Dita e ekologjisë, nxënësit në aksion për të dëshmuar në vepër edukatën ekologjike


Në ditën e parë të pranverës ose ndryshe Dita e Ekologjisë, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme përveshën krahët për të dëshmuar edukatën ekologjike. Më këtë rast, ata mbollën lule dhe pastruan oborret e shkollave ku mësojnë me qëllim që të kenë ajër dhe ambient më të pastër.

“Nëse mbillen më shumë lule dhe dru do të kemi ajër më të pastër si dhe ambienti do të jetë më i pastër. Bota do të bëhet më e mirë për të jetuar”.

“Nuk duhet të këputen dhe të shkatërrohen lulet, duhet të mbillen ato sepse nga lule kemi oksigjen më të mirë dhe shumë gjëra tjera”.

“Po mbjellim lule dhe do ta pastrojmë oborrin. Duhet të kujdesemi për ambientin dhe mos ta ndotim atë”.

Udhëheqësit e shkollave thanë se problemet ekologjike janë në shqetësim e sipër, prandaj të njëjtat duhet të trajtohen në vazhdimësi si dhe të krijohen programe mësimore shtesë për këtë dukuri.

Ne do të vazhdojmë edhe më tutje. Aksenti nuk është vetëm në këtë ditë dhe këtë javë, do të vazhdojmë edhe javët e ardhshme me krasitjen e druve dhe rregullimin e tyre në oborrin e shkollës – deklaroi Gjurgjica Batallakova, drejtore e Sh.F “Mirçe Acev”.

Gjatë sezonit pranveror Qyteti i Shkupit bashkë me “Parqet dhe Gjelbërimet” kanë paraparë të mbjellin 1.200 fidanë me kualitet të lartë ndërsa shumë hapësira tashmë janë projektuar të gjelbërohen. Mirëpo, dy institucionet në fjalë edhe një herë apeluan që të mos vidhen lulet në parqe dhe të ndalojë parkimi i makinave në hapësirat e gjelbra.

Në këtë vit kemi planifikuar 43 projekte të reja për rikonstruimin dhe ngritjen e hapësirave të reja të gjelbërimit. Kështu që ato hapësira të reja dhe ato rikonstruime të hapësirave të reja të gjelbërimit janë për qytetarët e qytetit të Shkupit, nëse ata parkohen dhe vjedhin, atëherë nuk kemi arritur asgjë – deklaroi Ardijan Muça, “Parqet dhe Gjelbërimet”.

21 Marsi shënon edhe Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve e cila u miratua në vitin 2012 nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ky vendim u mor për të rritur ndërgjegjësimin e njerëzve për rëndësinë e të gjitha llojeve të pyjeve dhe pemëve jashtë pyjeve. Sipas statistikave botërore, plot 13 milionë hektarë pyje shkatërrohen çdo vit. Shpyllëzimi është fajtor për 12-20 për qind të emetimit të gazrave që kontribuojnë në ndryshimet klimatike.

Baby Boo