Drilon Gashi: Pushtime arabe dhe jo “çlirime islame”


Nga hoxhë: Drilon Gashi

Pushtime arabe dhe jo “çlirime islame”

Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij të ndershme, biri i Abdulmutalibit, ishte mjaft i famshëm dhe i pasur dhe është e vetëkuptueshme që nuk e ka pushtuar popullin e vet dhe nuk kishte as se çfarë të kolonizonte në shkretëtirat e varfëra të Gadishullit Arabik të asaj kohe gjithashtu.
Çështja për të cilën është rritur polemika, sidomos këto vitet e fundit, janë pushtimet arabe që ndodhën pas ndrrimit jetë të tij. Pyetja që ngritet në vazhdimësi është se a ishin këto luftëra moralisht të justifikueshme dhe a i plotësojnë të gjitha kriteret që të konsiderohen luftëra të drejta? Me kritere këtu kam për qëllim motivin e shkuarjes në luftë dhe sjelljen morale mbrenda dhe pas luftës.
Njerëzit kanë dhënë interpretime të ndryshme rreth këtyre pushtimeve, disa i kanë arsyetuar ato, disa i kanë lavdëruar, e të tjerët i kanë sharë e kritikuar.

-Disa historianë myslimanë i shihnin dhe vazhdojnë t’i shohin ato si dëshmi të favorit hyjnor dhe pasqyrim të zellit fetar për unitetin e të gjitha tokave nën një shtet disi utopik, lufta ishte e shenjtë, sepse u bë “për t’i dhënë fund të gjitha luftërave tjera”. Nëse qëllimi i tyre nuk do të ishte ky ideal fisnik e hyjnor – thotë kjo palë- atëherë çfarë paskan përfituar dhe shfrytëzuar këta njerëz në këmbim të vështirësive që kanë kaluar dhe privimit dhe sakrificës që kanë përjetuar?! Muslimanët përmes këtyre “çlirimeve” arritën të hapin zemrat me portat e vendeve, fituan besimin dhe vlerësimin e njerëzve të atyre krahinave, e rikthyen paqën dhe drejtësinë e humbur, pastaj investuan fitimet dhe njohuritë e atyre vendeve në fushën e shkencës dhe artit dhe i avancuan njohuritë dhe fushat e punës për studiuesit dhe mendimtarët që pasuan…e gjithë kjo për hir të Allahut, për të mirën e gjithë njerëzimit.

-Disa shkrimtarë të krishterë në anën tjetër i konceptuan ato si ndëshkimi hyjnor që Zoti u dha Perandorisë Romake për mëkatet e tyre. Sipas tyre, Perëndia ja jep pushtetin atij që do dhe ja merr atij që do.
Për më tepër, persekutimi bizantin i të krishterëve kundër besimit kalcedonian në Siri dhe Egjipt tjetërsoi elementët e atyre komuniteteve dhe i bëri ata më të hapur ndaj akomodimit me arabët pasi u bë e qartë se këta të fundit do t’i linin të praktikonin besimin e tyre të pashqetësuar, për aq kohë sa ata paguanin tatimin e haraçit, në vend të zekatit (sepse jomyslimani nuk e ka obligim).
Edhe Perandoria Sasaniane dështoi që të rimëkëmbej dhe Perëndia deshi që përmes shpatës së saraçenëve t’i jepte fund ndarjes zullumqare të njerëzve në klasa dhe maltretimit të tyre siç ndodhte me të madhe në perandoritë e asaj kohe.

-Në një dokument të Kishës Ortodokse thuhet se luftërat e kanë shoqëruar historinë njerëzore që nga rënia e njeriut, dhe sipas ungjillit, ato do të vazhdojnë ta shoqërojnë atë derisa ta kalojë ky cikël i mangët vetëdijeje.

-Sipas një interpretimi të vjetër budist, do të ketë luftëra derisa të ekzistojë instikti kafshëror, Astrali i pa ballancuar dhe Manasi i pazhvilluar tek një pjesë e madhe e njërëzimit. Nëse mbetjet Atlante dhe Lemure ja kërcënojnë jetën races Ariane, atëherë këta kanë të drejtë t’i zhdukin ata.

-Teoria evolucioniste e mbijetesës së më të fortit; forcat muslimane shpesh ishin më të shumta në numër, dhe ndryshe nga kundërshtarët e tyre, ato ishin të shpejta, të koordinuara mirë dhe shumë të motivuara, prandaj ka qenë e natyrshme që ato të fitojnë. Ky është ligji i natyrës – sipas tyre.

-Teoria pacifiste thotë se përdorimi i forcës së armatosur dhe luftërat në përgjithësi, të gjitha janë të papranueshme, të shëmtuara, të dëmshme dhe të gabuara dhe ato nuk mund të arsyetohen kurrë, në asnjë rast.

-Ekziston edhe teoria që mundohet ta shpjegojë pushtimin si një migrim arab i shkaktuar nga presionet ekonomike.

-Ka edhe të atillë që thonë se luftërat mesjetare kryesisht kanë ndodhur midis perandorive rivale për pushtim dhe lavdi, luftë midis fuqive të paafta për të pajtuar frikën, interesat dhe nderin e tyre. Më pas kjo frikë reciproke e palëve ndërluftuese u ushqye nga konkurrenca për koloni jashtë vendit, u përkeqësua nga nacionalizmi dhe racizmi në rritje dhe nga mitet reciprokisht të papajtueshme të epërsisë fisnore dhe kombëtare dhe virtytit të luftës ushtarake.

-Ka edhe skeptikë që thonë se historia është selektive që ne në vazhdimësi mundohemi ta tregojmë për nevojat e së tashmes. Është shumë e vështirë që të ndodhë një luftë morale dhe të gjykojmë rreth saj, veçanërisht atëherë kur ndryshojnë paradigmat shekuj më vonë, etj.

Personalisht kam rezerva të mëdha për të gjitha këto teori që u përmendën më lartë, e në veçanti ndaj teorisë së parë e cila mundohet t’i arsyetojë ato nën petkun e Kuranit të Madhërishëm. Kur të flasim për motivin dhe moralin e këtyre luftërave, unë mendoj se paraprakisht duhet t’i dijmë disa gjëra thelbësore:

1-Shumë pushtime të ashtuquajtura islame pas ndrrimit jetë të profetit Muhamed, janë bërë për shkaqe ekspansioniste dhe nën pretekstin e “qëllimet justifikojnë mjetet”; së pari po të mbys, plaçkis e robëroj, e pastaj të tregoj se çfarë është “islami”! Kjo është në kundërshtim me themelet dhe fundamentet e Islamit. Kurani e ndalon rreptësisht thyerjen e besëlidhjeve, thyerjen e zotimit dhe derdhjen e gjakut padrejtësisht, si dhe prishjen e urbanizimit dhe grabitjen e pronave të njerëzve me pretekstin e plaçkës që u përgjithësua se kinse përfshin pronat e të gjithë atyre që nuk janë myslimanë, edhe atëherë kur janë paqësorë. Të gjitha këto shkelje kanë ndodhur, atëherë si ka mundësi që këto luftëra të quhen islame?!

2- Nëse soditim me vëmendje ngjarjet e biografisë së Profetit Muhamed a.s. dhe betejat dhe incidentet luftarake që ndodhën në kohën e tij, na bëhet e qartë se ato ishin të gjitha beteja mbrojtëse në kuptimin e plotë të fjalës dhe me motive analitike të arsyeshme, si f.v. kur disa vasalë bizantinë kishin vrarë padrejtësisht emisarin e profetit Muhamed dhe ushtria bizantine përgatiteshin për ta farosur atë dhe pasuesit e tij në Medine të cilët ishin penduar dhe dëshironin paqen e universit.

3-As lufta e Hawandit, Mu’tes dhe disa prej luftërave që u zhvilluan më vonë në Levant, nuk kanë të bëjnë me çështjen e pushtimeve, por ishin luftëra mbrojtëse. Megjithatë edhe këto të cilat kishin qëllimin e mirë mbrojtës, nuk mund të themi se u kanë shpëtuar sjelljeve dhe veprimeve joislame, sepse jo të gjithë komandantët dhe ushtarët e atyre ushtrive ishin për “mashallah”. Kurani e potencon se edhe disa sahabe nuk e kanë dëgjuar as profetin Muhamed në disa raste të tilla, sepse u mungonte pjekuria dhe vetëdijësimi i duhur, gjë për të cilën Kurani i këshilloi e qortoi disa here radhazi.

4-Edhe nëse themi që ekziston një kauzë e drejtë për luftën apo se ajo arsyetohet si e moralshme atëherë kur shtjerren të gjitha mjetet paqësore për zgjidhjen e një konflikti apo rivendosjen e paqës në tokë, megjithatë e gjithë kjo bëhet e ligjshme sheriatikisht kur autorizohet nga një autoritet sovran legjitim i cili nuk e gabon ligjin hyjnor, në këtë rast nga profeti i cili është i frymëzuar hyjnisht, si f.v. shembulli i profetit Moisi a.s. Me ndrrimin jetë të profetit, fjala e cilit organ do të ishte e pagabueshme që të konsiderohet si autoritet që duhet dëgjuar?

5-Pasi që ndërroi jetë profeti Muhamed, shumë gjëra morën teporzën dhe dyftyrshat e trazirat u shtuan edhe më shumë. Vëllai ka tradhtuar dhe vrarë vëllain, babai të birin … për post dhe pushtet. Kanë derdhur gjakun e qindra mijëra njerëzve të pafajshëm.Kanë ekzekutuar burgosur dhe persekutuar evliatë dhe dijetarët më të mirë të kohërave. Gati secili prej tyre ka pas mbi 20 gra e qindra robëresha tjera në harem.Nuk janë turpëruar që ta bombardojnë edhe Qaben e Shenjtë me katapulta. Paramendojeni, vetëm tridhjetë vite më pas, u masakrua familja e profetit Muhamed në Qerbela. Ndërsa në anën tjetër dijetarët e sulltanit I kanë mbushur librat e Sires dhe historisë islame me gënjeshtra dhe trillime që perms tyre t’i arsyetojë veprimet e veta dhe mashtrojnë masën e gjorë.

6- Nuk ka asnjë tekst historik (as të saktë dhe as të dobët) që të tregojë pjesëmarrjen e Imam Aliut, alejhi selam, në këto pushtime, as si luftëtar e as si udhëheqës, përkundrazi nuk është vërtetuar se ai ka ndërvepruar me ndonjë post administrativ apo gjyqësor në këto toka gjatë sundimit të tre kalifëve paraprak. Ekziston njëfarë konsensusi i historianëve myslimanë se ai qëndroi në Medinë gjatë kësaj periudhe dhe asnjëri prej tyre nuk përmend se ai e la atë me ndonjë ushtri për ndonjë qëllim.
Sikur këto pushtime të ishin xhihad i vërtetë, nuk mendoj që imam Aliut do t’i iktë ky shpërblim. Për Zotin, nëse pjesëmarrja në këto pushtime do të ishte e mirë, nuk mendoj që Othmani, Muaviu e Jezidi do t’i kishin paraprirë atij më to pa ndonjë arsyetim të fortë. Përkundrazi, ka transmetime historike që Aliu me disa sahabe tjerë e ka kundërshtuar rreptë Othmanin kur ka dashur ta pushtojë Afrikën. Më pas, kur ai vet u bë udhëheqës i myslimanëve, i gjithë fokusi i tij ishte lufta kundër rrebelëve tradhëtarë dhe ekstremistëve kokëtharë dhe rrënimi i perandorisë së rrejshme që kishte ndërtuar mbreti Muavie. Qëllimi i tij pra ishte vetëm mbrojtja e të drejtave të myslimanëve dhe ruajtja e vezës së Islamit dhe nuk kishte të bëjë fare me çështjen e pushtimeve.

7- Nuk ka asnjë transmetim të vërtetë që tregon se edhe nipat e dashur të Pejgamberit dhe bijtë e Aliut më pas, Hasani dhe Hysejni, të kenë marrë pjesë në këto pushtime gjithashtu. Njerëzit më të dashur të profetit dhe më të ditur për normat e islamit nuk morën pjesë në to dhe as nuk i rekomanduan ato. Nëse do të merrnin pjesë, atëherë do të transmetoheshin në mënyrë të qartë. Ngjarje të rëndësishme si këto, kanë pasur më shumë gjasa të përhapeshin sesa çështjet e parëndësishme që hadithologët i kanë treguar në librat e tyre me zinxhire të shumta transmetimi.

Prandaj, për këto arsyje dhe tjerat që nuk i kam përmendur këtu, nuk mendoj se mund të lejohet që këto luftëra dhe pushtime t’i faturohen islamit të Kuranit, dhe konsideroj që arsyjet e ndryshme që janë dhënë dhe ipen për të mbuluar gjërat e neveritshme që i ka bërë ai kalifat, kjo mbretëri apo ky sulltan përgjatë këtyre pushtimeve, janë interpretime shterpe që kundërshtojnë fillimisht Kuranin fisnik, pastaj trashëgiminë e pastër profetike, traditën e Ehli Bejtit dhe historinë e mirëfilltë lindore e perëndimore.

Drilon Gashi
Janar, 2022

Baby Boo