollin?

Edhe në këtë rrëfim të sotëm, skajet e litarit tunden nga vëllezër të armiqësuar, të zhveshur nga identiteti i vet burimor, dhe të veshur me rroba të larme ideologjike: hallellujah apo elhamdulillah?

Njerëzit tanë, nga Kosova, nuk kanë shumë gjasa të shpalosin talentin e tyre, pa ikur nga këtu. Kjo dëshmon për një vend të varfër i cili qytetarëve të vet u krijon fare pak mundësi për të kapur majat globale, apo kontinentale, përpos ndoshta majat e plehut të lagjes për të promovuar agjendat transite, të cilat në kafenetë dhe portalet e lagjes tonë ballkanike marrin formë nga më të përçudnuarat. Çdo fjalë e bashkatdhetarëve të famshëm merr karakter të grindjeve në lagjen tonë, nga e cila ata kanë ikur dikur.

Ndoshta si askund të botë, zotat luftojnë në mes vete ndër shqiptarët. Deri vonë jetonin në paqe, por me paraqitjen e rrjeteve sociale dhe portaleve, lufta u bë tinëzake. Mund të jesh në gjumë dhe kur të zgjohesh e kupton se je thellë në luftën që ka nisur dikush, kushedi në cilin kontinent. Dikush të ka sharë Zotin, dhe ti duhet me i dalë zot, Zotit tënd.

Padyshim, të besosh në Zot nuk është çështje marrëzie apo mençurie. Nuk është marrëzi, as mençuri , vetvetiu, as të mos besosh në Zot. Njerëzimi nuk ka ende përgjigje definitive në pyetjet më esenciale rreth natyrës së njeriut, origjinës së tij. Në kohën e inkuizicionit, civilizimi perëndimor mendonte se e kishte përgjigjen dhe kushdo që dyshonte në zotin e gozhduar në kryq, digjej në furrë të druve. Pastaj erdhi Renesanca.

Shumë më vonë, pasi civilizimi perëndimor e kishte çliruar mendjen dhe gjuhën, shkencëtarët erdhën në përfundim se e kanë përgjigjen definitive për njeriun, dhe Zotin. Njeriu ekziston, thanë ata. Deri këtu ka ardhur përmes evolucionit, ndërsa Zoti nuk ekziston – ky ishte përfundimi shkencor. Kush mendonte ndryshe, internohej ose pushkatohej. Zoti ishte armik dhe,. për herë të parë, sidomos ndër shqiptarët, u barazuan besimet. U mohuan tërësisht. U ndaluan.

Por, as socializmi, as revolucioni, nuk dhanë përgjigje në pyetjet esenciale nga fillimi. Debati shterp për origjinën e njeriut nga majmuni, shtrinte pyetjen edhe më tej, pra prej nga e ka origjinën majmuni? Në fakt, kah e kanë origjinën, llojet?

Shqiptarët autoktonë nuk arritën të formojnë një besim të vetin, monoteist. Përgjatë historisë së vet, përqafuan besime të ndryshme, kryesisht pasi kishin qenë të pushtuar për disa qindra vjet nga secili, dhe kishin pranuar besimin e tyre. I vetmi debat që mund të bëhet është: cili pushtues ishte më i dobishëm, cili ishte më i butë. Debati për të kaluarën zhvillohet duke marrë në konsideratë interesat e sotme.

Ideja nacionale shqiptare synonte që me Zotin të fliste shqip. Por, projektin nacional shqiptar e zuri në mes të rrugës “përplasja e civilizimeve” në Ballkan e nëpërmes Ballkanit, sa që në rrethanat e acarimit të madh me vështirësi po arrihet të ruhet fryma e Rilindjes. Vaso Pashë Shkodrani ishte larg të qënit ateist dhe mohues i fesë, por gjithsesi në rrethanat kur civilizimi shqiptar ishte në udhëkryq, nën synimet për të hapur luftë civile brenda shqiptarëve, për interesa nga më të ndryshmet, ai e shihte nacionalizmin si të vetmen dalje nga rreziku. Shqiptarët, pa dallim feje, duhej të punonin për kombin, e kjo dukej të ishte ideja e tij dhe e rilindësve të tjerë, dhe ishte krejtësisht legjitime për kohën .

Derisa civilizimi perëndimor çështjen e besimit e trajton tashmë si çështje private të individit, në vendet e Afrikës dhe Azisë, të besimit mysliman, po zhvillohet një proces i kundërt, i ringjalljes, gati i natyrës së inkuizicionit – i konceptuar si revolucion popullor, ku çlirimi dhe mëvetësia e këtyre vendeve shihet nëpërmes një identifikimi të fuqishëm me fenë dhe me një rregullim shoqëror të konceptuar në Sheriat, i cili krahasuar me nivelin e lirive dhe të drejtave fituar në qytetërimin perëndimor, duket shumë restriktiv dhe i vështirë për t’u jetuar. Në fakt, asnjëherë, asnjë rrobë ideologjike nuk na binte për masë, por as që na kanë pyetur ndonjëherë.

Pra, një lojtar futbolli falënderon Totin për golin e shënuar dhe rrjetet sociale vlojnë. Politika që jeton nga klikimet alarmohet. “Kjo e dëmton çështjen”, thanë ata. Krejt kjo, papritmas, shndërrohet në provokim politik dhe në problem ndër shqiptarë. Bënë të thuhet hallelujah, por jo elhamdulillah, thonë disa autorë shkrimesh, të bindur se po e mbrojnë kombin. “E çka ju desh”, thonë të tjerët!

Është futbolli lojë e djallit apo e Zotit? Futbollistët dhe publiku bëjnë kryq apo bien shahadet…! Sido që të jetë, është biznes, megabiznes, madje. Nga futbolli përfitojnë të gjitha agjendat, përfitojnë të gjithë: politika, prostitucioni… të gjithë, bre!

Hallelujah, elhamdulillah apo thjesht faleminderit o Zot për futbollin që na e fale. Çka kishim ba ne pa futboll, në këtë parajsë të quajtur Kosovë? Kanë mbetur edhe pushimet, dhe skena ringjallet prapë. Ramazani, futbolli, pushimet…! Politika do të flejë dathë, deri në vjeshtë…!

Elhamdulillah! Hallellujah!

Baby Boo