Dhjetëra autoblinda të Policisë me alarme janë nisur drejt Mitrovicës


Një numër i madh i automjeteve të njësiteve të Policisë së Kosovës janë nisur drejt rajonit të Mitrovicës sot, e premte.

Kolona e dhjetëra automjeteve të blinduara të forcave të Policisë së Kosovës është parë duke qarkulluar në Vushtrri, përkatësisht në rrugën që lidh këtë qytet me Mitrovicën.

Dëshmitarë të ndryshëm nga qyteti i Vushtrrisë i kanë thënë Gazetës Metro se automjetet e blinduara të Policisë kanë qenë duke udhëtuar drejt Mitrovicës.

Masat e sigurisë nga autoritetet e rendit në Kosovë lidhen me situatën e fundit të krijuar në Mitrovicë, përkatësisht në veriun e Kosovës që banohet kryesisht me pjesëtarë të komunitetit serb.

Së fundi është thënë që serbët e veriut po përgatiten të shpallin autonominë brenda shtetit të Kosovës, pasi që më 5 gusht skadon afati i vendosur nga serbët për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Prifti ortodoks serb Sava Janjic deklaroi këto ditë që ka informacione se në këtë pjesë të vendit mund të tensionohet situata, për çka ka reaguar edhe BE’ja duke kërkuar që të shmangen tensionet.