fbpx

Ekskluzive: Ligji i gjuhëve gjatë javës publikohet në Gazetën Zyrtare

Një vit pas miratimit të tij në Kuvend, ligji për përdorimin e gjuhëve më në fund pritet të fuqizohet, duke u shpallur në Gazetën Zyrtare edhe pa nënshkrimin e Presidentit Gjorge Ivanov. Këtë e bëri të ditur ekskluzivisht për Alsat zv.kryeministri Bujar Osmani duke theksuar se do të respektohen procedurat ligjore.

Ishte një rastësi e mirë që në të njëjtën datë, më 11 janar u miratua ligji për përdorimin e gjuhëve, më 11 janar edhe ndryshimet kushtetuese. Por ajo që është edhe më e bukur, është se presim që javën e ardhshme, kryetari i parlamentit të zyrtarizojë ligjin për përdorimin e gjuhëve, krejtësisht kjo në kuadër të ligjit dhe kushtetutës me çka edhe fillon zbatimi zyrtar i shqipes në institucionet qendrore, në tërë vertikalen e institucioneve shtetërore. Natyrisht këtu fillojnë edhe sfidat ëpr një zbatim të saktë, gjithpërfshirës dhe zbatim të një gjuhe standarde”- pohoi Bujar Osmani, zv.kryeministër për Çështje Evropiane.

Nga kabineti i kreut të Kuvendit Talat Xhaferi nuk arritëm të sigurojmë një përgjigje, megjtihatë Xhaferi në vazhdimësi kishte paralajmëruar publikimin në Gazetën Zyrtare të ligjit për gjuhët dhe ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, edhe pse presidenti Gjorge Ivanov ka refuzuar t’i dekretojë.

Unë ju kam thënë që unë nuk vuaj nga afatet për faktin që nuk jam i ngushtuar nga afatet dhe është çështje e vlerësimit tim se kur është momenti për me e nënshkruar dhe me dërguar ligjin për gjuhët së bashku me ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë në Gazetën zyrtare”- pohoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Ligji për gjuhët u miratua më 11 janar të vitit të kaluar në situatë të tensionuar mes deputetëve. Pas votimit në lexim të dytë me 69 vota për, Ivanovi nuk e dekretoi me arsyetimin se i ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se është sjellë  në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Sipas procedurës, ligji u kthye për rivotim në institucionin ligjvënës. Në lexim të tretë, ai përsëri mori miratimin e shumicës së deputetëve. Pavarësisht kësaj, Ivanovi ka vazhduar të mos e nënshkruaj Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Përmbajtjet që i merr PaCensurë nga burime tjera nuk i nënshtrohen licencës Creative Commons 1.0, e cila përndryshe është e zakonshme, për përmbajtjet të cilat i plason kjo platformë mediatike. Ju lutemi, konsultohuni me buruesit për marrje të përmbajtjeve të tilla.

Pa Censurë botohet në www.pacensure.com dhe mund të merren në tërësi, sipas licencës Creative Commons 4.0.