E rëndë: Burri në Drenas e bën bashkëshorten për spital, Policia i gjen armë në shtëpi


Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre. Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një familje në fshatin Kishnarekë të Drenasit, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se rasti u zbulua pasi viktima përfundoi në QKUK, si pasojë e lëndimeve që pësoi nga dhuna fizike që ushtroi bashkëshorti ndaj saj.

Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 52-vjeçare, e cila ka marrë trajtim mjekësor dhe më pas është njoftuar Policia lidhur me rastin.

Sipas dëshmisë së saj, gjithçka ka ndodhur pas një mosmarrëveshje mes tyre, që eskaloi në sulm fizik.

Si rezultat i raportimit të rastit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast i dyshuari i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet.

Burri i dyshuar për dhunë në familje posedonte edhe armë pa leje, e cila u sekuestrua pasi njësitet policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e tij.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Baby Boo