‘El Clasico’, sonte përplasja e 238-të e gjigantëve të Spanjës


Sfida “El Clasico” mes Barcelonës dhe Realit të Madridit është gjithnjë një përballje që dhuron emocione dhe spektakël. Kjo gjë nuk do të ndryshojë këtë mbrëmje në tempullin e skuadrës katalanase Camp Nou.
Sfida mes Barcelonës dhe Realit konsiderohet edhe si përplasja e titanëve të futbollit spanjoll e atij evropian dhe këtë mbrëmje e gjithë bota do të mbajë frymën para saj.

“El Clasico” do të ndiqet prej më shumë se 500 milionë personave dhe do të transmetohet në 192 vende te botës. Sfida e sotme do të jetë e Andres Iniestës. Kapiteni i Barcelonës, pas 22 vitesh do të lërë skuadrën kampione të Spanjës dhe kjo do të jetë “El Clasico” i tij i fundit.

Barcelona do të kërkojë që me këtë ndeshje të mbajë gjallë shpresat për të mbyllur kampionatin pa asnjë disfatë për herë të parë në historinë e saj. Në krahun tjetër Reali i Madridit vjen në Camp Nou për të ruajtur pathyeshmërinë e tij në këtë impiant ndaj rivalëve historikë, diçka që zgjat prej 3 vitesh.

Kjo e kësaj mbrëmje do të jetë përballja e 238 mes Barcelonës dhe Realit të Madridit. Në 237 sfidat e mëparshme skuadra merenges ka një avantazh të lehtë me 95 fitore kundrejt 93 të katalanasve, ndërsa 49 ndeshje në barazim.
Përsa u përket ndeshjeve në Camp Nou, bilanci anon nga katalanasit me 43 fitore kundrejt 20 të Los Blancos e 19 barazime. Në total, Barcelona dhe Reali i Madridit kanë shënuar 786 gola në “El Clasico”, 399 madrilenët e 387
Barcelona.

Sot Reali i Madridit do të kërkojë të arrijë në 400 gola për t’u bërë i pari ekip që e arrin këtë shifër kundër katalanasve në 119 vjet histori./TCH/

Baby Boo