“E majta” paralajmëron padi kundër Zaevit


Partiа “E Majta” sot në Prokurorinë Themelore Publike parashtroi kallëzim penal kundër kryeministrit Zoran Zaev për shkelje të rendit kushtetues të shtetit. Sipas kësaj partie, me deklaratat e fundit zyrtare të Zaevit më 17 maj, për bisedimet, kryeministri i ka cenuar pozicionet negociuese të Maqedonisë dhe ka sjellë shtetin në pozicion të varur nga një shtet tjetër. Nga “E Majta” shtojnë se ekziston mundësia që ta zgjerojnë padinë edhe kundër disa personave tjerë, si për shembull shefin e diplomacisë, Nikolla Dimitrov, i cili, sipas tyre, haptazi ka pranuar se ai qëndron pas propozimit të këtillë nga pala maqedonase. Kërkuan që Zaevi të merret në pyetje dhe presin që Prokuroria të procedojë kallëzimin.

I menjëhershëm ishte reagimi i LSDM-së ku thuhet se E Majta u bë pjesë e rrymave retrograde dhe i ngjan së djathtës ekstreme. “Kryesia e së Majtës, me sjelljen e saj po bëhet pjesë e strukturave retrograde që veprojnë kundër interesave strategjike të qytetarëve dhe shtetit dhe njëherësh është më e zëshme madje edhe se Gruevski në synimin që Maqedonia të heqë dorë nga anëtarësimi në BE dhe NATO. E Majta, në mënyrë dëshpëruese tenton të faktorizohet duke prodhuar lajme të rrejshme, njëjtë si edhe VMRO-DPMNE-ja, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Baby Boo