Edison Harizaj, një emër i njohur për policinë


Edison Harizaj, një emër i njohur për policinë si i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda të ndodhura në qytetin e Vlorës u ekzekutua në një atentat të tipit mafioz mbrëmjen e së martës në lagjen 13 të Durrësit.

39-vjeçari ishte duke udhëtuar me një automjet luksoz tip “Audi A8” së bashku me një mikun e tij kur u ka prerë rrugën një tjetër makinë.

Në drejtim të tyre është derdhur një breshëri plumbash duke bërë që Harizaj të humbë jetën në vend, ndërsa ka mbetur i plagosur Genci Caca, 33-vjeç edhe ky banues në Vlorë i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve të spitalit të Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë për jetën.

Vetëm 4 kilometra larg vendit të atentatit, në Shën Vlash është gjetur më pas nga policia ky automjet i djegur i cili dyshohet se u përdor nga autorët.

Banori: Ishte zhurmë shumë trishtuese sepse nuk dëgjohen zhurma të atilla. Mendova se mund të shpërthejnë mina, absolutisht që nuk e mendova ashtu. Vetëm që fëmija dhe gruaja u trembën shumë.

Janë shoqëruar disa persona që po merren në pyetje, por ende nuk ka ndonjë të dyshuar si autor i ekzekutimit. Në vendin ku ndodhi atentati nuk ka pasur kamera sigurie dhe mungonte ndriçimi gjë që ka vështirësuar punën e hetuesve për zbardhjen e ngjarjes. Ende nuk dihet motivi i krimit të rëndë, por hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një përplasje mes grupeve kriminale.

Edison Harizaj është vënë nën hetim për disa vrasje të ndodhur ndër vite në Vlorë që janë ende të pa zbardhura. 39-vjeçari është hetuar edhe për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë në 2011, por nuk u gjetën prova. Viktima njihet edhe si mik i Emiljano Shullazit, pasi në 2010 janë arrestuar të dy në Shëngjin për armë mbajtje pa leje. Po kështu Harizaj rezulton i dënuar si bashkëpunëtor në një vrasje të kryer në vitin 1999-të.

Baby Boo