Dimitrov nga Spanja: “Në rrugën tonë me gjemba drejt BE-së, kemi përsosur durimin”


Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov sot në Madrid foli në ngjarjen “Zgjerimi i ardhshëm i BE-së: vëzhgime dhe gracka”. Diskutimi u fokusua në përfitimet e zgjerimit si nga rajoni ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare, si dhe rëndësia e fuqisë transformuese në procesin e anëtarësimit, e cila është parakusht për vlerësim objektiv të kritereve të anëtarësimit, kumtoi SÇE-ja.

Zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov në Madrid ka folur në temën “Zgjerimi i ardhshëm i BE-së: vëzhgime dhe gracka”. Dimitrov theksoi se procesi i zgjerimit në fakt është proces i kompletimit të Evropës dhe përfundimit të projektit për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe prosperitet në kontinent.

“Me zgjerimin e BE-së me vendet e rajonit, harta e Evropës nuk do të zgjerohet, do të mbetet e njëjtë, e thënë simbolikisht – vetëm zona gri aktuale do të bëhet blu-verdhë. Prandaj duhet të flasim për përfundimin e bashkimit të Evropës”, tha Dimitrov.
Ai theksoi se procesi integrues evropian i Maqedonisë së Veriut është çështje përmes së cilës shqyrtohet kohezioni i brendshëm i BE-së dhe vlerat mbi të cilat bazohet, si dhe ndikimi i BE-së në rajon.

“Në rrugën tonë me gjemba, ne e kemi përsosur durimin sepse arsyeja e shtyrjes së fillimit të negociatave të anëtarësimit nuk ishte mospërmbushja e kritereve të Kopenhagës, por mosmarrëveshje dypalëshe. Ne kemi investuar kapital të madh politik bazuar në premtimin e BE-së, por kur premtimi nuk realizohet, besimi bëhet problem dhe BE-ja humb ndikimin e saj në këtë rajon me rëndësi strategjike. Është e qartë se shtetet anëtare kanë ndikim në procesin e anëtarësimit dhe për të imponuar interesat e tyre kombëtare, por a do të thotë kjo se mund të vendosin edhe kushte që janë në kundërshtim me vlerat evropiane? Gracka kryesore në procesin e anëtarësimit është të bëhet peng i çështjeve dypalëshe. Mënyra më e mirë dhe e vetme që vendet të rriten së bashku, të bëhen më të mençura dhe më të pjekura në aspektin politik është përmes projektit evropian”, tha Dimitrov.

Ndryshe, në diskutim morën pjesë edhe përfaqësuesi spanjoll në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së (GAC) Huan Gonzalez Barba, kryetari i GAK-së Gashper Dovzhan, ministrja e Serbisë për Çështjet Evropiane Jadranka Joksimoviq, si dhe përfaqësues të lartë të punëve të jashtme dhe evropiane nga Shqipëria dhe Mali i Zi.

Baby Boo