E duan Zvicrën me mish e me shpirt, pa harruar origjinën dhe dashurinë ndaj atdheut


E duan Zvicrën me mish e me shpirt, pa harruar origjinën dhe dashurinë ndaj atdheut Simboli i shqiponjës dykrenore, i bërë me anë të gjestit me dy duart në gjoks, mori përmasa botërore si rezultat i reagimeve politike ndaj Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit.
Këta dy futbollistë me identitet shqiptar, që me dinjitet të lartë përfaqësojnë kombëtaren e Zvicrës, na dhanë kënaqësinë, që as lotët e gëzimit nuk mund ta përshkruajnë.
Them se përfaqësojnë kombëtaren e Zvicrës me dinjitet të lartë, për arsye se ky shtet është njëri nga shtetet kryesore të Europës, që u hapi dyert shqiptarëve të diskriminuar dhe të përndjekur të viseve shqiptare në republikat e ish-Jugosllavisë. Parë në raport me numrin e popullsisë, Zvicra pranoi shqiptarë më shumë se çdo shtet tjetër në botë.
Në këtë shtet ne, shqiptarët, gjetëm trajtimin, që nuk e kishim pasur kurrë në vendin tonë të pushtuar. Gjetëm strehim, u punësuam, u shkolluam, u përgatitëm profesionalisht në fusha të ndryshme. Asnjëherë më parë nuk kishim pasur një trajtim human të tillë, si ai që na ofroi Zvicra. Fëmijët tanë u trajtuan të njëjtë me fëmijët zviceran: u mjekuan në të njëjtat spitale, u vaksinuan me të njëjtat vaksina, banuan në ndërtesa njësoj si fëmijët zviceranë; së bashku ishin në çerdhe, në klasat parashkollore dhe gjatë gjithë procesit të shkollimit…Dhe, në fund, çdo njërit iu mundësua të shpalosë talentet e veta!
Përballë një trajtimi të tillë, çdo prind shqiptar e edukoi fëmijët e vet në frymë të respektit dhe dashurisë ndaj Zvicrës. Nuk kishte nevojë që fëmijëve tanë t’u themi që të mos harrojnë origjinën e tyre, sepse në sistemin edukativ të Zvicrës kultivohet respekti ndaj diversitetit etnik, gjuhësor, religjioz dhe llojllojshmëria konsiderohet si pasuri e njerëzimit.
Nuk është e rastësishme që përkrah Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit, kapiteni i kombëtares zvicerane, Stefan Lishtshenieri (Stephan Lichtsteiner), bëri të njëjtin gjest gjatë shënimit të dy golave në ndeshjen me Serbinë.
Janë të shumta rastet kur, për shkak të sjelljes së mirë të fëmijëve tanë, bashkëmoshatarët e tyre zviceranë bëjnë të njëjtin gjest. Kam bindjen e plotë se çdo familje shqiptare në Zvicër mund të ketë kujtime të tilla.
Para dy vitesh, mediet publikuan foton ku ndodhet edhe djali im, Vatani, me bashkëmoshatarët e vet gjatë shërbimit ushtarak në Zvicër.

Për ata që nuk e njohin, Vatani është djali që ndodhet në rresht të parë, përpara të tjerëve
Kur mediet në gjuhën shqipe publikuan këtë foto, sqarimi nuk ishte i plotë. Po sqaroj se shërbimi ushtarak në Zvicër është 300 ditë. Vatani, edhe pse është arkitekt me profesion, bëri 600 ditë shërbim ushtarak dhe u gradua si oficer. Këtë shërbim e bëri për dashurinë që ka ndaj Zvicrës, për këtë shtet që i strehoi prindërit në momentet më të vështira të jetës së tyre. Ushtarët e tjerë bënë të njëjtin simbol si Vatani, sepse e dinë se gjesti për këtë simbol nuk cenon askënd.
Janë me dhjetëra mijëra fëmijë si Graniti, Xherdani, Vatani, që e duan Zvicrën me mish e me shpirt, pa harruar origjinën e tyre shqiptare dhe dashurinë ndaj atdheut.
Edhe pse kjo fotografi u bë publike, autoritetet zvicerane nuk morën asnjë masë disiplinore, sepse për ta është e qartë se ky gjest nuk ka asnjë prapavijë politike.
Simboli i shqiponjës dykrenore me gishtat e duarve u shndërrua në një simbol simpatik, që nuk ngërthen në vete asnjë mesazh drejtuar kundër dikujt tjetër, pos një identifikimi të shqiptarëve në momente gëzimi.
Për shkak se ky gjest nuk ngërthen në vete ndonjë mesazh “provokues”, një numër personalitetesh ndërkombëtare kanë bërë të njëjtin gjest. Po sjell si ilustrim këtu dy ish-presidentë: atë të SHBA-së dhe të Kroacisë.

Bill Klinton, ish-president i SHBA-së, duke bërë me duar shqiponjën dykrenore

Stipe Mesiq, ish-president i Kroacisë, duke bërë me duar shqiponjën dykrenore
Nuk mund të ketë ilustrim më të bukur se fotografia e një fëmije, i cili ka pzgjedhur të bëjë si gjest shqiponjën dykrenore në shoqërim të kombëtares serbe.
Fatkeqësisht, FIFA ra në grackën e propagandës serbe, duke ndëshkuar gjestin e Granit Xhakës, Xherdan Shaqirit dhe Stefan Lishtshenierit. Vendimi i FIFA-s është vendim politik më paradoksal që ka munduar të merret për një rast të tillë: e cilëson simbolin e identifikimit tonë kombëtar si “cenim të nderit të personave të tjerë”!
Simboli i shqiponjës dykrenore nuk cenon nderin e askujt. Ky vendim i FIFA-s është vendim në frymë të racizmit serb, që nuk duron asgjë që mund të jetë referencë e identitetit shqiptar. Të shpresojmë që fëmija, i cili bëri gjestin e shqiponjës me duart e veta të pafajshme, nuk do të konsiderohet si cenues i nderit të kombëtares serbe dhe do t’i shpëtojë ndëshkimit të FIFA-s!
Baby Boo