Dy fjalë për lirinë


Nga: Beqir Sina

Unë jam pak a shumë si Jezu Krishti. U linda dhe u rrita në një barakë larg syve të njerëzve, i përndjekur qysh në bark të nënës. Njëlloj si prindërit e Jezusit, edhe prindërit e mi u detyruan të ikin nga vendlindja për të shpëtuar jetën e tyre dhe timen. Babai u arratis, nëna u internua.

Jetova 33 vjet në Ferrin e Savrës, dhe thuajse po aq në lirinë e Amerikës. Gjysma e parë e jetës time iku baltrave dhe moçaleve. Kur erdhi dita që vuajtjet e mia mbaruan, unë kisha moshën e Jezusit. Natyrisht, nuk isha i rëndësishëm si Krishti, por ashtu si ai, kërkova dinjitet, drejtësi dhe liri për veten e për familjen, ndërkohë që barabajtë e diktaturës dhe profetët e rremë bënin kërdinë në Shqipëri.

E nisa jetën në kampin e internimit të Savrës në Lushnjë, mu në mesin e viteve të komunizmit shqiptar. Barakat atje fusnin acarin e dimrit dhe zhegun e verës, fëmijët zhgjyheshin në lluce, pleqtë ishin të drobitur dhe nënat me sy të lodhur. Kjo ishte vetëm një pjesë e shkretimit të përgjithshëm që solli ai sistem i pamëshirshëm. Kujtesa ime është e ngarkuar me ngjarje, që rrojnë me mua prej shumë dekadash.

Baby Boo