“Diplomacia e vaksinave” dhe defaktorizimi i shqiptarëve


Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë
Se kush çfarë fuqie ka në skenën e politikës globale mund të shihet edhe nga sasia e vaksinave anti-Covid të siguruara. Sigurimi i këtyre injeksioneve do të thotë jo vetëm shpëtim jetë njerëzish, por edhe të ekonomisë dhe mirëqenies. Andaj lu*fta për vaksina i ngjan një përplasjeje midis anëtarëve të një ekspedite në shkretëtirë për një gotë ujë. Në nivel botëror Izraeli është kah fundi i procesit të vaksinimit, që më pas të renditet Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Turqia, Bahrejni e kështu me radhë.

Në të njëjtën kohë, numri i vaksinave të siguruara mund të jetë tregues edhe për rëndësinë e një shteti në hartën e politikës rajonale ose globale. Vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina – me një popullsi prej 18 milionë banorësh dhe GDP sa Rumania, u futën në garë për vaksina pa shumë shpresa. Të gjithë shpresat i kishin te sistemi Covax, i formuar në fillim të vitit 2020 me qëllim të shpërndarjes së drejtë të vaksinave. Mirëpo, ajo që pasoi ishte e ashtuquajtura “diplomacia e vaksinave”. Njëjtë si në fillim të pandemisë, kur me dhurimin e maskave dhe aparateve të oksigjenit, Rusia dhe Kina dëshironin të fitojnë zemrat e popujve të varfër.

Në këtë lloj të diplomacisë, që besohet të jetë efikase për momentin e dhënë, duket se ka një garë midis fuqive globale se kush do ta fitojë simpatinë e Serbisë. Qytetarët serbë mund të zgjedhin si në market se cilën vaksinë ta marrin – Sinopharm të Kinës, Sputnik V të Rusisë, Pfizer/Biontec të SHBA-së dhe Gjermanisë apo AstraZeneka të Britanisë së Madhe dhe Suedisë. Kjo bëri që Serbia të jetë e dyta në rang europian me 15 të vaksinuar në 100 shtetas, menjëherë pas Britanisë së Madhe me 35 në 100 shtetas. Madje, Serbia i dhuroi afër 8 mijë vaksina të Pfizer-it Maqedonisë së Veriut për të imunizuar së paku punëtorët shëndetësorë. Shqipëria ka një shkallë të ulët të vaksinimit, kurse në Kosovë, Mal të Zi dhe BeH nuk ka filluar ende (deri në përfundim të këtij teksti).

Vakumi nga procesi i ngrirë eurointegrues
Serbia dhe Mali i Zi janë në procesin e negociatave për anëtarësim në BE, kurse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ka kohë që presin fillimin e premtuar të bisedimeve me Brukselin. BeH dhe Kosova, ndërkaq, janë larg kësaj pike. Madje, Kosova nuk ka as liberalizim vizash.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin optimiste qysh në qershor të vitit të kaluar se do të merrnin datën e fillimit të negociatave, por u zhgënjyen kur ky vendim u prolongua për arsye teknike. Në fakt, dilemat brenda Unionit kishin sjellë zhgënjim te vendet aspirante, të cilat nuk arritën ta marrin shpërblimin e premtuar nga Brukseli. Tirana dhe Shkupi kishin kaluar nëpër një periudhë të vështirë të reformave të rënda dhe të ndjeshme, duke ndryshuar edhe kushtetutën: e para për reformat në drejtësi, kurse e dyta për ndryshimin e emrit të shtetit.

Edhe pse procesi i negocimit mund të zgjasë me vite të tëra, prapëseprapë brenda BE-së ende ka vende skeptike. Ka qenë imazhi i keq i Shqipërisë, si vend me prani të madhe të krimit të organizuar, dhe informatat për korruptimin e sistemit gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, momentet që kanë ndalur tre vendet skeptike që të shpërblejnë proceset reformuese në këto dy vende. Së fundmi, ishte Bullgaria ajo që ndaloi nisjen e negociatave.

Mungesa e “shpërblimit” të premtuar për Shkupin dhe Tiranën, si dhe pamundësia e ecjes më dinamike drejt ëndrrës europiane të Prishtinës dhe Sarajevës, krijon një boshllëk të madh në Ballkan, i cili shihet si mundësi e madhe për vendet lindjes, si Rusia dhe Kina. Ekspertët thonë se në gjeopolitikë nuk ekziston vakum, pasi lojtarë tjerë mbushin çdo hapësirë të lënë jashtë interesit të Brukselit dhe Uashingtonit. Rusia dhe Kina kanë arritur ta rrisin ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, kjo shkaku i mungesës së fokusit të Perëndimit në këtë rajon.

A mund Ballkani të bëhet i Lindjes?
Rusia ka një treg të madh dhe atraktiv për ekonomitë e vendeve tjera. Bashkë me Bjellorusinë, Armeninë, Kazakistanin dhe Kirgizinë formojnë Bashkimin Euroasian, që numëron 180 milionë banorë. Por, nga ana tjetër, tregu i BE-së numëron 512 milionë banorë dhe jep mundësi më të mëdha për prodhimet jo vetëm të vendeve të Ballkanit, por edhe për vendet e tjera.
Vaksinat dhe forcimi lidhjeve kulturore e fetare me popujt e Ballkanit, megjithatë, nuk janë ndikime të qëndrueshme. Prania e ndikimit lindor në Shkup dhe Tiranë është asimetrik me investimet e tyre në këtë rajon. Pra, me investime të vogla kanë arritur të kenë një ndikim të madh në këto vende.

Për shembull, në Maqedoninë e Veriut, që nga viti 2010 e deri më tash në formë të investimeve të drejtpërdrejta Rusia ka derdhur gjithsej 49.03 milionë euro në vend. Kjo sasi totale e investimeve të drejtpërdrejta ruse është dukshëm më pak se ajo e vendeve anëtare të BE-së, të cilat në të njëjtën periudhë arrijnë shumën prej 1.4 miliardë eurosh. Kështu, në listën e investuesve të huaj në Maqedoninë e Veriut, Rusia renditet si e 16-ta, pas Holandës në pozitën e parë (294 milionë euro), Gjermania është në vendin e 2-të (286.5 milionë euro), Austria e 3-ta (266.5 milionë euro), Turqia e 4-ta ( 258.9 milionë euro), Mbretëria e Bashkuar e 5-ta (206.3 milionë euro), Bermuda e 6-ta (129.6 milionë euro), Greqia e 7-ta (109.2 milionë euro), Zvicra e 8-ta (102.3 milionë euro), Sllovenia e 9-ta (99.3 milionë euro), Italia e 10-ta (82.7 milionë euro), Saint Vincentand Grenadinest e 11-ta (73.7 milionë euro), Emiratet e Bashkuara Arabe në vendin e 12-të (65 milionë euro), Belgjika në vendin e 13-të (64.4 milionë euro), Kina në të 14-tin (54.9 milionë euro), Bullgaria në vendin e 15-të (50.4 milionë euro), SHBA në vendin e 17-të (41.5 milionë euro), Bahamas në të 18-tin (31.7 milionë euro), Suedia në 19-tin (31.1 milionë euro), Lihtenshtajni në të 20-tin (27 milionë euro), Qipro në vendin e 21 (26.1 milionë euro), Kosova në vendin e 22-të (20 milionë euro), Hong Kongu në vendin e 23-të (20 milionë euro), Rumania është e 24-ta (17.7 milionë euro), Luksemburgu e 25-ta (15.6 milionë euro), Shqipëria në vendin e 26-të (14.5 milionë euro) dhe Serbia në vendin e 27-të (13 milionë euro).

Rusia është në vendin e 16-të edhe si partner tregtar i Maqedonisë, me eksport të përgjithshëm prej 5.4 milionë euro në 2018 dhe 8.2 milion euro në 2019, ndërsa importi nga Rusia ishte 40.7 milionë euro në 2018 dhe 42.8 milionë euro në 2019. Mbi Rusinë në listë, nga vendi i parë, është Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Greqia, Serbia, Italia, Rumania, Kina, Turqia, Belgjika, Hungaria etj.

Kina, ndërkaq, nuk kërcënon interesat e Perëndimit në rrafshin politik, por në atë ekonomik. Për shkak të fuqisë së lirë të punës, pozitës së mirë për depërtim dhe prani më të fuqishme në tregun e madh europian dhe sigurimin e lehtë të favoreve nëpërmjet korruptimit të bartësve të funksioneve shtetërore, Kina është duke rritur përnjëherë praninë e saj ekomomike në Ballkan. Afër 5 miliardë dollarë investime janë të koncentruar në Shqipëri, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë. Shqetësimi i Perëndimit është se investimet kineze, nëpërmjet kreditimit, vetëm sa e rrisin borxhin publik të shteteve ballkanike, të cilat më pas mund të bëhen të varura nga Kina edhe në aspektin politik.

Diplomacia shqiptare dhe rënia e fuqisë politike
Prania e Rusisë në Shqipëri, Kosovë dhe te shqiptarët në përgjithësi është thuajse e parëndësishme. Ndikimi i saj në Kosovë arrihet vetëm nëpërmjet pranisë në pjesën veriore të vendit. Në vitin 2016 Rusia ka shënuar investime prej vetëm 2 milionë eurosh në Kosovë, kurse ka eksportuar mall në vlerë prej vetëm 7 milionë eurosh. Vetë orientimi i shqiptarëve etnikë kah Perëndimi nuk krijon bazë për ndikime të theksuara nga Rusia, Kina, Irani ose nga vendet e Gjirit Persik. Andaj BE-ja mbetet partneri kyç ekonomik jo vetëm në Shqipëri, e Kosovë, por edhe në Serbi dhe në vendet e Ballkanit, ekonomia të cilëve në masë të madhe varet nga Brukseli.

Siguria që e garanton NATO dhe zhvillimin ekonomik që e nxit BE-ja, bën që lidhja e Ballkanit me Perëndimin të jetë edhe për një kohë të gjatë pa alternativë. Edhe pse shpesh gjatë pandemisë u kritikua për mungesë solidariteti ndaj vendeve joanëtare, por edhe midis vendeve anëtare, BE-ja do të vazhdojë t’i diktojë agjendat në vendet aspirantë. Hapja e çdo kllasteri tematik, që përfshinë sfera të caktuara, do të thotë zbatim të reformave rrënjësore. Në këtë mënyrë, BE-ja, përveç se është investitori më i madh në këto vende, do të ketë po ashtu edhe ndikimin që do të jetë simetrik me këtë prani ekonomike.

Mungesa e bashkëpunimit dhe bashkërendimit midis Tiranës dhe Prishtinës në politikën e jashtme ka bërë që të zbehet roli i shqiptarëve në Ballkan. Përplasja Tiranë-Prishtinë, e shkaktuar rreth heqjes së taksës ndaj Serbisë, por edhe disonanca rreth marrëveshjes gjithëpërfshirëse historike me Beogradin, ka ulur seriozitetin e politikës shqiptare në rajon. Këtë krizë në marrëdhëniet shqiptaro-kosovare e ka shfrytëzuar maksimalisht Beogradi. Numri i çnjohjeve dhe bllokimi që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare janë tregues i qartë për këtë. Serbia është në avantazh jo vetëm me vaksinat, por edhe me agjendat e tjera të saj, që kanë të bëjnë me dominim e Ballkanit Perëndimor.

Beogradi e ka të qartë doktrinën e tij në politikën e jashtme – normalizim i marrëdhënieve me SHBA-në, integrim në BE dhe vëllazëri me Rusinë dhe Kinën. Në hartën e partnerëve strategjikë të Serbisë gjithsesi se është edhe Turqia, e cila është në top-pesëshen e investitorëve të huaj. Në anën tjetër, diplomacia shqiptare dhe kosovare nuk i kanë të kristalizuara marrëdhëniet me faktorët e politikës globale dhe rajonale: miqësia me SHBA-në dhe partneriteti me BE-në është sfiduar shpesh me mungesën e rezultateve në sferën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe me mosrespektimin e rekomandimeve për rifillimin e dialogut me Serbinë, ndërkaq me Turqinë, si investitor i tretë, kanë pasur marrëdhënie të lëkundshme dhe të pastrukturuara mirë.

Pra, mungon doktrina e përbashkët e Prishtinës dhe Tiranës, ku do të definohen qartë interesat e përbashkëta të të dyja shteteve, partnerët në realizimin e tyre dhe qasja ndaj vendeve që mund t’i pengojnë ato interesa.
Zgjedhja e presidentit të ri Amerikan, Joe Biden, shënon edhe rikthimin e multilateralizmit dhe bashkëpunimit transatlantik. Kjo nënkupton se, për çështjet e Europës, SHBA-të do të bashkërendojë diplomacinë me BE-në. Kjo kërkon ripozicionim më të mençur të Tiranës dhe Prishtinës në këtë epokë të re të proceseve në Ballkan.

Baby Boo