Edi Rama në emisionin italian: Nuk ështe revoltuar populli kundër meje por politika !


Kryeministri Edi Rama ka qenë mbrëmë i ftuar në emisionin “Porta a Porta” në Rai Uno me gazetarin Bruno Vespa. Rama foli për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke thënë se ndryshe nga vitet ’90 kur shqiptarët çonin dëshpërim në Itali, tani ka një marrëdhënie ekonomike solide, që kalon 2,6 miliardë eurot në vit.

“Italianët e parë nga ne, duken vetëm si shqiptarë të veshur me Versace”, tha Rama. Por Bruno Vespa replikoi duke thënë se ka njerëz që jetojnë shumë mirë, por edhe njerëz që jetojnë në skamje e prandaj ka protestues që kanë dalë në shesh.

“Kjo ndodh edhe në Itali. Por ajo që dua t’u them atyre që kanë parë këto imazhe dhe u janë kujtuar pamjet e Shqipërisë në vitet e kaluara, dua t’i them se nuk është një revoltë e popullit në shesh. Është një revoltë e pallatit të politikës. Ky stabilishment që u largua pesë vite e gjysmë më parë me 1 milionë vota, gjë që nuk kishte ndodhur në Shqipëri, nuk arrin të përtypë humbjen dhe si ballkanas të mirë ne nuk jemi në gjendje të përtypim humbjen”, është shprehur Rama. “Skenat janë të forta kur i sheh, por të gjithë atyre që duan të vijnë në Shqipëri, i siguroj se ajo ndodh vetëm në një perimetër të vogël prej 1 kilometri. Pas këtij perimetri, jeta vazhdon normalisht”, shtoi ai.

Bruno Vespa e pyeti se si është gjendja e drogës në Shqipëri “nga zero deri në “Kolumbi e Europës””, ndërsa Rama tha se nuk flitet keq për Shqipërinë në gjuhë të huaj. “Në vitin 2013 ishin 400 mijë hektarë me kanabis. Ndërsa në 2018 janë 0.8 hektarë, sipas burimeve të Guardia di Finanzës. Nuk duhet folur keq për Shqipërinë në një gjuhë të huaj”.
Në emision ishte ftuar edhe drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare. Ai tha se kjo që po ndodh në vendin tonë, është diçka që dëmton imazhin e Shqipërisë. “Ne kërkojmë të bëjmë pjesën tonë këtu jashtë vendit, ashtu sikundër presim që ata që janë brenda vendit të japin një sinjal të fortë botës. Vitet e fundit ka pasur rritje, por duhet t’ia tregojmë botës”, u shpreh Igli Tare.

Baby Boo