Donika Bakiu: Stresi i studentëve gjatë provimeve

Jeta studentore është një ndër periudhat më të bukura të jetës. Ajo ka bukurinë e vet kudo që të studiojmë qoftë në qytetin e lindjes apo në një qytet tjetër, por kjo periudhë është e mbushur plot me befasi, sprova, dëshpërime e suksese.

Baby Boo

Kur fillon periudha e provimeve, bashkë me të fillon edhe stresi, i cili padyshim është i dëmshëm dhe prishës i planeve për të dalë me nota pozitive.

Studentët gjatë kohës së provimeve kanë shumë stres dhe shpesh i hasim këto pyetje: – Çfarë do të bëjmë? – A do të marrim nota të larta? – Do ta kalojmë apo jo provimin? – Do të rrëzohemi nga provimi?

Këto dilema duken të pashmangshme edhe pse shumica e studentëve e dinë paraprakisht se sa janë përgatitur për provim.

Shumë studentë gjithmonë për provim mësojnë një natë para. Por kjo është shumë e dëmshme sepse kështu mbledhim më shumë stres për ditën e nesërme dhe të mësosh në atë mënyrë është goxha e pamundur.

Disa nga studentët që stresi i kaplon shumë, kanë madje dhe shenja fizike si: dhimbje koke, marrje mendsh, rrahje zemre të shpeshta e ngjashëm. Këto janë vetëm disa nga simptomat të cilat evidentohen nga studentët. Ndërsa, sa u përket simptomave psikologjike apo perceptuale, ndër to mund të numërohen: mungesa e durimit, shqetësimi për gjera të vogla, luhatja e shpeshtë e humorit, paaftësia për tu kënaqur nga gjërat e vogla të jetës, humbja e besimit në vetvete.

Për të parë sa serioze është kjo çështje, mora në pyetje një student që ka frikë të madhe nga provimet, i cili rrëfehet kështu: “Më dridhen duart dhe nuk ndihem mirë. Herën e fundit isha aq keq sa më është dashur të vjell tre herë para se të dilja nga shtëpia”. Kurse një studente tjetër sapo afron një provim me gojë (oral), atë e pushton paniku dhe nuk mund të përqendrohet për të mësuar. Kur vjen provimi ajo nuk mund t’i përgjigjet asnjë pyetjeje edhe pse ajo di përgjigjen e saktë.

Problemi është i zakonshëm. Është e vështirë të thuash se sa studentë vuajnë nga ankthi i provimeve, por pothuajse çdonjëri njeh dikë tjetër që vuan nga problem i sipërthënë. Studentët të cilët vuajnë nga ankthi i këtillë, tentojnë të përqendrohen në gjërat që nuk i kanë mësuar dhe jo në ato që i kanë mësuar mirë.

Disa nga studentët preferojnë më shumë të pyeten gojarisht sepse thonë që është metodë më e drejtë, meqë tek një provim që zhvillohet gojarisht, nuk ka kopje në fletushka të vogla apo nuk mund të hyhet me dëgjuese në veshë. Disa të tjerë thonë se më mirë është të testohen me shkrim sepse mund të shkruajmë më shumë.

Fatmirësisht shumë profesorë i kuptojnë këto vështirësi të studentëve dhe iu japin një mundësi më shumë për t’u shprehur, por kemi dhe nga ata profesorë që nuk e kuptojnë këtë gjendje të rëndë momentale shpirtërore. Përse nuk arrijnë ta kuptojnë, është për t’u habitur sidomos kur të gjithë ata dikur kanë qenë studentë. Stresi tek studentet është një fenomen i përhapur në botë. Patjetër duhet larguar sepse ndikon aq shumë negativisht sa që nuk jemi në gjendje të kuptojmë me arsye të shëndoshë./Pacensure