Divorcet e kumarit; Në Elbasan, 395 kazino, 576 zgjidhje martesash


Në Gjykatën e Shkallës së parë të rrethit gjyqësor Elbasan çdo vit regjistrohen qindra raste të kërkesave për zgjidhje martese. Pra çdo vit qindra familje shkatërrohen. Ekspertët thonë se në shumicën e rasteve janë gratë ato që ndërmarrin hapin ekstrem të kërkesës për divorc.

Por cilat janë shkaqet?

“E para, sepse ato ndjehen më të dhunuara. Dhe për të mbrojtur familjen, fëmijët, faktori ekonomik dominon mbi të gjithë faktorët e tjerë. Ka edhe nga ata bashkëshortë që edhe ato pak të mira materiale që fitojnë për familjet e tyre i lënë në lojërat e fatit. Këto dy vitet e fundit, në Elbasan, ka qenë një pikënisje kryesore për të gjithë proceset për zgjidhjen e martesës”, shprehet avokati Demir Çiftja.

Në Gjykatën e rrethit Gjyqësor Elbasan, vetëm gjatë vitit 2017 janë bërë 576 kërkesa për zgjidhje martese, ndërsa në tremujorin e parë të 2018 kanë kërkuar divorc 154 persona.

Statistikat vijnë gjithmonë e në rritje siç po shtohen edhe lojërat e fatit dhe kazinotë. Aktualisht në bashkinë e Elbasanit ushtrojnë aktivitetin e tyre 395 kazino, lojëra fati e baste sportive.

Top Channel

Baby Boo