Rrëfim rrënqethës i dy nënave kosovare që ua masakruan fëmijët e vegjël para syve


Jeta e rëndë, perjetime të hatashme …Dy motra gjatë luftës në Kosovë ishin të strehuara në bodrumin e një shtëpie të braktisur fshati kur ndërtesa u bombardua natën. Në kohën kur zbardhi agimi, të tetë fëmijët e tyre kishin vdekur.

Sebahate Berisha kujton se ishte një natë e ngrohtë më 1 prill 1999 kur ajo vuri në gjumë të pesë fëmijët e saj në disa batanije në bodrumin e një shtëpie në fshatin Nagavc të Komunës së Rahovecit.

Ajo, sikurse rreth 6000 shqiptarë të tjerë nga fshatrat përreth, kishte lënë shtëpinë për të gjetur një vend më të sigurt në Nagavc, në kohën kur po sulmoheshin vendbanimet përreth.

Ajo kishte lënë shtëpinë e saj në Hoçë, një javë më herët, më 25 mars, pak orë pasi NATO kishte filluar ta bombardonte ish-Jugosllavinë, në përpje.kje për ta ndalur fushatën e spastrimit etnik të presidentit Slobodan Milosheviq në Kosovë. Në përgjigje të fushatës ushtarake të Perëndimit, forcat serbe kishin filluar sulmet.

Motra e Sebahate Berishës, Zyrafete Berisha, në atë kohë 29 vjeçe, gjithashtu ishte strehuar në këtë bodrum me tre fëmijët e saj, së bashku me disa gra të tjera me fëmijë.

Që kur kishin lënë shtëpinë në Hoçë të Vogël, djali i saj i madh, Shqiproni, kishte fjetur në katin e sipërm me gjyshen e tij, por atë natë ai donte të ishte me nënën dhe me dy motrat.

“Shqiproni erdhi poshtë dhe më tha: Sonte dua të fle këtu, dhe shkoi e u shtri mes dy motrave të tij”, tregon Zyrafetja. “Vajza ime e vogël më kërkoi bukë dhe ia dhashë një copë bukë me sheqer”.

Sebahatja në atë kohë 33-vjeçare, ishte zgjuar rreth orës 1 të natës dhe e kishte ushqyer beben e saj gjashtëmuajshe dhe ia kishte ndërruar pelenat. Ishte e vështirë ta vinte në gjumë, sepse nuk kishte mundur ta merrte djepin. Por, megjithatë, të dyja i kishte zënë gjumi.

Zyrafetja ishte ende e zgjuar kur dëgjoi fqinjën e tyre, Afërditën, duke thënë: “E pashë një ëndërr sikur serbët po bombardojnë.” “U ngrita dhe shikova nga dritarja dhe i thashë mundohu të flesh. Është veç ëndërr”, tregon Zyrafetja.

Disa minuta më vonë Zyrafetja ishte zgjuar nga një shpërthim i fortë dhe po dëgjonte muret që po shembeshin. Të gjithë ata që po flinin lart ranë poshtë, pasi tavani dhe muret u shembën.

Ishte terr dhe krejt çka Zyrafetja mund të dëgjonte ishin britmat në errësirë. “Nuk kishte mundësi për dritë në atë moment. Isha e lënduar në kokë, qafë, në duar dhe këmbë. Por nuk po ndieja asgjë. Isha e mpirë”, tregon ajo.

Më vonë dikush kishte ardhur nga jashtë me një qiri të ndezur. Tavani dhe muret ishin shembur dhe kishin rënë mbi njëri-tjetrin.

Në bodrum ishin 12 fëmijë dhe katër nëna. Të gjithë fëmijët, përfshirë edhe një fëmijë 3 muajsh dhe nëna e tij ishin vrarë.

Njerëzit kishin filluar të mblidheshin, duke u munduar të shihnin kush kishte mbijetuar nën mure. “Dikush vendosi dorën mes të çarës së murit dhe ndjeu se dikush po lëvizte”, tregon Zyrafetja.

Në qosh gjetën motrën e saj, Sebahaten. Ajo ishte gjallë, por e plagosur rëndë dhe ishte pa vetëdije. Të pesë vajzat e saj kishin vdekur.

“Nga momenti kur shtëpia u godit e deri në agim, endesha brenda e jashtë shtëpisë duke u munduar të dëgjoja ndonjë zë ose frymëmarrje. Vija veshin mbi murin që i kishte zënë, mundohesha të dëgjoja ose të nuhasja ndonjë gjë, por nuk kishte asgjë,” kujton ajo.

Më shumë se 23 vjet pas asaj dite, e përhumbur në mendime, Zyrafetja vështron e verbër diku larg në hapësirë, sikur mundohet t’i bëjë bashkë kujtimet për atë çfarë kishte humbur.

“Nuk mbaj mend shumë nga ajo natë. Por më kujtohet që ishte aq terr, dukej sikur dita nuk do të zbardhte kurrë. Nëse do të kishte dritë, mund të shihja ndonjë gjë të fëmijëve. Të paktën edhe një herë”, thotë ajo.

Në total 42 civilë ishin vrarë natën mes 1 dhe 2 prillit, shumica fëmijë dhe gra. Trembëdhjetë nga ata ishin të familjes Berisha, përfshirë një grua dhe vajzën e saj nëntëmuajshe.

Më pas forcat serbe kishin hyrë në fshat dhe i kishin urdhëruar të mbijetuarit që të merrnin traktorët me vete dhe të drejtoheshin nga kufiri me Shqipërinë, sikurse mijëra të tjerë që po dëboheshin.

“Nuk doja t’i lija”

Mëngjesin e 3 prillit, e shtrirë në një shtrat në Spitalin e Kukësit në Shqipëri, Sebahate Berisha kishte filluar ta rikthente vetëdijen dhe të mendonte se çfarë kishte ndodhur. Të pesë fëmijët: Adelina 9, Njomza 7, Shkurtesa 5, Lezia 2 dhe Elhamja 6 muajshe ishin vrarë.

“Nuk doja të isha gjallë më. Por nuk mund të lëvizja”, kujton Sebahatja.

Motra e saj më e re, Zyrafetja, gjithashtu kishte humbur tre fëmijët e saj, Shqipëronin 12, Dafinën 9, dhe Valmirën 7 vjeç.

Sebahatja kujton se si kishte vazhdimisht ankthe derisa po rimëkëmbej në spital.

“Doja të ikja nga spitali. Më dukej se dëgjoja zërin e fëmijëve. Ata kishin mbetur vetëm”, thotë Sebahatja.

Dhjetë ditë pas bombardimit, banorët e mbetur të fshatit dhe disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mundën t’i nxirrnin nga rrënojat trupat dhe t’i varrosnin në oborrin e asaj shtëpie ku ishin vrarë, në Nagavc.

“I kishin mbështjellë me çarçafë dhe ua kishin vënë letrat me emrat e tyre në shishe xhami të lëngjeve nën krahë. Vajza ime e vogël (Elhamja) nuk e kishte shishen mes krahëve. Shishja ishte nën këmbën e saj të majtë”, thotë Sebahatja.

“Ishte fati ynë”

Sebahatja dhe Zyrafetja së bashku me burrat e tyre dhe vjehrrën u kthyen në shtëpi më 2 korrik 1999, pasi lufta mbaroi dhe NATO-ja i detyroi forcat serbe të tërhiqeshin. Aty gjetën gjithçka që patën të bërë shkrumb nga granatimet.

Baby Boo