Dhuna seksuale nga forcat ushtarake serbe ndaj grave shqiptare gjatë luftës në Kosovë


Elife Luzha

Shpallja e shtetit të pavarur shqiptar më 1912, në një kohë luftërash të përgjakshme mes popujve në Evropë e Ballkan, ishte ngjarja më e shënuar në historinë mbi dymijëvjeçare të rrugëtimit të shqiptarëve. Shqipëria u shpall shtet, por gjysma e territorit të saj, si Kosova dhe pjesët e tjera më vitale të kombit si në vlera gjeografie, ashtu edhe në vlera historike, iu aneksuan dhunshëm Serbisë e Malit të Zi, ndërsa Çamëria iu dha Greqisë. Më 13 qershor 1878, Fuqitë e Mëdha i copëtuan tokat shqiptare në favor të sllavëve, përkundër siç thotë Kissinger (Henry Kissinger): “As Bizmarku (OttoVon Bizmarck), as Dizraeli (Benjamin Disraeli) nuk i donin sllavët e Ballkanit, të cilët i konsideronin ngatërrestarë kronikë dhe të egër” (Kissinger, 1999:155).
Me gjithë përfitimet sllave, në Koncertin Evropian, Rusia ankohej se nuk i kishte arritur të gjitha synimet. Pansllavët, koalicionin evropian e quanin “një dash kurbani për dështimin e tyre”. E, në fakt, politika e jashtme ruse, thotë Kissingeri, vuante nga propaganda e sëmurë, tema kryesore e së cilës ishte thirrja për një politikë agresive në Ballkan.

Kurse “autorë dhe intelektualë rusë e pansllavë, si prozatori dhe nacionalisti i pasionuar, Fjodor Dostojevski apo oficeri Rotisllav Andrejeviç Fadejev, altruizmin rus e interpretonin si një obligim për të çliruar popujt sllavë” (Kissinger, 1999:143). “Por Rusia, në politikën e jashtme, nuk është përkrahur si Amerika me konceptet e saj të lirisë e barazisë, që mund t’i përqafonte kushdo. Pansllavizmi rusishte i frikshëm dhe ekspansionist, që duhej ndalur”, thotë Kissingeri (po aty).

Shqiptarët besonin se në Konferencën e Paqes do të përmirësoheshin padrejtësitë e bëra ndaj tyre, gjë që nuk ndodhi. Përkundrazi, më 1913, gjashtë Fuqitë e Mëdha e legalizuan ndërkombëtarisht copëtimin e Shqipërisë.

Sipas Kissingerit, në Konferencën e Londrës, Britania e Madhe e pengoi aneksimin e Shqipërisë nga Serbia, sepse ishte e papranueshme për Austrinë (Kissinger, 1999:199).

Megjithatë, më 1912, serbët e rikthyen kontrollin mbi Kosovën, kurse sipas raportit të Carnegie Endowment*, të vitit 1914, serbët gjatë kësaj kohe shkatërruan fshatra të tëra, duke vrarë 25 000 shqiptarë etnikë (Sullivan, 2009: 45). “Kështu, një territor i vogël si Kosova, për shkak të konkurrencës së Fuqive të Mëdha, ndër vite shërbeu si një fushëbetejë në vijën e parë të frontit, dhe si një vend nga i cili nxirreshin burime ose kërkohej shpagim. Për këtë shembull është miniera e plumbit në Trepçë, e cila u shfrytëzua nga serbët, dhe po nga ata u përdor më 1999, për të djegur kufomat e viktimave të vrasjeve e përdhunimeve masive nga forcat ushtarake serbe” (Dervishi & Shatku, 2001, 31).“Më 1992, agresioni serbo-sllav e ktheu rajonin, e sidomos Bosnjën dhe Kosovën, “në një kazan që ziente, ku serbët prinin në larje të hesapeve të vjetra, në një mënyrë të egër” (Kissinger, 1999:195).

Gjithsesi, kjo egërsi serbe burimin e kishte te lëvizja politiko-kulturore serbe zenitizmi, që kishte lindur mes dy Luftërave Botërore dhe gjatë shek. XIX përhapte ide të kontaminuara kundër Evropës. Kjo lëvizje pretendonte se ka ardhur koha që në skenë historike të dal barbaro-gjeniu, pra njeriu i natyrës, i egër e fisnik, që duhet ta rigjeneroj qytetërimin e kalbur perëndimor. Ky gjeni barbar ishte serbi.

Janë pikërisht këto ide,që çuan në krimet barbare serbe gjatë luftës në Kosovë”, shpjegon Arbër Xhaferi, në librin Kombi, identiteti dhe shteti (Xhaferi, 2005: 322, 323).

Shqiptarët e pushtuar në tokat e tyre ishin të detyruar që, krahas luftës për mbijetesë, të organizoheshin në luftën për çlirim, deri në realizimin e aspiratës kombëtare sipas parimit për të drejtën e popujve për vetëvendosje, sepse “fjala ishte për një popull që jeton në një territor të përcaktuar qartë, nga pikëpamja gjeografike; popull kompakt, homogjen e autokton në trojet e veta” (Nasi, 1994:17). “Ky fakt ishte jo vetëm bindës, por edhe i arsyeshëm për çdo pretendim të shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë, e sidomos tanimë që e drejta ndërkombëtare e kishte legjitimuar parimin e Versajës, për vetëvendosje dhe dekolonizim” (po aty).

Megjithatë, edhe për shumë vite në vijim Kosova nuk u bë e lirë. Terrori dhe dhuna ndaj shqiptarëve vazhdoi deri më 1998-‘99, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK-ja), bashkë me NATO-n e çliruan Kosovën.

Krimi i dhunës seksuale ndaj grave shqiptare nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë

Përgjatë më se njëqind vjet të pushtimit serb në Kosovë, shqiptarët përjetuan dhunë të egër e të paparë në historinë më të re të kontinentit tonë. Doktrina serbe për asimilimin e shqiptarëve është e hershme dhe “që nga viti 1844 e deri më 1999 serbo-sllavët kanë projektuar dhe zbatuar 24 projekte për shfarosjen e shqiptarëve” (Mehmetaj, 2009:15). Me një fjalë, që nga “Millosh Obrenoviçi e deri te plani Patkoi më 1999, të gjitha planet serbe mbështeteshin nga qarqet më të larta shtetërore dhe kishin një synim të vetëm: shkatërrimin fizik të shqiptarëve në Kosovës. “Sulmet sistematike kundër popullsisë civile, vrasja e mbi 13 000 shqiptarëve, dhunimi i 20 000 grave shqiptare, vrasja e 1392 fëmijëve, vrasja e 1739 grave, vrasja e 10 000 civilëve të tjerë shqiptarë dhe zhdukja e 1653 kufomave civile” (Mahmuti, 2015:293). kishin si synim realizimin e këtij plani.

Është e vërtetë ajo që besonte Gandi (Mahatma Gandhi), se “vrasja nuk vret vetëm të vrarët, por edhe vrasësit”.Mirëpo në këtë rast, krimet serbe në Kosovë ishin më shumë se aq. Serbët duke aplikuar përdhunimin e grave shqiptare si mjet lufte, donin të vrisnin edhe moralin shqiptar. “Ky ishte kulmi i mizorisë njerëzore, një mënyrë i njohur edhe më parë, por asnjëherë qëllimi kryesor i përdhunimit nuk u kthye si ndihmës kryesor i një doktrine: thyerjes morale të një populli. Jo vetëm i grave, siç mund të merret në vështrim të parë, por, në radhë të parë, i burrave. Jo vetëm për brezin që po pësonte goditjen, por po aq edhe për brezin e ardhshëm”, thotë shkrimtari ynë, Ismail Kadare (Kadare, 2011:15).

Sipas Protokollit Ndërkombëtar për Dokumentimin dhe Hetimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, “dhuna seksuale është formë e urryer e dhunës, që përfshin përdhunimin dhe sulme të tjera të natyrës seksuale, të kryer kundër grave dhe vajzave, burrave dhe djemve, që mund të ketë pasoja brutale, ku përfshihen pasojat fizike dhe psikologjike për të mbijetuarit dhe dëshmitarët, por mund të ketë ndikim të thellë destabilizues në komunitetet dhe popullatat në tërësi” (assets.publishing.service.gov.uk/).

Dhuna seksuale mund të ketë pasoja fizike dhe psikologjike afatgjata. Në disa raste viktimat e dhunës seksuale, si dhe dëshmitarët, nën ndikimin e ngarkesës emocionale humbin arsyen e gjykimit, që mund të çojë në humbjen e dëshirës për jetë. Trajtimi i viktimave të dhunës seksuale nga institucionet relevante në këtë rast është jetik! Ndërsa të kuptosh drejt pasojat e dhunës seksuale është burimi për ofrimin e ndihmës adekuate për të mbijetuarit. Por për këtë do të diskutojmë në kapitujt në vijim. Tani po u lëmë hapësirë të flasin viktimat e dhunës seksuale, sepse siç thotë Roberto Saviano*, “nuk mund të ketë rrëfim të vërtetë të një lufte, pa rrëfimin e grave që e kanë përjetuar atë”.

Mimoza ishte 24 vjeçe dhe kujdesej për prindërit e saj. Ajo ishte personi më i dashur në familje, por një ditë jeta e saj mori një kthesë tjetër “Unë kam qenë fëmija i vetëm në familje. Nuk kam as motër, as vëlla. Për prindërit e mi kam qenë gjithçka. Në vitin 1999në shtëpi hynë tre policë serbë dhe filluan të rrihnin prindërit e mi. Më pas u kthyen nga unë dhe njëri prej tre policëve më dhunoi para syve të prindërve. Prindërit e përjetuan shumë keq. Më pas më kanë tërhequr zvarrë dhe më kanë lënë në rrugë. Më kanë rrahur shumë. Edhe sot ndiej dhembje në trup. Kam bërtitur sa kam mundur, por askush nuk më erdhi në ndihmë, pasi ishte luftë. Më pas edhe në rrugë më kanë dhunuar dhe më thoshin se do të ma merrnin zemrën dhe do ta peshonin sa kilogram ishte. Kanë pasur një thikë të gjakosur. Pikte gjak të nxehtë”…

Pas disa orësh, një fqinj i ka ardhur në ndihmë dhe e ka strehuar në shtëpinë e tij. Në gjendje të rëndë psikike, Mimoza donte t’i jepte fund jetës. Fqinji i ka folur me shumë kujdes dhe e ka qetësuar. Pas kthimit të saj në shtëpi, fillon tragjedia. Rrëfen Mimoza: “Për një kohë kam qëndruar e mbyllur në dhomë. Pas njëfarë kohe të shkurtër, më vdiq babai nga sulmi në zemër. Mërzitej shumë, pasi unë nuk mund të flisja me të. Nuk mundja ta shihja në sy. Më lutej shumë ta pinim një kafe bashkë, pasi e kemi pasur rutinë ditore. Pas ngjarjes, edhe nëna nuk ka qenë më asnjëherë në gjendje të mirë psikike, pasi e ka përjetuar shumë keq dhunimin tim. Një mëngjes nëna ishte afruar pranë bunarit 20 metra dhe ishte hedhur për të vdekur” (https://drenicapress.info). “Krimi më pak se çdo gjë, duron dhunimin e të vërtetës. E heshtja për krimin është më i pafalshmi gabim!”, thotë Kadareja. Të heshtësh të vërtetat tronditëse të grave si kjo, apo ndryshe si kjo, do të thotë ta lëndosh për vdekje apo ta varrosësh atë me duart e tua. /01.03.2018, Prishtinë.

Aplikimi i gjenocidit biologjik si mjet lufte nga forcat serbe në Kosovë

Në vitin 1998 gjashtë policë për tri ditë me radhë kanë dhunuar Vjollcën. Më pas e kanë futur në një kamion me kufoma, ku ka përjetuar tmerrin e vërtetë. “Kisha dërguar djalin në spital, pasi ishte i paralizuar. I gjithë vendi ka qenë me policë. Atë ditë më morën burrin dhe e vranë. Mbeta me fëmijët. Hyra në shtëpinë e dajës së burrit për të shpëtuar. Por edhe aty hynë policë. Dhe të gjithë i qitën jashtë shtëpisë. Vetëm mua më mbajtën brenda. Më kanë dhunuar gjashtë policë, për tri ditë rresht”.

Anëtarët e familjes kishin menduar se Vjollcën e kishin vrarë policët serbë. Kur të afërmit e takuan pas disa ditësh, u gëzuan, sidomos fëmijët. Por ngjarja nuk përfundoi aty. “Pas disa muajsh kuptova se isha shtatzënë. Nëna më dërgoi te mjeku, që ta heq fëmijën. Prej asaj kohe nuk isha mirë. Në vitin 2000 më sollën trupin e burrit nga varreza masive. Më ftuan në morg që të identifikoja burrin dhe aty kam pësuar shumë trauma, sepse të gjitha kufomat më dukeshin të njëjta. Të gjithë meshkuj civilë të vrarë gjatë luftës në Kosovë. (https://drenicapress.info)

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut në nenin 5 të saj thotë: “Askush nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, veprimit ose dënimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues”. “Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës ose dënimeve e trajtimeve çnjerëzore ose degraduese”, thuhet edhe në nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Por, përkundër këtyre të drejtave, që bota i krijoi për të mirën e njerëzimit, gjatë më se njëqind viteve të pushtimit serb në Kosovë, këto të drejta janë shkelur dhe janë përmbysur tërësisht. Ndaj me të drejtë shkrimtari ynë Ismail Kadare thotë se “marrëzitë serbe i kanë kaluar veprimet e nazistëve në gadishullin e Ballkanit”.

Krahas dhunës sistematike kundër popullsisë civile në Kosovë, barbaria serbe “aplikoi edhe formën e gjenocidit biologjik, “që është më i fshehtë dhe nuk manifestohet me viktima të mëdha”, thotë politologu Bardhyl Mahmuti (Mahmuti, 2015:291). Gjatë luftës në Kosovë u dhunuan mbi 20000 gra dhe vajza shqiptare, “me qëllim që të goditet gruaja, simboli i vazhdimësisë biologjike të grupit. Këto akte kishin për qëllim të goditej gruaja si nënë e ardhshme, qoftë për të cenuar integritetin e saj fizik dhe moral, qoftë për ta penguar të krijojë vazhdimësinë e grupit” (Mahmuti, 2015:293).

Sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, cenimi i integritetit fizik dhe mental të anëtarëve të grupit nacional, etnik, racor apo religjioz përbën akt gjenocidi. “Sot askush nuk mund ta kontestojë faktin, se dhunimi dhe dhuna seksuale mbi gruan përbën cenim të rëndë të integritetit fizik apo mental të saj. Dhunimet seksuale në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë u bënë mjet bashkëkohor i luftës dhe synonin shkaktimin e dëmeve të pariparueshme ndaj anëtarëve të grupit” (Mahmuti, 2015: 292). “Pra, dhunimi dhe dhuna seksuale përbëjnë shkelje të konventës së lartpërmendur, sepse dhunimi i shkakton viktimës trauma dhe plagë të pashlyera psikologjike” (po aty).

Edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se në Ballkan (Kosovë, Kroaci e Bosnjë) janë dhunuar seksualisht60 000 femra. “Megjithatë, kjo organizatë më 1992, pas një presioni publik për përdhunimet në ish-Jugosllavi, bëri që në vitin 2008, Këshilli i Sigurimit të miratojë Rezolutën 1820, e cila përdhunimet dhe format e tjera të dhunës seksuale i njohu si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit” https://www.koha.net/.
Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 1820 (2008) pranon se dhuna seksuale është përdorur si taktikë lufte për të poshtëruar, dominuar, frikësuar ose zhvendosur me forcë anëtarët civilë të një komuniteti apo grupi etnik. Ajo kërkon nga vendet anëtare, që përdoruesit e dhunës seksuale t’i ndjekin penalisht dhe të gjitha viktimat, sidomos gratë dhe vajzat, të kenë mbrojtje të barabartë në drejtësi. Rezoluta kërkon gjithashtu, që t’i jepet fund mosndëshkimit për dhunë seksuale. “Organizata për të Drejtat e Njeriut Amnesty International,dhunën seksuale lidhur me konfliktin e përkufizon si dhunë kundër grave, burrave, vajzave dhe djemve, që ndodh në rrethana konflikti ose paskonflikti dhe që ka lidhje të drejtpërdrejtë me vetë konfliktin” www.amnesty.org/.

Siç bënte ditur kjo organizatë, në Kosovën e viteve 1998-99, gjatë fushatës së përndjekjes dhe dhunës kundër shqiptarëve nga forcat ushtarake e policore serbe, në mënyrë sistematike janë përdhunuar mijëra gra. Në raportin me titull “Plagët që djegin shpirtrat tanë” shpalosen pasojat shkatërruese fizike dhe psikologjike të dhunës seksuale të provuara nga të mbijetuarat. “Gratë dhe vajzat shqiptare iu nënshtruan përdhunimit dhe formave të tjera të dhunës, që përbëjnë torturë. Shumë të mbijetuara i njohin dhunuesit e tyre edhe me emër. Megjithatë, deri tani vetëm 4 udhëheqës ushtarakë dhe politikë serbë janë dënuar për dhunë seksuale, si një krim kundër njerëzimit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi” (www.amnesty.org). “Nuk kemi asnjë shpresë në drejtësi”, thotë një e mbijetuar e dhunës. “Unë isha 30 vjeçe kur u ushtrua dhunë mbi mua dhe tani gati mbush të 50-at”. Përdhunimi “është një plagë që ta djeg shpirtin ditë për ditë”, e të bën të turpërohesh para familjes e komunitetit. Atë e mban me vete gjithë jetën (po aty). “Me një fjalë, pas aktit të dhunimit, në vend të ngushëllimit e të kujdesit, ato përjetonin një shkretëtirë tjetër, të panjohur, të palogjikshme, sikur të kishin dalë në anën tjetër të pasqyrës, atje ku nuk ka më asgjë të kësaj bote”(Kadare, 2011: 10).

Duhet thënë se një ndër gratë e para që ka ngritur zërin për të dëshmuar për aktin e dhunës seksuale të ushtruar ndaj saj, nga dy persona të maskuar, në shtëpinë e saj dhe para burrit dhe fëmijëve të saj, është Sevdie Ahmeti, bashkëthemeluesja e OJQ-së, Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve.
Kohët e fundit edhe znj. Vasfije Krasniqi-Gudman, rrëfeu historinë e saj të dhimbjes, duke inkurajuar edhe gratë e tjera që të flasin për dhimbjen e tyre, për të mos jetuar në stigmë. Heshtja në lidhje me krimin dhe çfarëdo forme tjetër të dhunës, nuk çon kah shërimi i plagëve të të mbijetuarve e as të shoqërisë.

Ndryshimet ligjore më 2014, në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, që njohu edhe statusin e viktimave, me mundësi kompensimi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës, si dhe hapjen e procesit të verifikimit për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përbënë një pikë kthese në mbështetjen e të mbijetuarve. Por ndihma financiare e ofruar që nga 5 shkurti i vitit 2018, natyrisht nuk paraqet asgjë më shumë se vëmendje simbolike nga ana shtetërore, që në fakt edhe sipas ligjeve ndërkombëtare, vetëm përmbush detyrimet ndaj viktimave të luftës, që nuk do të guxonte të përfundonte me aq. Gjithsesi, të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë nevojë për rehabilitim, kujdes shëndetësor dhe ndihmë psikologjike. Ato, më shumë se për çdo gjë tjetër, kanë nevojë për vëmendjen tonë.

Krimi i dhunës seksuale është krim kundër njerëzimit

“Krimet e kryera në Kosovë kanë qenë plotësisht nën kontrollin e strukturave politike, ushtarake dhe policore serbe, që synonin shkatërrimin e shqiptarëve si të tillë dhe ndryshimin e strukturës së popullsisë së Kosovës, thotë politologu Bardhyl Mahmuti (Mahmuti, 2015:291), ndaj kjo ishte edhe arsyeja e themelimit të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, me qëllim dënimin e përgjegjësve të krimit të kryer.
Pas themelimit të Tribunalit në Nurnberg më 1945, për dënimin e përgjegjësve të Holokaustit për krime lufte të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Tribunalit të Tokios më 1946, bota pak kishte besuar se do të rikthehej koha e rithemelimit të tribunaleve të ngjashme për dënimin e krimeve të luftës, si Tribunali për ish-Jugosllavinë në Hagë dhe Tribunali për Ruandën, më vonë edhe Tribunalin për Siera Leonen.

“Tribunali i Hagës u themelua pas shthurjes së Federatës Jugosllave më 1991 dhe shkeljeve flagrante të ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë vrasjet masive, përdhunimet sistematike e krimet e tjera çnjerëzore” (www.academia.edu).
“Tribunali Penal Ndërkombëtar (TPNJ) përdhunimin gjatë kohës së luftës e definoi si veprim të torturës dhe skllavërisë seksuale, si krim ndaj njerëzimit, që konsiderohet arritje e jashtëzakonshme në luftën kundër mosndëshkimit të kriminelëve të luftës” (kosovotwopointzero.com).

Megjithatë, ky tribunal është ndeshur me kritika të ashpra për mosdënimin e kriminelëve, e sidomos të krimeve të dhunës seksuale. Fondi për të Drejta Humanitare (FDH) kritikon Tribunalin për një numër të vogël të akuzave për krimet ndaj civilëve në Kosovë. Madje sipas FDH-së, në disa raste “gjykimet janë shumë të buta dhe me shumë favore për të dënuarit”.
Po rikujtoj se, për të plotësuar sistemet penale kombëtare, më 1995 u krijua Gjykata Ndërkombëtare Penale e Përhershme,“e cila dhunimin e cilësoi si formë gjenocidi” (Mahmuti, 2015:292). Kurse po e “njëjta gjykatë për Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën deklaroi se nuk ka pasur gjenocid” (Mahmuti, 2015:295).

Janë të papranueshme këto anësime të gjykatave respektive, në një kohë kur një numër i konsiderueshëm i organizatave kombëtare e ndërkombëtare tanimë kanë publikuar një varg raportesh, përmes të cilave japin të dhëna për krimet seksuale nga forcat serbe ndaj 20000 grave shqiptare të dhunuara në Kosovë, në shërbim të spastrimit etnik.

E për ta dëshmuar këtë që po them, do të përmend vetëm disa nga këto organizata, si: Organizata e Kombeve të Bashkuara, Amnesty International; Organizata Botërore e Shëndetësisë, Human Rights Watch, World Health Organization, US-based Centreof Diseaseetj., që kanë publikuar edhe në internet me mijëra faqe të krimit të dhunës seksuale nga forcat serbe ndaj 20000 grave shqiptare në Kosovë.

Konventa e Gjenevës për Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte, në nenin 27 të saj shpreh qartë të drejtën e grave për t’u mbrojtur kundër çdo shkeljeje të nderit të tyre, dhe sidomos kundër dhunimit, por edhe kundër çdo akti fyes. Forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë aplikuan dhunën seksuale si mjet lufte duke shkelur jo vetëm nenin 27 të Konventës së Gjenevës, por edhe “nenin 7 të Statutit të Romës, ku specifikohet qartë se përdhunimi, si dhe çdo formë tjetër e dhunës seksuale që përdoren si pjesë e një sulmi të gjerë ose sistematik drejtuar kundër cilësdo popullsi civile,është krim kundër njerëzimit. Në anën tjetër, sipas nenit 6 të Statusit të Romës,shkaktimi i dëmeve të rënda trupore ose mendore anëtarëve të grupit,me qëllim që të shkatërrojë, në tërësi ose pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racial apo fetar përbën akt të gjenocidit” (www.academia.edu).

Aplikimi i dhunës seksuale si mjet lufte nga forcat ushtarake serbe në Kosovë, në shërbim të spastrimit etnik, ishte akti më brutal i gjenocidit serb në historinë më të re të kontinentit tonë. Serbia edhe pas 20 vjetësh të përfundimit të luftës, nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë e as i ka dënuar ato. Por, siç thuhet, “historia është kryeneçe”, kurse “krimet e luftës nuk vjetrohen kurrë”.

E drejta ndërkombëtare nuk u zbatua edhe në rastin e Kosovës
Filozofi francez i së drejtës së shtetit, Monteskje (Montesquieu),dyqind vjet më parë thoshte: “Në paqe duhet të ndihmojmë sa më shumë njëri-tjetrit. Kurse në luftë duhet të kujdesemi të bëjmë sa më pak të këqija”.
Natyrisht, gjenialiteti i Monteskjesë në këtë rast nuk e kishte në mendje barbaro-gjeniun serb, që në emër të luftës bën krime, e në emër të paqes abuzon. Krimet e forcave ushtarake policore serbe në Kosovë kundër popullsisë civile, (vrasjet, burgosjet, gjymtimet, keqtrajtimet, dhunimet në masë, deportimet) që nga Millosh Obrenoviqi e deri te Sllobodan Millosheviqi, ende nuk i ka të dëgjuara historia më e re e kontinentit tonë. Në Beograd, serbët shpërthejnë shampanja kur marrin vesh mizoritë e shkaktuara nga trupat e tyre. “Ky është qëndrim kafshëror e shtazarak. Kur të mund të shfaqen provat për krimet serbe në Kosovë, Perëndimi do të tmerrohet”, thotë shkrimtari ynë I. Kadare, në një intervistë dhënë gazetarit Alan Bosquet.

Vitet e fundit, e drejta ndërkombëtare është zhvilluar mjaft në drejtim të kërkimit të përgjegjësive më të mëdha për krimet e dhunës seksuale, kur kryhen me qëllim që të shkatërrojnë një grup etnik, nacional apo racor në tërësi ose pjesërisht, që pretendohet se po aplikohen si mjet bashkëkohor i luftës.

Forcat ushtarake policore serbe gjatë luftërave të zhvilluara kundër republikave ish-Jugosllave më 1991-1999, në Bosnjë e Kroaci, më vonë edhe në Kosovë, “dhunimet seksuale i aplikuan si mjete bashkëkohore të luftës dhe synonin shkaktimin e dëmeve të pariparueshme ndaj anëtarëve të grupit”, thotë politologu Bardhyl Mahmuti (Mahmuti, 2015:292).
Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën e cilësoi dhunimin si formë e gjenocidit, gjë që nuk ndodhi edhe për Kosovën e Bosnjën.

Edhe në Siera Leone, Gjykata Speciale dhunimin dhe format e tjera të dhunës seksuale i ka ndjekur penalisht si akte gjenocidi, kur kryhen me qëllim që të shkatërrojnë një grup etnik, fetar, nacional apo racor në tërësi ose pjesërisht.
Në Bosnjë, gjatë agresionit serb më 1991, siç thotë gazetari Denis Dzidic, “forcat ushtarake policore kishin dhunuar seksualisht 50000 gra, por vetëm 30 autorë krimesh të drejtpërdrejta janë dënuar nga gjykatat vendore dhe Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi. Ai thotë gjithashtu, se çështja e përdhunimit të grave në Bosnjë mori përmasa ndërkombëtare, sidomos nga kontributi i regjisores së njohur Angelina Jolie me filmin “Në tokën e gjakut dhe të mjaltit” (www.balkaninsight.com).

Në këtë drejtim, kontribut të madh ka dhënë edhe Qeveria e Britanisë, në krye me kryeministrin William Hague, i cili, për shkak të numrit të madh të krimeve të pandëshkuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Bosnjë, kishte krijuar një ekip hetuesish për ta gjykuar dhunën seksuale. Në ekip bënin pjesë oficerë policie, avokatë, psikologë dhe ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët ishin udhëzuar që të mblidhnin prova për dhunën seksuale në masë sepse, siç ishte shprehur z. Hague, duhen siguruar të drejta të barabarta për gratë në çdo nivel të shoqërisë dhe duhen mbrojtur të pambrojturit (po aty).
Gazetari Dzidic njofton, gjithashtu, se prej 161 të paditurve, Tribunali i Hagës ka dënuar vetëm78 persona për krime seksuale. Kurse gjykata në Bosnjë-Hercegovinë ka pasur rreth 20 gjyqe për të paditur të akuzuarit për krime seksuale (po aty). Ndërsa Amnesty International për krime të dhunës seksuale në Bosnjë thotë se janë dënuar 134 persona (https://www.amnesty.org).

Duhet thënë se në Bosnjë, për dhunën seksuale gjatë luftës janë gjykuar më shumë persona se në çdo vend tjetër të botës. Bosnja, pavarësisht problemeve, është shembull edhe sa i përket përmbushjes së të drejtave të të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Kosova në raport me Bosnjën ka dallime të mëdha sa u përket të dënuarve për krime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Organizata për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International, ka publikuar vetëm 7 raste të lidhura me përdhunimet sistematike në gjykatat e Kosovës. “Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka shpallur fajtorë 4 persona për dhunime gjatë kohës së luftës në Kosovë,përderisa shumë pak gra kanë dëshmuar në proceset gjyqësore. Fondi për të Drejta Humanitare, që monitoron gjykimin e krimeve të luftës, paralajmëron se në shumë raste dëshmitarët në gjykime kundër të pandehurve që akuzohen për përdhunim janë fyer dhe janë ekspozuar ndaj sjelljeve degraduese nëpër gjykime(kosovotwopointzero.com).

Komisioni i Verifikimit të të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë ka raportuar se mbi 750 të mbijetuara kanë aplikuar për statusin e të mbijetuarve, por vetëm 140 kanë marrë përgjigje pozitive.
“Në Kroaci, Ligji për të Drejtat e Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Agresionit të Armatosur kundër Republikës së Kroacisë në Luftën për Atdhe u miratua më 2015, duke themeluar statusin ligjor të viktimës së dhunës seksuale. Ky ligj u ofron atyre që e marrin këtë status një pagesë mujore, si dhe të drejtën për kujdes shëndetësor, rehabilitim mjekësor dhe ndihmë psikologjike. Ndryshe nga Kosova, në Kroaci nuk ka afat të fundit për dorëzim të kërkesave” (po aty).

Sipas Rosa Centerfor Women Victimsof War, një OJQ me qendër në Zagreb, që ofron mbështetje për viktimat e luftës dhe të formave të tjera të dhunës, vetëm 215 persona kanë aplikuar për statusin formal deri në mes të vitit 2018 dhe vetëm 132 prej tyre ishin të suksesshëm. Dhënia e dëmshpërblimit për personat që i mbijetuan dhunës seksuale duhet të shoqërohet me përpjekje nga e gjithë shoqëria për ta njohur problemin dhe për të luftuar kundër stigmatizimit dhe viktimizimit dytësor të personave që i mbijetuan dhunës dhe familjarëve të tyre (po aty).

Diplomacia kosovare dështoi të dëshmonte krimin e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë!
Njohja e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008, ishte synim, por edhe detyrë e udhëheqësve të vendit. Funksionimi i shtetit pritej të realizohej përmes fuqizimit të institucioneve të pavarura, demokratike dhe zhvillimit të gjithanshëm shoqëror. Por, që në hapat e parë të shtet-ndërtimit, Kosova ka ngecur sidomos në përkujdesjen dhe rehabilitimin e nevojshëm të të mbijetuarve nga lufta, siç janë gratë, ndaj të cilave u aplikua krimi i dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

U deshën 15 vite pritje, deri më 2014, që të miratohet Ligji për Mbrojtjen e Viktimave të Dhunës Seksuale, por në asnjë mënyrë ky ligj nuk mund të ofronte edhe drejtësinë e munguar. “Unë jetoj e vdekur dhe më marrin për të gjallë”, ishte rrëfimi i njërës nga gratë, por në fakt, me dhunimin e tyre “a s’jemi të dhunuar të gjithë?” (Kadare, 2011:18). Madje, qeveritë e pasluftës nuk e panë të udhës që çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale ta shtrojnë në tryezën e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Tribunali Penal Ndërkombëtar (TPNJ)dhunën seksuale ndaj grave gjatë luftës në ish- Jugosllavie definoi si krim kundër njerëzimit. Por institucionet e Kosovës, krimin serb në Kosovë nuk arritën ta dëshmojnë para këtij tribunali. “Etja për pushtet e para, e hiç më pak edhe për lavdi, ka bërë që udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të humbin rastet për dëshmimin e krimit serb në Kosovë. Sado paradoksale të duket, nga dëshmimi i krimeve do të përfitonin të gjithë, duke përfshirë edhe ata që i kishin kryer ato” (Kadare, 2011: 12).

“Heshtimi për krime është më i pafalshmi gabim i shqiptarëve”, thotë I. Kadare (Kadare, 2011, 11). Madje është rrezik që “mosndëshkimi të mbetet tmerri më i madh i Kosovës, që edhe mund të dyzohet (Kadare, 2011, 11).
Politika e jashtme kosovare nëpërmjet diplomacisë publike, (diplomacia publike përfshin aktivizimin e një grupi të madh “lojtarësh” të organizuar për arritjen e synimeve të caktuara) dhe takimeve me shtete e organizata të ndryshme, duhet ta ndërkombëtarizojë krimin e gjenocidit serb në Kosovë. Të gjitha përfaqësitë diplomatike të Kosovës nëpër botë duhet të jenë të pajisura me informata të mjaftueshme, qoftë edhe me botime të broshurave shtesë, ku specifikohen rastet e dhunës dhe të udhëzohen për njoftimin e shteteve pritëse për krimin e ndodhur në Kosovë.

Edhe përfaqësitë e huaja në Kosovë duhet të informohen për krimin e gjenocidit serb në Kosovë. Diplomacia aktive e Kosovës do të duhej të ushtronte trysni, që shteti serb të pranonte krimin e gjenocidit të kryer në Kosovë, ashtu siç pranoi të nënshkruajë në Stamboll rezolutën, e cila dënonte si gjenocid masakrën e Srebrenicës në Bosnjë. Me çdo kusht, diplomacia kosovare duhet të zgjojë interesimin e bashkësisë ndërkombëtare për krimin e dhunës seksuale nga forcat serbe ndaj 20000 grave shqiptare në Kosovë, me këtë edhe dënimin e tij. Kjo zaten është në të mirën edhe të vetë Serbisë. Ndryshe, “duke mos i dhënë lamtumirë krimit, do të dëmtohej më tej jo vetëm Serbia, por krejt programi i paqes në Ballkan”, thotë I. Kadare (Kadare, 2011:15).

Baby Boo