Dita e pestë: Barrikadat vazhdojnë ta bllokojnë Veriun, ndërkombëtarët kërkojnë të hiqen nga ata që i kanë vendosur


Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, pesë ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

Që nga e shtuna kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë aty përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që ato të hiqen. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe në ditën e pestë, ndërkaq shkollat sipas raportimeve nuk janë hapur as sot, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Barrikadave i parapriu një javë mjaft e tensionuar ku pati shpërthime bombash e shkëmbim zjarresh mes bandave kriminale serbe e policëve të Kosovës si dhe shpërthime të tjera e sulme edhe ndaj gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Sipas Escobar, barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vendosur.

“Ajo që dua të them ka të bëjë më pak me fajësim dhe më shumë me rrugën përpara. Realiteti është se ne kemi nevojë që të gjithë të kontribuojnë në proces dhe të gjithë të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj krize aktuale. Unë vërtet besoj se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë ato”, tha dje Esobar.

Se barrikadat duhet të hiqen me marrëveshje politike, jo me buldozerë, e tha edhe ndërmjetësi evropian në dialog Miroslav Lajçak.

Pas takimit që pati dje me kryeministrin Albin Kurti, Lajçak tha se mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo buldozerë.

Baby Boo