Drejtori i burgjeve: S’kemi asnjë vendim për lirimin e Sylejman Selimit


Shërbimi Korrektues i Kosovës mohon të ketë pranuar çfarëdo vendimi nga asnjë gjykatë për ish- komandantin e Ushtrisë Çlirimtare ë Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi dhe Jahir Demakut.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi në një prononcim shkurt për “Zëri” thotë se në këtë drejtori nuk është dërguar asnjë vendim nga askush.

Për këtë çështje, Thaçi tha se e ka kontaktuar edhe kryetarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicës.

“Krejt çka kemi ne e kemi dëgjuar e kemi dëgjuar prej gazetave. As s’ka vendim as asgjë, ne kurrfarë informacioni zyrtar s’kemi nga askush. Shkurt tek ne nuk ka ardhur asnjë dokument që na thotë mi liru apo diçka tjetër, dhe ne duhet me qëndruar mbi vendimin e fundit”, është shprehur Thaçi për “Zëri”.

Në anën tjetër mbrojtësi i Sylejman Selimit, avokati Tomë Gashi gjatë protestës së mbajtur sot para Pallatit të Drejtësisë, ku u kërkua lirimi i Selimit dhe Jashir Demakut, tha se këta dy presona po mbahen padrejtësisht në paraburgim.

Avokati Gashi tha se gjyqtari i këtij rasti ka dërguar një vendim në burgun e Dubravës, mirëpo që ky vendim nuk është përfillur.

“Rasti i tyre është ndarë në dy pjesë dhe pjesa e rastit Drenica 1 është në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe gjyqtari i cili e ka marrë lëndën e ka nxjerr një vendim që e ka dërguar në burgun e Dubravës, mirëpo nuk janë duke u liruar asnjëri prej tyre për shkak se edhe Gjykata Supreme e ka vendimin e anuluar nga Gjykata Kushtetuese. Ne kemi paraqitur dhjetëra urgjenca dhe kërkesa për lirimin e gjeneral Sylejman Selimit, por deri me tani nuk ka kurrfarë rezultati pozitiv dhe kjo është shkelje e të drejtave themelore të njeriut”, ka thënë avokati Gashi.

Ai ka thënë se para shpalljes së aktgjykimit Selimi dhe Demaku janë mbrojtur në liri. Sipas tij, mbajtja e Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut në paraburgim po bëhet për qëllime të personave të caktuar.

Ndërkohë, pas përfundimit të protestës, organizatorët paralajmëruan se nëse nuk lirohen Selimi dhe Demaku protestat do të vazhdojnë.

Ndryshe, Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, dhe ish- ambasadori i Kosovës në Shqipëri, ishte dënuar me dënim unik prej 8 vjetësh për dy rastet, Drenica 1 dhe 2, mbi bazën e akuzave për krime të luftës.

Mirëpo në qershor të këtij viti, Gjykata Supreme kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe kishte vendosur që rasti “Drenica 1” të kthehej në rigjykim./ZËRI

Baby Boo