Edi Rama, mes artit dhe politikës: Nuk do të plakem keq


Edi Rama hapi në Berlin ekspozitën e tij të dytë personale, brenda një kohe të shkurtër në Gjermani. Kjo ka qenë një vizitë private e kryeministrit shqiptar, gjatë së cilës nuk është takuar me përfaqësues zyrtarë.

Intervista që ai dha për “Deutsche Welle”-n u fokusua fillimisht tek artisti brenda kreut të ekzekutivit shqiptar, për ta rikthyer më pas në kornizat e shtetarit.

“Politika këtu s’ka asnjë lidhje. Unë thjesht gjatë kohës së punës vizatoj, vizatoj gjatë takimeve, vizatoj gjatë telefonatave, gjatë momenteve të pushimeve dhe është një proces krejt i natyrshëm, ku dora ndjek njërin sy dhe njëri sy ndjek dorën, ndërkohë që vëmendja është e gjitha e përqëndruar te diskutimet, te puna, te vendimet për t’u marrë, te çështjet për t’u adresuar”, tha Rama.

Por, në simbiozën e tyre, te kryeministri-artist gjenden të gërshetuara bashkë të dyja këto anë të tij, ndaj pyetjet për politikën nuk u shmangën dot.

Interesit të gazetares për reagimin ndaj politikave të Angela Merkelit në Ballkan, Rama iu përgjigj duke treguar se, nuk ka arsye përse të ndihet i zhgënjyer.

“Merkel, – tha ai, – është një mike e vërtetë e popujve të të gjithë rajonit tonë, një udhëheqëse vizionare dhe jashtëzakonisht e qartë për të ardhmen”, tha kryeministri i Shqipërisë.

Ndërkohë është krijuar përshtypja se, kohët e fundit ka pasur një afrim më të madh të tij me Shtetet e Bashkuara. Rama sqaron se Amerika ka qenë e angazhuar dhe mbështetëse e Kosovës që në ditën 1, ashtu siç ka qenë dhe përkrahëse e palëkundur e zhvillimit të demokracisë në Shqipëri.

Gjatë intervistës u prek ndër të tjera edhe çështja e kufirit Kosovë-Serbi.

“Në këndvështrimin tim ka një proces të domosdoshëm dialogu, i cili duhet të finalizohet me një marrëveshje historike mes dy vendeve”, tha Rama.

“Për sa na takon neve, mbështesim çdo marrëveshje që ka pa ekuivok mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të BE-së”, ishte komenti i tij.

Në fund, intervista mbyllet me një rrëfim për veten.

“Nuk do të plakem keq, si disa që nuk ikin dot nga politika dhe që lemerisin kalamajtë e këmbëngulin për të qenë pjesë, ndërkohë që mund të bënin diçka shumë më fisnike në periudhën e fundit aktive të jetës”, u shpreh Rama.

Baby Boo