Drejtoria premton zgjidhje, të burgosurit japin ultimatum


Drejtoria e Burgut të Shutkës me shumë seriozitet është duke e shqyrtuar dhe punon në sistemimin e të burgosurve nga “Grupi i Kumanovës”. Zëvendësdrejtori, Sadush Arifi, për gazetën KOHA, thotë se janë duke rregulluar pjesën e sipërme të burgut, ku edhe pritet të vendosen të burgosurit që e vuajnë dënimin për ngjarjet e Kumanovës, që ndodhën në vitin 2015. “Njësia për vuajtjen e dënimeve të lartë, ndryshe e njohur si Reparti i Hagës, për momentin është duke e rregulluar dhe kjo mund do të zgjasë edhe disa ditë. Pas përfundimit të punimeve të burgosurit në fjalë do të transferohen në këtë pjesë të burgut”, thotë zëvendësdrejtori Arifi.

Ndryshe, ditë më parë Demë Shehu, i dënuar me burg të përjetshëm për rastin“Lagja e Trimave”, përmes një postimi në rrjetin social Facebook alarmoi se për pesë vite të plota ai dhe të burgosurit tjerë të këtij grupi në burgun e Shutkës, qëndrojnë plotësisht të izoluar. Ai e ka adresuar një kërkesë deri te gjykatësit që e kanë proceduar këtë lëndë si dhe te drejtoria Burgjeve të Maqedonisë së Veriut, Komiteti i Helsinkit, Avokati i Popullit, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, si dhe deri te Ambasada e Kosovës në Shkup, që kjo padrejtësi ndaj tyre të zgjidhet. Njëkohësisht, potencoi se nëse nuk i largojnë nga izolimi deri me datën 21 shkurt, ditë e premte, çdo gjë që do të ndodhë, do të bie mbi përgjegjësinë e institucioneve të lartpërmendura.

“Gjykata dhe Drejtoria e Sanksioneve po e shkelin ligjin me duar dhe këmbë, sepse nuk kanë të drejtë që të na mbajnë akoma në izolim total. Ju kemi shkruar dhe kemi kërkuar përgjigje nga organet përgjegjëse se përse nuk trajtojnë si të burgosurit tjerë, mirëpo përgjigja e tyre ka qenë se nuk ju pranon asnjë burg dhe na thonë se nuk ka vende në burgjet tjera, përgjigje epike nga gjykata dhe organet tjera kompetente. E kanë shkelur çdo procedurë ligjore, sepse nuk guxojnë t’i mbajnë personat e dënuar në izolim total për pesë vite, medoemos duhet që t’i dërgojnë në burg, në momentin që vërtetohet dënimi nga Gjykata e Apelit.

Në qelitë ku mbahemi ne, nuk ka asnjë prizë ku të ngrohësh ujin të pish një çaj, ta bësh një kafe të ngrohtë apo të ngrohësh ushqimin, përveç se kur të improvizojmë zjarrin me ndonjë metodë alternative. Nuk e kemi zakon të ankohemi, mirëpo duam t’u njoftojmë se institucionet gjegjëse po hakmerren ndaj nesh për arsye se nuk e kemi nënshkruar aktvendim e gjykatës, sepse ne, nuk njohim atë gjykatë të kriminalizuar që na ka dënuar politikisht”, shkruan Shehu.

Numri i të dënuarve për ngjarjet e Kumanovës, është mbi 35 të burgosur. Pjesa dërmuese e tyre dënimin me burg e vuajnë në Institucionin Ndëshkues Përmirësues në Idrizovë, respektivisht Shehu dhe dhjetë tjerë të burgosur dënimin e burgut e vuajnë në burgun e Idrizovës. Prej 24 orëve të ditës, gjatë pesë viteve të kaluara, sipas Demë Shehut, ata lihen të lirë vetëm 45 minuta.

Baby Boo