E nesërmja e panjohur për bizneset e vogla


Hapësira prej 100 metrash katrorë, e kafiterisë “Babel Café” në qendër, ka mbetur bosh që nga 13 marsi i këtij viti, kur edhe nisën së zbatuari masat emergjente për parandalimin e koronavirusit të ri.

E qeshura e përditshme e mysafirëve, zhurma e aparatit për bërjen e kafesë, tash janë zëvendësuar me një heshtje ankthi mbi të ardhmen e këtij biznesi, por edhe mijëra të tjerëve në mbarë vendin.

Shpat Hashani, pronar i kafiterisë “Babel Café” thotë se pa qarkullim ditor, paratë e gatshme nuk kryejnë punë, aq më tepër kur objekti në fjalë është me qira.

“Humbjet mujore janë më mijëra euro. Dëmi është shumë i madh sepse me qarkullim ditor ne mbulojmë shërbimet komunale, punëtorët dhe të gjitha shpenzimet tjera. Rezervat janë shumë të vogla, pasi gjithsecili biznes, dëshiron të bëjë renovime të ndryshme. Ne së fundmi kemi bërë një renovim shumë të madh në lokal. Po mundohemi të mbijetojmë, por e vështirë është edhe mbijetesa”, thotë zoti Hashani.

Foto nga Babel Cafe, para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.
Foto nga Babel Cafe, para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.
Në këtë kafiteri, kanë qenë të punësuar 10 persona, për pagat e të cilëve, Hashani ka aplikuar në Administratën Tatimore të Kosovës për kompensimin e pagave të punëtorëve.

Janë gjithsejtë 60,000 punëtorë, të cilët kanë bërë kërkesë për të përfituar nga Pakoja Emergjente Fiskale, e cila ka një vlerë prej 180 milionë eurosh. Pakon e ka miratuar Qeveria në detyrë e Kosovës, për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë.

Baby Boo