Edhe pesë të lënduar nga shpërthimi në Ferizaj dërgohen në QKUK


Edhe 5 persona janë dërguar sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas shpërthimit të një bombole të gazit në një restorant në Ferizaj. Për shkak të djegieve që kanë pësuar, këta pacientë janë referuar për kontrolle në QKUK. Mbi 40 persona janë lënduar dje nga shpërthimi i një bombole të gazit në një restorant në Ferizaj.

15 persona janë dërguar për trajtim shëndetësorë në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa 14 ishin shtrirë në Spitalin e Ferizajit. Drejtori i këtij spitali, Jeton Zeqiri, ka thënë për Express se sot në këtë spital kanë qenë të shtrirë 5 persona që janë lënduar nga shpërthimi i djeshëm. Pacientët tjerë që ishin duke u trajtuar në spital si pasojë e lëndimeve që kishin marrë, janë liruar për në shtëpi.

Ai ka deklaruar se këta 5 pacientë po ashtu janë dërguar për kontrolle në QKUK, derisa njëri edhe është ndalur për trajtim të mëtutjeshëm atje. “5 pacientë sot kanë qenë të shtrirë në Spitalin e Ferizajit. Të gjithë këta pacientë janë dërguar për trajtim në QKUK, për kontrolle te kirurgu plastik. Një nga pacientët është ndalur atje, ndërsa 4 pacientë do të kthehen në spital për trajtim”, ka deklaruar ai. Zeqiri ka theksuar se gjithë këta persona kanë pasur djegie për shkak të shpërthimit, andaj edhe u duhet trajtim mjekësor.

Ndërsa, drejtor i Klinikës së Anesteziologjisë në QKUK, Nehat Baftiu, ka dhënë informacione sot për gjendjen shëndetësore të 6 pacientëve, të cilët janë të shtrirë në mjekimin intensiv.
Ai ka thënë se një nga pacientët është në gjendje më të rëndë shëndetësore, pasi që ka pësuar 50 për qind djegie.

“6 pacientë janë të shtrirë në mjekimin intensiv qendror ndërsa një në mjekimin intensiv të Kardiokirurgjisë. Sot gjendja e tyre është më e mirë, por që komplikimet mund të ndodhin pas ditës së pestë. Pacientët janë në respiratorë. Një nga pacientët G.S është në gjendje më të rëndë se të tjerët pasi që ka 50 për qind djegie”, ka thënë ai. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësorë, po bëhen përgatitje që këta pacientë të dërgohen për shërim në Turqi.

Baby Boo