Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela edhe zyrtarisht ka vënë si garanci shtëpinë dhe pasurinë e tij për të nxjerrë nga paraburgimi pjestarin e sigurimit të Kuvendit, Abdylfeta Alimi, i cili natën e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë ishte përkujdesur për shpëtimin e tij.
Sipas dokumentit të siguruar nga INA, shihet se si Sela ka vënë hipotekë dhe garanci shtëpinë e tij në Livadhi të Strugës si dhe pronën tjetër shoqëruese. Ai këtë e ka bërë përmes procedurës ligjore.
Abdylfeta Alimi po vuan masën e paraburgimit prej 30 ditëve. Burime nga mbrojtja e tij bëjnë të ditur se ai dyshohet për “mos veprim” në detyrë zyrtare natën e 27 prillit në Kuvend dhe jo për bashkëpunim me personat e dyshuar për krim të organizuar.