Dita e luleve u festua në Veshallë të malësisë së Tetovës


Festa më e bukur e vitit, Dta e Luleve, ashtu si çdo vit, solli gjallërinë katundit Veshallë, këtij vendbanimi që dita ditës po vdes nga pak. Kjo festë që i paraprinë Shën Gjergjit, e që vjen nga lashtësia, ka kohë që e ka zbehur shkëlqimin që kishte. Falë këtyre banorëve malësorë që festat e motmotit i respaktojnë edhe sot, në këtë katund, Dita e Luleve dhe e Shën Gjergjit vazhdon të festohet nga të rinjtë dhe të rejat veshallas. Tani më, vajzat që dikur në këtë ditë, duke kënduar e vallëzuar udhëtonin dy orë për të arritur te ,, Gjuri i Caucave”, në vendin e quajtur ,,Vardishë”, ku do takoheshin me të rinjtë e katundit Bozovcë, dalin te ,,Loma e Dervenit”dhe te ,,Mollat e tharta”. Edhe sot dhjetra vajza të veshura me teshat tradicionale për këtë zonë, të shoqëruara edhe nga familjarë, me dajre në dorë dhe me këngët e moçme, karakteristike për festën e Shëngjergjit, kishin dalë për të festuar në këtë natyrë të mrekullueshme që përballë e kishte Vardishën dhe Malin e ,,Gjurit dinak”. Sot vajzave të Veshallës u ishin bashkangjitur edhe shumë tjera që jetojnë në qytet. Shpresoj se edhe viteve që do vijnë, do vazhdojë kjo traditë e festimit të kësaj dite që na e sjell ndër mend të kaluarën e bukur, kur djemtë dhe vajzat ashtu të lirë merrnin rrugën e gjatë për te vendi i shenjtë,,Gjuri caucave”. Falë grupit të vajzave veshallase që sot i nxorrën veshjet e bukura nga dollapët e garderobës, si dikur nënat dhe gjyshet e tyre nga arkat e vjetra, dhe i kënduan këngët e vjetra të Ditës së Luleve dhe të Shën Gjergjit, u shënua kjo feste me aq vlera etnokulturore për kombin tonë. Gëzuar !

Nga: Vebi Bexheti

Baby Boo