Diskriminohen privatët, ministri premton zgjidhje


Pas reagimit të specializantëve privatë, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se tashmë janë siguruar paratë. Megjithatë, kjo është hera e tretë që pjesëmarrësit marrin një premtim se do të paguhen. Nga ministria përkatëse shtojnë se tashmë janë siguruar fonde për specialistët privat, por pagesa do të fillojë pas procedurave të plota

 

 

Shkup, 29 gusht – Ministria e Shëndetësisë në shtator do të shpallë konkurs për të gjithë specializimet shtetërore, të cilat janë të nevojshme në institucionet shëndetësore në vend, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, sipas të cilit, është bërë analizë për specializimet e nevojshme si dhe është siguruar edhe një numër adekuat i mentorëve për disa specializime që kërkohen në institucionet shëndetësore, shkruan gazeta KOHA në numrin e sotëm.

“Në ato vende ku ka mungesë të specialistëve adekuate, ne bëjmë marrëveshje mes shtëpive të shëndetit dhe klinikave në Shkup. Për shembull, mungesën e gjinekologëve e kemi zgjidhur në disa qytete në vend”, tha Filipçe. Ai tha se në gjashtë muajt e fundit, në institucionet shëndetësore në vend janë pranuar 2 mijë mjek dhe personel mjekësor, me qëllim që të mbulohet mungesa e kuadrit dhe të mundësohet funksionimi normal i institucioneve shëndetësore. Megjithatë, tek tani duket se problemi me heqjen e shpenzimeve të specializantëve privat do të zgjidhet. Në mbledhjen e fundit të Qeverisë është pranuar propozimi i ministrit Filipçe për heqjen e shpenzimeve për mjekët që nisin studimet për specializim, përkatësisht subspecializim.

Deri tani, shpenzimet për specializim mbuloheshin vetëm për ata që kanë vendosur të punojnë në institucionet publike shëndetësore, ndërsa privatët duhej të paguanin vetëfinancim. Të parët detyroheshin gjithashtu të punojnë 10 deri 15 vite, pas mbarimit të specializimit, në klinika shtetërore, derisa nëse të njëjtit ndërprerin punë, sipas kontratës, parashihej shlyerja e “dëmit”, konkretisht kthimi i mjeteve sërish në Buxhetin e shtetit. Ndërsa, shumë mjekë që kanë hapur ordinanca private ishin anashkaluar nga shpenzimet publike për specializim. Për gazetën “Koha”, specializantët e stomatologjisë thonë se 99 për qind e studentëve në këtë degë vetëfinancohen. Mirëpo, sipas tyre, është premtuar se Ministria e Shëndetësisë do t’i kompensojë shpenzimet e tyre me paga mujore, e cila parashihet të jetë diku 400 euro.

Ministri Venko Filipçe është zotuar se kompensime do të marrin edhe specializantët privat, ndërsa ka informuar se tashmë janë paguar 340 specializantë.

“Për pagesën e specializantëve, për çdo muaj 340 kanë filluar të marrin paga për punën e tyre. Duhet paguar edhe 92 pjesëmarrës gjatë vitit 2018. Të gjithë pjesëmarrësit privatë (92 kandidatë), të cilët kanë fituar të drejtën dhe marrin kompensime mujore në konkursin e fundit për specializime private, nuk janë anashkaluar as me buxhetin e miratuar në fund të vitit 2017. Duke bërë këtë, ne kemi përmbushur qëllimin tonë për t’i bërë të gjithë pjesëmarrësit privat të shpërblehen për përpjekjet e tyre. Specializantët paguhen në mënyrë retroaktive, duke filluar nga shtatori”, thotë ministri Filipçe.

Mëgjithatë, specializantët akuzojnë se premtimi ishte që pagesat të fillojnë në qershor. Andrijana Trajkova, specializante private, thotë se edhe pse semestri i dytë i studimeve do të nis për mjekët e rinj të gjeneratës së 2018, edhe më tej mungon ndihma e premtuar e shtetit.

Regjistrimi i specializantëve privat kushton 70-80.000 denarë. Shpenzimet, që specializantët thonë se i kanë, janë një goditje e madhe në xhepin e tyre.

“Ne i kërkojmë këto paga sepse na i kanë premtuar. Nëse kjo nuk fillon të realizohet sa më parë, vendi do të mbetet pa mjek. Pa të ardhura dhe burime financiare, pra nuk kemi asgjë. Si mund të formojmë familje këtu? Si mund të qëndrojmë këtu dhe të ndërtojmë të ardhmen? Ne kërkojmë të paguhemi. Nëse kjo nuk ndodh, ne do të kërkojmë një vend për një të ardhme më të mirë. Një vend që do të na vlerësojë dhe një shoqëri që do të na e di poashtu vlerën “, thotë studentja Trajkova. Ajo bashkë me shumë specializantë të tjerë kanë dërguar kërkesat e tyre (me letër) në adresë të institucioneve përkatëse. Por, u është kumtuar më vonë se buxheti për paratë e premtuara nuk ishte planifikuar në të vërtetë. Pas reagimit të specializantëve, Ministria e Shëndetësisë menjëherë njoftoi se kishin siguruar para. Kjo është hera e tretë që pjesëmarrësit marrin një premtim se do të paguhen. Nga Ministria e Shëndetësisë shtojnë se tashmë janë siguruar fonde për specialistët privat, por pagesa do të fillojë pas procedurave të plota.

“Ministria e Shëndetësisë me ndihmën e Qeverisë ka siguruar fonde buxhetore për pagesën e specialistëve privat të regjistruar në konkursin e janarit. Pagesa do të fillojë pas procedurave të plota ndërmjet Fondit dhe Klinikave ku specializohen mjekët privat”, thonë në ministri, edhe pse paga e muajit maj për mjekët e rinj, sipas premtimit fillestar të ministrit Filipçe, duhej të ishte paguar deri në fund të qershorit.

Baby Boo