Do të shtrenjtohet rryma elektrike?!


ESM përgatiti dhe dorëzoi në Qeveri planin e prodhimit për vitin 2022, si dhe planin financiar. Është gjithnjë e më e sigurt se nga viti i ardhshëm qytetarët do të paguajnë fatura më të larta të energjisë elektrike.
TV24 merr vesh se çmimi i prodhimit të energjisë elektrike ESM prej 36 eurove aktuale do të rritet ndoshta në 45 euro për megavat orë. Një nga kriteret kryesore për vendosjen e çmimit për familjet është çmimi i prodhimit të ESM.
Sipas informacioneve të TV24, kompania shtetërore do të kërkojë rritje të çmimit të energjisë elektrike për njëzet për qind, në letrën drejtuar Qeverisë jepen përllogaritje, çmime dhe sasi të ndryshme – dhe çfarë do të thotë secila prej tyre financiarisht.

Rritje do të kërkojë edhe MEPSO-ja shtetërore, por tani për tani janë në analizë. Drejtori Kushtrim Ramadani thotë për televizionin tonë se do të kishim përllogaritje të sakta në ditët në vijim, por megjithatë pjesëmarrja e MEPSO-së në çmimin përfundimtar është minimale.
Është ende herët të thuhet nëse dhe sa do të jetë rritja sipas personit të parë të Rregullatorit. Bislimovski në një prononcim për TV24 thotë se pas marrjes së përllogaritjeve nga kompanitë do ta kenë vendimin përfundimtar.

Maqedonia është zyrtarisht në një krizë energjetike që nga 9 nëntori. Kompanive deri më tani u janë injektuar 65 milionë euro për të përballuar shpenzimet që kanë bërë në periudhën e kaluar. Autoritetet njoftuan se nëse është e nevojshme, do të ketë ndihmë financiare shtesë.

Të gjithë e shohin shpëtimin në aktivizimin e kapaciteteve vendore, të cilat do ta rrisnin prodhimin vendor – i cili në periudhën e kaluar është në nivel vërtet të ulët. Vendi po përballet me konsum më të madh se sa prodhim, për çka MEPSO shtetërore prej disa muajsh po e tërheq pandërprerë energjinë elektrike nga rrjeti evropian. Pra vetëm për muajin tetor ka marrë një faturë prej 16.5 milionë euro.

REK Oslomej duhet të fillojë punën të mërkurën, ndërsa javën e kaluar Qeveria e ka porositur ESM-në që të blejë naftë për TC Negotinë – pas së cilës ky termocentral do të fillojë me punë.
Disa ekspertë kanë paralajmëruar disa herë se çmimi i energjisë elektrike do të jetë më i lartë.

Baby Boo