Dr. Vedat Eljezi që vepron në Francë, me mesazhe…


Vedat Eljezi, aktualisht jeton dhe vepron në Francë, i angazhuar si mjek specialist pranë Qendres Klinike Universitare të Clermont Ferrand në Spitalin Gabriel Montpied, por karriera e tij është një rrugëtim i gjatë përplot sfida dhe suksese. Përpos pozitës si mjek ai është edhe një ligjerues shumë i respektuar, recenzet i publikimeve të shumta shekcore, si dhe mbart titullin Doktor shekncë nga Universiteti i Auvergne.

Mbi të gjitha ai është një njeri shumë modest dhe human, është nga ata figurat shqiptare të diasporës me të cilat ne mburemi dhe njdehemi krenarë. Ai është me origjinë nga Gostivari, i vendosur në francë bashkë me familjen e tij. Edhe përkundër angazhimeve të tepërta, Vedati ndau nga koha e tij që të përgjigjet në pyetjet e portalit tonë me modestinë e lartë e cila e karakterizon atë.

  1. Pse pikërisht Fanca, çfarë ju frymëzoi ?

Zgjedhja e Francës për të bërë karrierë dhe për të jetuar ishte rastësi. Ardhja ime në Francë për herë të parë në nëntor të 2002 ishte vetëm për një stazh të perfeksionimit profesional për 6 muaj dhe jo më shumë. Rrethanat e kohës dhe mungesa e çdo lloj perspektive në vendëlindje ndikuan qe une të vendos të qëndroj në Francë duke pritur ditë më të mira në vendin tonë.

  1. Një përshkrim rreth rrugëtimit tuaj?

Unë kam lindur në Debresh të Gostivarit ku dhe kam kryer shkollën fillore. Shkollën e mesme të mjekësisë e kam kryer në Tetovë. Fatmirësisht në mbarim të shkollës së mesme në atë kohë u hapën Universitet e Shqipërisë për ne, sepse mundësitë e studimit në fakultetet e Shkupit ishin tepër të limituara, ndërsa në Prishtinë ishte kohë okupimi. Hapja e Universiteteve Shqiptare më dha mundësinë të regjistrohem në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 1993. Në periudhën 1993-1999 kam kryer fakultetin e mjekësisë, dega mjekësi e përgjithshme. Kam diplomuar nga i njëjti fakultet në korrik të 1999. Në atë kohë diplomat e marra në Universistet Shqiptare nuk pranoheshin në Maqedoni. Ishte një dëshpërim tepër i madh për të gjithë ne si gjeneratë. Që është akoma më tragjike as nuk na linin të bëjmë punë vullnetare në spitalet tona. Duke parë këtë situatë dhe me përfundimin e luftës në Kosovë u largova për në Prishtinë. Atje kam filluar të punoj si vullnetarë në Qendrën Klinike Emergjente dhe jam kyçur në programet e edukimit që të huajt siguronin për stafin mjekësore vendas. Kam qenë shume aktiv në punën me të huajt falë edhe njohurive të gjuhës angleze dhe të jem i realt kam mësuar shumë prej tyre. Në janar të 2001 kam fituar specializim për Anesteziologji- Reanimacion në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Si specializant i dalluar kam fituar nje bursë 6 mujoure për të shkuar në Francë për perfeksionim. Kam ardhur në Francë për herë të parë në nëntor 2002 në qytetin e Grenoblit. Ardhja ime në Francë hapi një kapitull tjetër të shkollimit. Në fillim pas një kohe të vështirë të adaptimit dhe mësimin e gjuhës frenge, për 2-3 muaj jam adaptuar shumë mirë në sistemin francez duke praktikuar gjëra që përpara i kisha lexuar vetëm në libra dhe ishin vetëm një ëndërr për mua. Kjo më ka dhënë motiv për të vendosur të qëndroj edhe 6 muaj të tjerë duke gjetur një bursë tjetër 6 mujore në Universitetin e Montpellier. Jam kthyer në Prishtinë në nëntor 2003 për një periudhë 1 vjeçare. Ishte periudhë mjaft e vështirë sepse sistemi shëndetësore në Kosovë kishte filluar të degradohej me të madhe me largimin e stafit të huaj. Kam vuajtur shumë duke mos pasë mundësi të vendos në praktikë ashtu si duhet të gjithë atë që kisha mësuar gjatë një viti në Francë. Nga dëshpërimi kam filluar të shikoj për tu larguar. Jam regjistruar në Master në verë të 2004 në Univesitetin e Grenoblit dhe kam filluar masterin në tetor 2004 që e kam mbarruar në qershor të 2005 duke u diplomuar në Master nga Univesiteti i Grenoblit. Gjatë masterit kam bërë kërkime shkencore në studimin e fluksit të gjakut në tumoret malinje te minjtë. Pas perfundimit të masterit kam vazhduar përsëri me stazhet e specializimit tim në Qendren Klinike Universitare të Grenoblit deri në maj 2006. Kam mbrojtur specializimin në mars të 2006 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Pas specializimit në Prishtinë kam vazhduar në Universitetin e Auvergne në qytetin Clermont Ferrand të Frances ku jam edhe sot e kësaj dite. Kam ekuivalentuar diplomën e specializimit në Francë në atë periudhë. Kam kaluar gjithashtu provimin Europian të Anestezi-Reanimacionit në 2009. Pas ekuivalentimit të diplomës në Francë kam pasur kontratë të përhershme me Qendrën Klinike Universitare të Clermont Ferrand duke punuar në Kirurgji Kardio-Vaskulare. Kam qenë vazhdimisht i angazhuar në punën kërkimore duke publikuar në revista prestigjioze botërore dhe duke qenë pjesëmarrës në kongrese të ndryshme nacionale dhe internacionale. Paralelisht jam regjistruar në doktoraturë në 2013 dhe kam mbaruar doktoraturën shkencore më 2017. Hulumtimi im shkencorë gjatë periudhës së doktoraturës është bazuar kryesisht në përmirësimin e dhimbjes postoperatore të pacientëve pas kirurgjisë kardiake.

Jam pjesë e ekipës shkencore të fakultetit të mjekësise, ligjërues për studentët dhe mentor i shume specializantëve. Jam “rewiver” i dy revistave shkencore internacionale.

  1. Përse zgjodhët pikërisht mjeksinë?

Zgjodha pikërisht mjekësinë sepse endërra ime si i ri ishte ti ndihmoj ata që kanë më së shumti nevojë, njerëzit e sëmurë. Eshte pikërisht aspekti human i këtij profesioni që më bëri të zgjedh këtë drejtim.

  1. Cili është një personazh shqiptar që e admironi?

Personazhi shqiptar qe unë admiroj është shkrimtari Ismail Kadare dhe xhudistja Majlinda Kelmendi.

  1. Çfarë është një shprehi e shëndetshme që e ke dhe nuk e mënjanon dot ?

Jam adhurues shumë i madh i frutave.

  1. A do kishit dashur që në të ardhmen të ktheheni në vendlindje për të punuar, nese kushtet do të përmirësoheshin?

Kjo është ëndërra ime dhe besoj e shumë kolegëve të mi që janë të shpërndarë gjithandej botës perëndimore. Eshtë ëndërra ima të kem mundësinë të ligjëroj në shqip, t’iu ligjëroj dhe të mësojë studentët tanë ashtu si di unë më së miri dhe ashtu si është në shtetet më të përparuara të botës.

Është ëndërra ime të shoh krijimin dhe ngritjen e institucioneve tona në nivel botërore duke përfshirë në këtë proces kokat shqiptare më të ndritura, studentët tanë më të mirë dhe rininë tanë shume të çmueshme dhe e gjitha kjo e bazuar në punë, në transparencë, në drejtësi, shprehet Vedat Eljezi për portalin BON ZO.

  1. Në krahasim me Francën çfarë i mungon sistemit shëndetësorë të RMV?    

Shumë gjëra, i mungojnë të gjitha. I gjithë sistemi shëndetësore dhe arsimorë është degraduar tejskajshëm. Kur bota ka përparuar shumë ne kemi shkuar mbrapa. Ne kemi trashëguar një sistem të nivelit mesatar shëndetësore prej ish-Jugosllavisë dhe ky sistem është dobësuar vazhdimisht duke transformuar sistemin tonë në një sistem me performancë të dobët. Tituj shkencorë sa të duash dhe pa vlerë, studentë dhe profesorë që nuk punojnë, hile në marrjen e notave dhe titujve, hile në punësimin e kuadrove, mungesë totale transparence ne vlerësimin e dijes.

Ndërsa në mjekësi, mungesë dije, mungesë pajisjesh, protokolle mjekimi arkaike, qasje e gabuar ndaj të sëmurit, mjekim për interes ekonomik, humbje totale e besimit të pacientëve ndaj mjekut.

  1. A jeni i kenaqur nga rendimenti kundrejt punës që bëni?

Po mjaft i kënaqur. Në Francë unë kam gjetur vetëveten qoftë në aspektin human apo ate shkencorë. Franca është vendi ku për pacientin bëhet gjithcka. Kualiteti i mjekimit fillon prej pritjes së pacientit në mënyre njerëzore, shumë modeste dhe me buzëqeshje. Pacienti informohet në mënyrën e duhur për sëmundjen, ecurinë e saj, mjekimin, efektet anësore të barnave. Kjo bëhet pavarësisht origjinës, ngjyrës, prejardhjes, bindjeve të pacientit. Kjo mundëson krijimin e besimit ndërmjet mjekut dhe pacientit që është e domosdoshme për sukses në mjekim. Sa i perket mjekimit natyrisht se është vendi që bën ndër mjekësitë më moderne falë pregaditjes profesionale të lartë, pajisjeve dhe mjeteve mjekësore të sofistikuara, organizimit shëndetësorë, raporteve shumë efikase ndërmejt personelit mjekësore apo zbulimeve mjekësore. Franca është ndër vendet e para në botë për prodhimin e shkencës mjekësore.

  1. Çfarë është e rëndësishme për një doktor sikur ju?

Mbi te gjitha shëndeti, lumturia familjare dhe shoqërore. Shëndeti është pasuria më e madhe që kemi dhe ai duhet të ruhet në mënyrë të domosdoshme për të pasur mundësi të realizojmë ëndërrat tona. Sekreti i shëndetit të mirë qëndron në ushqimin e drejtë, aktivitetin fizik të mjaftueshëm, gjumin e rehatshëm dhe të menduarit pozitiv.

  1. Çfarë mesazhi do i jepnit rinisë shqiptare në Maqedoni?

Kjo pikë është shumë e rëndësishme për të cilën duhet të shkruhet shumë gjatë. Do mundohem të përcjell disa mesazhe elementare. Mos harroni asnjëherë se “gurri peshon më së shumëti në vend të vetë”, po nga ana tjetër “peshku i mençur nuk rin në ujë tëturbullt”. Me këtë dua të them se nuk ka asnjë vend më të mirë në botë se vendlindja. Nuk ka asnjë vend që të bën të ndjehesh më i vlefshëm se në vendlindje. Përmirësimi i situatës në vendlindje nuk vjen nga një person i vetëm apo një grumbull njerëzish. Përparimi i një vendi ndodh kur çdo individ, absolutisht çdo njëri jep kontributin e tij sado i vogël të jetë. Nuk mund të ketë përparim pa dije të mirëfilltë, pa arsim të drejtë dhe të fuqishëm. Eshtë urgjente dhe e domosdoshme forcimi me çdo kusht i sistemit tonë edukativo-arsimor. Nëse dija nuk mund të merret në vendlindje atëherë shkoni merreni atje ku ajo ekziston dhe silleni ate në vendlindje. Po për të shkuar atje ju duhet komunikimi i drejtë, ju duhet fjalori, ju duhet sjellja normale, ju duhen gjuhët e huaja. Pra, mesazhi im është, punoni pa rreshtur dhe në mënyrë efikase për të mirën tuaj, të mirën e familjes tuaj dhe kombit në përgjithësi. Punoni dhe kontribuoni që fëmijët tanë mos të marrin rrugën e mërgimit për të siguruar ekzistencën dhe siguruar dijen por ate ta kenë në çdo moment në atëdheun e tyre. Me mesazhin “mos rrini në ujë të turbullt” dua të them, hiquni hiles, politikës së mbrapshtë, padrejtësisë, korrupsionit, arritjes së pamerituar, veseve të pashëndetshme për ju dhe për rrethin në përgjithësi.

  1. Si e menaxhoni situatën me pandeminë dhe çfarë strategjie parashikohet të ndërmerret për parandalimin e Covid19 ?

Edhe pse ka rritje të numrit të të vdekurve, mund të themi se Franca e ka kaluar tani më pikun e sëmundjës dhe spitalet po zbrazen nga pacientët me Covid-19, çka ka rezultuar me rënie të dukshme të numrit të pacientëve në reaminacion dhe numrit të pacientëve të hospitalizuar. Franca arriti kulmin e pandemisë dhe të krizës shëndetësore më 8 prill. Izolimi ishte dhe është arma më efikase në luftimin e pandemisë. Në valën e parë të madhe të epidemisë së virusit, izolimi ishte një masë e padiskutueshme. Në Francë izolimi si masë, u mor ndoshta pak me vonesë pasi aksush nuk i besoi valës dhe përmasave të jashtëzakonshme të pandemisë. Sipas statistikave, transmetimi i virusit falë izolimit është ulur me 80%. Izolimi në Francë mundësoi shpëtimin e mbi 60 mijë jetëve njerëzore. Me kalimin e ditëve ne po fitojmë njohuri të reja mbi virusin Covid-19. Pavarësisht rrethanave te krijuara nga pandemia, jeta duhet të vazhdojë, njerëzimi nuk mund të rrijë në izolim total për kohë të pacaktuar. Kjo nuk do të thotë që ne duhet ta ulim kujdesin, po përkundrazi, . Trajtimi i Covid-19 vazhdon të ngelet simptomatik, pra ne mjekojmë vetëm pasojat që jep infeksioni viral. Aktualisht ne nuk kemi një armë të fuqishme për të bërë trajtim etiologjik, pra të godasim virusin në mënyrë direkte. Aktualisht janë mbi 300 studime klinike kërkimi në botë që provojnë trajtime të ndryshme.

Dua të theksoj se asnjë trajtim deri tani nuk ka dhënë efekte mjekimi të mjaftueshme për tu konsideruar si mjekim bazë dhe referent për Covid-19. Ruajtja e masave barrierë, e ndër ta përdorimi i gjerë dhe i drejtë i maskës, janë një domosdoshmëri për të shmangur një valë të dytë të pandemisë. Mbajtja e maskave dhe kujdesi rigoroz duhet të na shoqërojë me çdo kusht deri në zhdukjen përfundimtare të pandemisë. Cdo gabim apo neglizhim i këtyre masave ka shume shansë të rezultojë me ripërhapje të gjerë dhe të shpejtë të infeksionit në kushtet e daljes nga karantina ku edhe kontaktet janë të shtuara. Mbajtja e distancës ndër personale dhe përdorimi i maskës është mjet i pakontestueshëm i parandalimit të përhapjes së virusit. /bonzo.info/

Baby Boo