Ekonomi tregu në letër, por jo edhe në praktikë


Akoma nuk kemi një ekonomi të fuqishme dhe konkurruese që do të hapë vende të reja dhe mirë ta paguara të punës. Kjo ka bërë që të rinjtë të rendin të punësohen në punë shteti

Shkup, 4 mars – Maqedonia, edhe pas një çerek shekulli të pavarësisë, akoma nuk ka ndërtuar një ekonomi tërësisht funksionale të tregut. Edhe pse gjatë viteve të kaluara janë arritur rezultate në fusha të ndryshme të stabilitetit makroekonomik, apo kursit stabil të denarit dhe inflacionin nën kontroll, hyrjes dhe daljes së lirë nga tregu, sektorit të zhvilluar financiar, megjithatë sundimi i së drejtës dhe përzierja e tepër e shtetit në ekonomi dhe biznes, ndonëse ndonjëherë më qëllimet më të mira, megjithatë lë për të dëshiruar, shkruan gazeta KOHA. Fakti se shteti akoma është punëdhënësi dhe kontraktuesi më i madh, se në një pjesë të ekonomisë kemi monopole apo edhe oligopole të heshtura, flet se akoma kemi shumë punë për të krijuar një ekonomi të denjë që mund të përballet me konkurrencën e ashpër në Bashkimin Evropian. Me fjalë tjera, akoma nuk kemi një ekonomi të fuqishme dhe konkurruese që do të hapë vende të reja dhe mirë ta paguara të punës, në vend se qytetarët të rendin të punësohen në punë shteti.

Analiza e revistës “Kapital” tregon se ekonomia vendore vuan nga pagesat akoma të larta të firmave dhe qytetarëve për shërbime dhe prodhime cilësore, kreditim të vështirë për bizneset, harxhime të mëdha për udhëheqjen e biznesit, burokracinë që shpesh ngulfat sipërmarrjen .

Profesori universitetar Marjan Petreski, thotë se ndoshta në letër apo de jure, ne edhe kemi ekonomi të tregut, mirëpo në praktikë apo de fakto – është mjaft vështirë të thuhet se kemi një ekonomi tërësisht funksionale të tregut.

“Nëse ekonominë e tregut e kuptojmë më gjerë se një treg i lirë ,në kuptimin e lirisë të bëhesh sipërmarrës, të investosh dhe realizosh lirshëm profit, atëherë ne de jure kemi ekonomi të tregut. Mirëpo nuk jam i sigurt se sa de fakto kemi arritur të ndërtojmë një ekonomi tregu. Një gjë e tillë ishte e komprometuar edhe nga bindja se nuk duhet të hyjmë në rrezik, duhet të pritet dhe jo të kërkohet, më mirë është të punësohet në administratën shtetërore… Nga ana tjetër, edhe roli i shtetit është adaptuar ndaj një mendimi të tillë, ku akoma shteti është punëdhënësi më atraktiv, akoma kemi përzierje të shtetit në ekonominë e tregut përmes subvencioneve të ndryshme, vetëm shteti financon inovacione dhe biznese start ap dhe të ngjashme. Me këtë rast, është vështirë të thuhet se e bën një gjë të tillë shteti për të kontrolluar ekonominë e tregut, apo thjesht pozicionohet në hapësirën ku mungon iniciativa e tregut. Shumica në Maqedoni do të vlerësonin se kemi të bëjmë me vlerësimin e dytë”, vlerëson Petreski.

Një dobësi tjetër e ekonomisë vendore, është edhe fakti se pagat janë më të larta në administratën shtetërore në raport me sektorin privat. Jo zyrtarisht në administratën publike në shtet janë të punësuar afër 170 mijë njerëz për çka në vit ndahen mbi 400 milionë euro, apo mbi 15 për qind e buxhetit të shtetit. Gjithashtu, edhe jo efikasiteti dhe kostoja e shtrenjtë e administratës publike është ngarkesë e madhe për buxhetin dhe qytetarët, që shpesh fitojnë shërbime jo të mira.

“Të punësuarit në sektorin privat në Maqedoni mbajnë në shpinë edhe 265 mijë të papunë dhe afër 300 mijë pensionistë. Thjesht thënë, çdo i punësuar në sektorin privat mban edhe një pensionist dhe gjysmë administrator. Nga ana tjetër, të punësuarit në sektorin privat kanë pagë mesatare prej 21 mijë denarë, apo 18.5 për qind më të vogël se paga mesatare në administratën publike. Andaj shtrohet çështja se kush kujt i shërben në këtë rast”, thotë Biljana Acevska, konsulente dhe këshilltare për investime.

Në ndërkohë, analiza e “Kapital”, numëron edhe më shumë shkaqe të ngecjes së Maqedonisë të krijojë në ekonomi funksionale të tregut.

Privatizimi në Maqedoni u realizua me privatizimin më të madh të firmave shoqërore , përmes blerjes menaxheriale, apo privatizimit nga drejtorët e asaj kohe që pa paguar para reale, por përmes kredive të bankave për të cilat firmat u vendosën nën hipotekë u bënë pronar të kapitalit. Njëherazi kapacitetet e mëdha u privatizuan dhe shpërndanë kapacitete e tyre në firma të veçanta , me çka që në fillim u shkatërrua konkurrenca e tyre, për shkak se parashikohej që ato të punojnë një proces të Rrumbullakësuar prodhues. Firma të tilla shpesh kanë arritur që me ndikim politik të ndalin dhe përkufizojnë konkurrencën dhe hyrjen në treg të firmave të tjera.

Njëherazi edhe menaxhimi me ndërmarrjet publike vite me radhë paraqet problem të madh për ekonominë e shtetit. Ato shpesh prodhojnë humbje që u mbulon shteti, kanë mbi punësim.

“Firmat në pronësi të shtetit, edhe sot e kësaj dite paraqesin një lloj oaze të socializmit ku ndërmarrjet publike funksionojnë ose si monopole artificiale, apo paraqesin konkurrencë jolojale për alternativat private”, thotë konsulentja Açevska.

Shpesh, ato me jo efikasitetin e tyre paraqesin edhe harxhim të madh për ekonominë reale, për shkak se prodhimet dhe shërbimet e tyre jo që janë të shtrenjta, por janë edhe jo cilësore. Mbrojtja e pronësisë private dhe të drejtave të pronësisë paraqet shtyllën e çdo ekonomie të zhvilluar, e cila sjell edhe rritje ekonomike, investime…

Gjyqësori joefikas në vend, sjell pasiguri për investitorët privat, apo shpesh dëbon investitorët që planifikojnë të investojnë në Maqedoni. Problem tjetër që i takon kësaj fushe është edhe realizimi me sukses i marrëveshjeve të kontraktuara për shkak të sistemit të ngadalshëm gjyqësor që ndodh që edhe me vite të zgjidh problemet e kësaj natyre. Apo pritja shumë e gjatë që pala tjetër e biznesit të plotësoje dhe respektojë edhe me ligj, obligimet e ndërmarra, shkakton telashe të mëdha për kompanitë dhe dobëson konkurrencën e tyre në treg. Edhe pse në letër, tatimet për biznesin nuk janë të larta, megjithatë harxhimet e ndryshme para fiskale për kompanitë , apo pagesat që nuk janë tatime në shtet janë shumë të larta. Vonesa më e gjatë se 120 ditë e borxheve dhe obligimeve të ndryshme, paraqet problem tjetër për kompanitë dhe konkurrencën e tyre. Lartësia prej bile 30 për qind e aktiviteteve ekonomive që zhvillohen në ekonominë gri apo ekonominë informale, gjithashtu rëndon punën e biznesit tjetër që funksionon në kuadër të rrjedhave ligjore. Sfidë mbetet për të ulur ekonominë e zezë, të krijohet një sistem tatimor ku firmave më shumë do tu shpaguhet të bëjnë biznes legal në vend se të punojnë në të zezë. Kjo nënkupton edhe harxhime më të vogla për biznesin dhe kosto më të ulët për shtetit.

Çështje tjetër që pengon biznesin është edhe përzierja e shtetit përmes rregullimit të tepërt të gjërave, dhënia e tepërt e subvencioneve etj.

Nga odat ekonomike ankohen edhe për dhënien subvencione për investitorët e huaj, që punësojnë kuadro të gatshme nga kompanitë vendore në vend se të zhvillojnë kuadrin e tyre . Një hap i tillë dëmton konkurrencën në treg, ankohen anëtaret e odave ekonomike. (koha.mk)

Baby Boo