Dimitrov dhe Koxias: e kemi kornizën, fjalën e kanë kryeministrat, Zaev dhe Cipras. Mogerini dhe Han: të inkurajuar nga përparimi i Shkupit dhe Athinës


Dimitrov këtë e ka bërë të ditur pas takimit në Bruksel me shefin e Diplomacisë greke, Nikos Kotzias.
“Patëm takim produktiv. Kemi kornizë që duhet të punohet në të, ndërkaq për momentin ekipet juridike nga të dy ministritë po  punojnë. Planifikohen bisedime të rëndësishme në nivel kryeministrash, Zaev dhe Cipras, kah mesi i javës, ku shpresojmë se do të vendosin disa punë të rëndësishme nga opsionet të cilat janë në lojë”,- ka deklaruar Dimitrov.
Ai ka sqaruar se tani çështja duhet t’iu dorëzohet kryeministrave pasi që, sipas tij, është vërtetuar përvoja se komunikimi rreth procesit ndikon shumë nga kryeministrat e të dyja vendeve, Maqedonisë dhe Greqisë.
Edhe ministri i jashtëm grek, Nikos Kocias, ka thënë se punët në nivel ministrash kanë përfunduar, ndërkaq tani po punojnë ekspertët juridikë të palëve, për të vazhduar më pas me marrëveshjen finale të cilën do ta kenë në dorë dy kryeministrat, Zaev dhe Cipras.
“Bisedimet vazhdojnë në nivel ekspertësh, ndërkaq kur ata të përfundojnë, tekstet e përgatitura nga ministritë do t’u dorëzohen kryeministrave për marrëveshje finale”, – ka thënë Kocias.
Ndërkohë, zyrtarët e Bashkimit Europian kanë mirëpritur progresin në bisedimet për zgjidhjen e kontestit.
“Të gjithë jemi shumë të inkurajuar nga përparimi mes Shkupit dhe Athinës për emrin. Të gjithë do të punojmë që të mbështesim një epilog pozitiv”,- theksoi përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Federica Mogherini.
Edhe komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, ka mirëpritur zhvillimet pozitive në procesin e bisedimeve rreth emrit.
“Falënderime të veçanta për Nikos Kociasin dhe Nikolla Dimitrovin për seriozitetin e tyre në bisedime. Të gjithë me zemër i mbështesim bisedimet. Është vendosur konsensus që zgjidhja e emrit do të jetë rikthim në hapat e ardhshëm për procesin e anëtarësimit të vendit në BE-së”,-shkruan  eurokomisioneri, Johanes Hahn.
Takimit të ministrave Dimitrov dhe Kocias në Bruksel i parapriu ai i negociatave dyditore në Nju Jork, i javës së kaluar, me ndërmjetësin Nimic, i cili rezultoi pa epilog konkret, por, siç deklaroi ndërmjetësi Nimic, me shumë përkushtim për gjetjen e zgjidhjes.
Baby Boo