E FUNDIT/ Zaev: Mund të mos ketë fare zgjërim të Qeverisë me parti tjera


Kryeministri Zoran Zaev paralajmëron finalizim të negociatave për zgjerimin e koalicionit qeveritar në fillim të muajit maj. Gjatë një deklarate pas gjykimit për rastin “Mitmarrja”, Zaev kërkoi durim nga gazetarët deri sa të vijë koha për të shpalosur marrëveshjet eventuale në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i bisedimeve.

Megjithatë, Zaev lë të hapur mundësinë që të mos ketë fare zgjerim të koalicionit qeveritar nëse nuk arrin marrëveshje me partitë me të cilat po negocion. Edhe pse bisedimet siç paralajmëroi Zaevi, duhej të kishin përfunduar gjatë javë së kaluar dhe të finalizoheshin dhe publikoheshin këtë javë, Zaev tha se ende po bisedon me partitë, përcjell Fakte.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR

“Të presim të fillojë muaji?Kemi thënë se do ju tregojmë në fillim të muajit maj ndërsa maji nuk ka filluar ende. Besoni se po bisedohet për gjëra thelbësore. Në fund ka gjasa që të kemi ndryshime në më shumë resore, më shumë drejtori, por mund të ndodhë që mos të ndryshohet asgjë. Kjo varet nga vetë bisedimet. Nuk është në rregull që të shpalosi informata publikisht dhe të negocioj nëpërmjet mediave. Dua që ky proces të ketë sukses përderisa ka gatishmëri nga të dy palët…Bisedimet po zhvillohen vazhdimisht”

Por, edhe pse i pyetur disa herë se nga cilat ministra është i pakënaqur, kryeministri nuk tregoi se cili funksionar ka gjasa që të largohet, për t’ua liruar vendin funksionarëve të ri nga partitë që do të kyçen në Qeveri.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR

”A nuk mundeni ta leni këtë gjë që t’ua kumtoj pasi të mbaroj. Në qoftë se unë tani paragjykoj, dhe më pas dalin gjëra të tjera, tregimet nuk do të kenë fund. Le të bëhemi serioz. Bëhet fjalë për ministrat e Qeverisë. Për zëvendësit, për sekretarët shtetëror, për drejtorët. Këto janë çështje tejet serioze. Gjithçka tjetër që do e them do ishte tejet joserioze nëse ende nuk kam marrë ndonjë vendim final”

Sipas informatave jozyrtare nga burime partiake, deri tani kryeministri ka gjetur gjuhë më të përbashkët me Besën e Afrim Gashit, ndërsa gjithçka pritet të finalizohet në ditët e para të muajit maj. Këto informata mund të konfirmohen vetëm pasi i pari i Qeverisë të shpalosë detajet nëse ka arritur marrëveshje të plotë me Gashin. /SHENJA

Baby Boo