Ekspertët shëndetësorë rekomandojnë dozën e katërt anti-COVID: Mbyllja s’është opsion


Marrja edhe e dozës së katëry të vaksinës anti-COVID po vlerësohet si masë preventive kundër përhapjes së virusit, pas rritjes së numrit të rasteve ditëve të fundit.

Këtë rekomandim të ministrisë po e përkrahin edhe profesionistët shëndetësorë, por që konsiderojnë se mbyllja nuk është opsion.

Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, theksoi se situata epidemiologjike nuk është shqetësuese që të shkohet drejt mbylljes. Por kur flet për pasojat e pandemisë, Vishaj tha se ato janë afatgjate e po dëmtohen sidomos mushkëritë.

“Për momentin kemi mjaftueshëm barna esenciale për trajtimin e pacientëve me COVID. Rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik duhet të respektohen nga të gjithë ne. Vendimet e Qeverisë duhet t’i zbatojmë në përpikëri të gjithë ne. Unë nuk mendoj që mbyllja është opsion dhe nuk mendoj që situata epidemiologjike për momentin është e tillë, që të ketë mbyllje”.

“Duket se COVID-i lë pasoja sidomos në mushkëri, por edhe në organe të tjera. Kjo gjendja post Covid mund të zgjasë dy muaj, tre muaj nganjëherë edhe me vjet. Dhe padyshim që COVID-i lë pasoja serioze dhe të rënda në shëndetin e përgjithshëm të pacientëve”, tha Vishaj.

Përderisa infektologu, Ilir Tolaj, ka rekomanduar që çdokush që ka vullnet, të vaksinohet me dozën e katër.

“Autoritet botërore po rekomandojnë që të vaksinohen personat e grupmoshave të caktuara mbi 60 vjeç ose ato me sëmundje kronike edhe me dozën e katërt. Prandaj rekomandimi im është që çdokush që ka vullnet për ta shtuar imunitetin e vet, të vaksinohet edhe me dozën e katërt”.

Autoritet e vendit kanë vepruar shpeshherë në mënyrë jo të logjikshme sa i përket menaxhimit të pandemisë, shto këtu faktin se kjo është rezultat i vendimeve të gabuara për 20 vjet qeverisje, tha ai

“Edhe këtu nuk pres që autoritet do të jenë të detyruar që të marrin masa drastike. Autoritet e vendit tonë, shpeshherë kanë vepruar në mënyrë jo të logjikshme në mënyrë të panikut. Prandaj ndoshta edhe mund të bëjmë diçka të tillë. COVID-i tashmë është shndërruar në sëmundje endemike. Kjo është rezultat i vendimeve të gabuara për 20 vjet”.

“Kjo punë nuk mund të kryhet as me ndonjë veprim të shpejt e as nuk mund të ndërpritet në mënyrë të plotë. Këta persona të cilët e kanë sjellë këtë situatë në këtë shkallë, tashmë japin leksione se si do të duhet të zgjidhet ose të derdhin lot krokodili se Kosova po mbetet pa mjekë”, tha Tolaj.

Ministria e Shëndetësisë ditë më parë ka rekomanduar që personat e moshës mbi 60 vjec të vaksinohen me dozën e katër të vaksinës.

Baby Boo