Përderisa gjykata vendosi për kushtetutshmërinë e vendimit për shpalljen e referendumit, dhjetëra qytetarë mbajtën tubim paqësor përpara Gjykatës Kushtetuese. Me mbishkrime porositën që nëntë gjykatësit kushtetues duhet të mendojnë për dinjitetin e brezave të mëparshëm, dhe siç theksuan, të mos jenë pjesë e tradhtisë. Dorëzuesit e nismës, pas vendimit të gjykatësve, dolën me qëndrim se sot drejtësia është varrosur dhe se pas kësaj nuk ka mbetur asgjë përveç bojkotit të referendumit.
Presioni mbi Gjykatën ishte i dukshëm. Vendimi i Gjykatës për ne është i papranueshëm. Gjykatësit në seancë ishin kontradiktorë. Në fakt, ata hodhën poshtë debatin mbi Marrëveshjen me Greqinë, sepse nuk është lëndë debati, por vërtetuan se me çështjen e referendumit nuk votohet për Bashkimin Evropian apo NATO, por për Marrëveshjen me Greqinë- tha Todor Petrov – Kongresi Botëror Maqedonas.
Kjo është një pjesë e turpshme e sundimit të së drejtës në Republikën e Maqedonisë, sot është varrosur shteti i të së drejtës përmes një vendimi politik dhe jo juridik nga gjykatësit. Sipas nesh, bojkoti mbetet si e vetmja mënyrë masive e kthimit të shtetit të së drejtës- tha Dimitar Apasiev – “E Majta”.