E shfrytëzuar si prostitutë dhe në luftë me vdekjen, shqiptarja i kërkon Salvinit nënshtetësinë italiane


Emigrantja shqiptare Alma Sejdini që prej shumë vitesh jeton në Leçe të Italisë, e ku të gjithë e njohin me emrin Adelina, në një apel mediatik i kërkon ministrit të brendshëm italian, Matteo Salvini, ta ndihmojë në marrjen e nënshtetësisë italiane.

Alma po kurohet nga një sëmundje mjaft e rëndë, kancer në gji, e leja e saj e qëndrimit skadon në tetor të 2019. Mosrinovimi i të drejtës për të qëndruar në Itali e bën të pamundur vazhdimin e kurës mjekësore prej 25 ciklesh kimioterapie që ajo po ndjek në spitalin San Matteo të Pavias.

Alma apo Adelina siç e njohin të gjithë në qytetin e saj Leçe, ka një histori jete të vështirë që shumë herë ka qenë në fokusin e medieve italiane. Për disa kohë ajo është shfrytëzuar të punojë si prostitutë nga një grup kriminal e mundi të denoncojë “padronët” e saj e të nisë një jetë të re në Itali.

Prej shumë vitesh Alma Sejdini, bashkëpunon me organizata e shoqata në ndihmë të vajzave e grave që detyrohen të punojnë prostituta në rrugë dhe është shndërruar në simbol të legalitetit e kurajos.

Pamundësia për të punuar për shkak të sëmundjes rrezikon që leja e saj e qëndrimit në Itali të mos rinovohet. Mungojnë vetëm 3 pika për të përmbushur praktikën e marrjes së nënshtetësisë italiane e për këtë emigrantja shqiptare me një apel publik i është drejtuar Ministrit të Brendshëm Matteo Salvini , të cilit i kërkon mirëkuptim.

“Mendoj se e meritoj këtë mirëkuptim, thotë ajo, Jetën time, dëshminë e vuajtjes time e kam vënë në shërbim të vajzave e femrave që shfrytëzohen duke punuar si prostituta në rrugë. Kam shpëtuar mjaft prej tyre, i kam dhuruar çfarë kam pasur. Kam botuar një libër me historinë time e të ardhurat e shitjes i kam dhuruar në bamirësi. Shteti italian më kishte premtuar mbrojtje e sot në momentin më të keq të jetës time, ndjehem e vetme”, deklaron ajo. Apelit të Almës i janë përgjigjur eksponentë politikë të Partisë Lidhja në Leçe, qyteti ku ajo jeton.

“Do e përcjellim rastin e saj pranë ministrit Salvini, e do të bëjmë të pamundurën që Alma të marrë nënshtetësinë italiane”, deklarojnë ata për mediat lokale.

Baby Boo