E infektuara nga Gjilani ishte e punësuar në spitalin privat, sot testohen 20 kontakte të saj


Nga tetë rastet pozitive me Covid-19 që rezultuan dje në Kosovë, një rast është nga Komuna e Gjilanit. Bëhet fjalë për një vajzë 25 vjeçare, punonjëse shëndetësore në një spital privat në Prishtinë. Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli tha se sot do të testohen mbi 20 mostra që kanë qenë raste kontakti me personin e infektuar.

Tetë rastet e mbrëmshme në Kosovë që rezultuan pozitiv janë punonjës në një klinikë gjinekologjike në Prishtinë.

Komuna e Gjilanit dje shënoi një rast të ri pozitiv me koronavirus pas disa ditëve pa të infektuar me koronavirus.

Bëhet fjalë për një 25-vjeçare, punonjëse shëndetësore në një klinikë private në Prishtinë.

Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli tha se e infektuara është nga qyteti i Gjilanit dhe e njëjta është në vetizolim së bashku me familjen.

“Rasti pozitiv me Covid-19 është në vetizolim së bashku me familjen, mosha e saj është 25-vjeçare dhe është banuese në qytet”, ka thënë Ismajli për Gazetën Express.

Ai shtoi se rastet e kontaktit të të infektuarës janë identifikuar dhe sot do të testohen mbi 20 mostra për Covid-19

“Kemi filluar me marrjen e mostrave sot të listës A të kontaktit, besoj që do të jenë mbi 20 mostra të cilat janë kontakte të familjes së vajzës dhe një pjesë e kontakteve që ajo ka pasur”, tha Ismajli.

Nga 52 rastet në Komunën e Gjilanit, dy persona kanë vdekur, tre janë në vetizolim dhe të tjerët janë shëruar plotësisht.

Ndërkaq, dje IKSHPK testoi 177 mostra, 8 nga të cilat dolën pozitiv pas rënies së rasteve ditëve të kaluara.

Nga data 08 shkurt deri më 09 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 9.734 mostra të dyshimta për koronavirus dhe prej tyre pozitive rezultojnë 870 raste, me 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Nga numri i përgjithshëm i rasteve 653 persona janë shëruar nga Covid-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike pas 8 rasteve të shënuara mbrëmë ka bërë apel tek qytetarët që të vazhdojnë të mbajnë distancën fizike dhe mbajtjen e maskave.

IKSHPK’ja ka thënë po ashtu se lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkaq, Mikrobiologu Lul Raka ka deklaruar se zhdukja e tërësishme e koronavirusit mund të bëhet vetëm pasi të zbulohet vaksina, e që mund të zgjasë deri një vit.

Raka ka thënë se duhet të përgatitemi që të bashkëjetojmë me virusin por duke pasur kujdesin maksimal. Sipas tij, Kosova e ka fituar betejën kundër koronavirusit, por jo ende luftën.

“Pandemia mund të mundet kur të gjendet vaksina, e cila është e sigurt dhe është efikase dhe kur ka mundësi të prodhohet në mënyrë masive, sepse në qoftë se vjen deri në një vaksinë të tillë ajo merr një vit. Ne duhet të përgatitemi që të bashkëjetojmë me virusin por, duke pasur kujdesin maksimal”, tha Raka./GazetaExpress/

Baby Boo