Edi Rama: Do të sjellim Grand Premium të Formula 1 brenda 2030-s


Kryeministri Edi Rama ishte këtë të diel në Elbasan ku vijoi fushatën për zgjedhjet vendore të 14 Majit. Ai u ndal tek investimi që po bëhet në këtë qytet për automotoparkun. Rama e konsideron këtë kantier shumë të rëndësishëm për vendin. Ai u shpreh se brenda 2030 aty do të organizohet një garë e Formula 1.

Ishim te kantieri që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë, për Shqipërinë e 2030, për rritjen e kuajve fuqi të ekonomisë sonë. Për krijimin e një platforme komplet të re mundësish ekonomike, mundësish punësimi për të çelur një hapësirë këtu në Shqipëri e cila është një hapësirë unike në Ballkan padiskutim, ku do të hapet rruga për aktivitete të mëdha ndërkombëtare në fushën e auto moto sportit dhe patjetër dhe për evente të mëdha muzikore etj. Besoj ju kujtohet që kur filluam të ndërtojmë stadiumin e ri në Tiranë se sa shumë fjalë kemi dëgjuar dhe sa shumë gjëra të rënda na janë thënë. E patë tek ai stadium ku u hap gropa në cilën ra foltorja brenda para ca ditësh, u tha që ishte stadiumi i lirisë. Kështu që fjalët i merr era, janë veprat që mbeten dhe ashtu sikundër askush nuk e ka imagjinuar që në Shqipëri ne do të sillnim një finale të kupave të Europës dhe e sollëm, mbajeni mend që ne do të sjellim Grand Premium e Formula 1 në Elbasan brenda vitit 2030. Që do të thotë kulmin e një industrie komplet të re dhe komplet tjetër të sportit që lidhet me 1 mijë gjëra të tjera dhe të gjitha gjërat lidhen pastaj me ekonominë. Nuk është fjala për një garë që ka një miliard shikues dhe sjell këtu në këtë zonë 100 mijë njerëz. Është fjala për një industri të tërë. Është fjala për garat e panumërta ndërkombëtare që mund të organizohen duke ndërtuar këtë cirkuit”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë nuk la pas ironinë me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Elbasan.

“Më shqetëson dhe kur janë të gjatë. Kur je i gjatë dhe bën nga këto nuk ke nga fshihesh. E shihni ju, ai i vogli i ‘zorrës qorre’, tak bam bam bam u ka rënë demokratëve u ka ngelur në dorë, duhet të çohen nga shtëpia të shkojnë ta votojnë. Do marrin fletën e votimit aty “Bashkë Fitojmë”, por me kë? Me të voglin e ‘zorrës qorre’. Kurse këta gjithë ai zdap, si puna ime, Luçi edhe del atje, vë dhe kollaren. Se këta mashtruesat e kanë kollaren pikë të dobët, vë dhe kollaren atje dhe me një ekran edhe një mashtrues tjetër nga Bari që flet për 400 milionë. Ne jemi ndryshe”, tha Rama.

Kryesocialisti përmendi edhe inceneratorin dhe u shpreh se qeveria e tij di t’i bëjë edhe investimet edhe ndëshkimet.

“Pati probleme? Po pati probleme. Pati njerëz që deshën me nxjerrë mjaltë nga plehrat? Po pati. Ata kanë punën e vet, por impianti është aty dhe Elbasani e ka ajrin të pastër. Kështu ndodh, nuk ke çfarë i bën, ama me ne është shumë e qartë kontrata. E dinë të gjithë ata që janë përgjegjës për firmën e anës sonë në kontratën me popullin. Kush lëviz nga kuadrati i ligjit, i arsyes, i të mirës, i shërbimit ndaj njerëzve, i sensit patriotik të punës se do mjaltë për ta çuar në shtëpi, atëherë sikëterrë, sikëterrë. Thonë që po shkojnë ministra në burg dhe këta duhen hequr. Pse? Që të vijnë ata që kur prokuroria nxirrte fletë arresti për personat përgjegjës i ruante me polici në vend që t’i çonte të arrestonte. Këtu kemi jetuar. Zorra qorre e mbajti në krye të Tatimeve një njeri që ishte me pranga në arrest shtëpie. Është e drejta e të pafajshmit. Po ata doni prapë ju? Ja ku na keni ne. Dimë ti bëjmë ne edhe investimet edhe ndëshkimet. Patjetër”, u shpreh Rama. /tvklan.al

Baby Boo