E akuzoi për shkelje të Kushtetutës, Meta i përgjigjet ashpër Ramës


Kryeministri Edi Rama e ka quajtur mosdekretimin e Sandër Lleshit si Ministër të Brendshëm, një shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit Ilir Meta.

“Mosdekretimi është ne shkelje te Kushtetutës. Nuk kemi gjykate kushtetuese dhe ne do gjejmë mënyra te tjera. Nuk ka asnje lloj mëdyshje për mbështetjen e Lleshit i cili ka Top cosmic- certifikata me e larte e sigurisë nga NATO. Nesër do nisim t’i krijojmë bindjen Presidentit te Republikës”- mësohet të ketë thënë Rama në grupin e PS.

Pas kësaj ka ardhur edhe reagimi nga Kreu i Shtetit.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi, i pyetur nga mediat, lidhur me takimin e djeshëm “Rama-Meta”, thekson se:

“Informacioni i dhënë nga Kryeministria lidhur me takimin ka qenë ezaurues. Presidenti Meta konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet.
Por njëkohësisht, Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes.
Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”.

Baby Boo