Edicioni i 21-të i Panairit të Librit në Ulqin


Në Ulqin u hap edicioni i 21 i Panairit të Librit, ku po marrin pjesë mbi 70 shtëpi botuese nga rajoni.

Panairi i Ulqinit cilësohet si ngjarje e rëndësishme kulturore, ku në kuadër të verës turistike, të gjithë bëhen bashkë rreth librit.

Panairi i Librit zgjat 5 ditë i shoqëruar me aktivitete të shumta kushtuar librit, autorëve, përkthyesve dhe ndarjen e çmimeve letrare.

Me pjesëmarrjen e mbi 70 shtëpive botuese nga rajoni, në Ulqin u hap Panairi i Librit.

Kjo festë e librit zhvillohet në bregdetin e Ulqinit në kuadër të verës turistike me vizitorë dhe adhurues të librit nga e gjithë bota.

Botuesja dhe organizatorja e këtij panairi, zonja Irena Toçi tha se ky panair u mundëson qytetarëve të Ulqinit të prekin librat e rinj që botohen në rajon.

“Ekzistenca e këtij panairi i jep qytetarëve të Ulqinit mundësinë për të prekur më afër qindra libra të rinj që botohen gjatë vitit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut apo edhe këtu në Mal të Zi dhe t’i konsumojë pasi ka më shumë kohë çdo kush që është në pushime dhe t’i marrë ato me vete në qytetin e tij atje ku jeton. Këtu është një mundësi e artë sidomos për shqiptarët e diasporës qofshin ata shqiptarë të Kosovës apo të Malit të Zi që vijnë enkas për të pushuar në detin e Ulqinit”, tha zonja Toçi.

Edhe kryetari i Organizatës Turistike të Ulqinit, i cili njëherësh është edhe bashkëorganizator i panairit, z. Gëzim Hajdinaga e vlerësoi mbajtjen e këtij panairi për traditën e bashkëpunimit ndërkulturor në rajon.

“Ulqini me librin nuk mbetet vetëm ofertues i detit, ditëve me diell dhe turizmit, por është edhe ofertues i kulturës përmes librit. Ne kemi arritur të bashkojmë edhe burrështetasit sikur ishin presidenti Moisiu, Mejdani, Topi dhe presidenti i Malit të Zi, Vujanoviq, por do të theksoja edhe qindra ministra të tjerë, të cilët këtu në Ulqin, në këtë vend pa kompleks dhe në një vend kosmopolit kanë hedhur idetë e bashkëpunimit”, tha zoti Hajdinaga.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, z. Omer Bajraktari vlerëson organizimin e panairit të Librit, i cili qytetin e Ulqinit e shndërron në një qendër kulturore rajonale.

“ Komuna e Ulqinit me vëmendje të posaçme do të përkrahë ngjarjet kulturore. Në të ardhmen do ta rrisim buxhetin për manifestime kulturore. Sot Komuna e Ulqinit e ka themeluar edhe dikasterin për kulturë, ku me këtë japim një mesazhe se kultura do të ketë vëmendjen e posaçme të pushtetit në Ulqin”, tha zoti Bajraktari.

Për botuesit e shumtë panairi paraqet një rast të veçantë për t’i hedhur në qarkullim të gjitha librat e rinj.

“Ka qenë një panair i rëndësishëm për Akademinë e Shkencave pasi në këtë panair kemi sjellë botimet më të fundit të akademisë. Janë botime të fushave të ndryshme të historisë, gjuhësisë, letërsisë dhe arkeologjisë. Janë këto botime me interes kombëtar gjë që iu nevojiten shumë edhe pushuesve që janë këtu në Ulqin, të cilët në përgjithësi janë nga diaspora”, tha menaxheri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, z. Nervin Demneri.

Panairi i Librit në Ulqin zgjat 5 ditë me aktivitete të shumta kushtuar librit, autorëve të karrierës, përkthyesve dhe ndarjes së çmimeve letrare.

Baby Boo